Presidenti Trump: SHBA nuk do të bëhet kurrë vend socialist

Fjalimi vjetor për gjendjen e kombit, apo fjalimi i parë i fushatës për zgjedhjet e vitit 2020?

Nga Ruben Avxhiu

Çdo fillimviti, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ftohet për të mbajtur një fjalim për Gjendjen e Bashkimit (lexo, të kombit, të shteteve të bashkuara, të Amerikës).
Në epokën modern, këto fjalime mbahen përpara të dyja dhomave të Kongresit dhe anëtarëve të Gjykatës Supreme, si dhe trasmetohen drejtpërdrejt në televizion etj.
Presidenti i përdor këto ngjarje vjetore për të shpalosur vizionin e tij për të ardhmen dhe opozita për të ofruar pikëpamje alternative. Shpesh këto janë raste për të ofruar propozime të mëdha, po jo rrallë ato mbeten në letër, apo në këtë rast edhe në ajër.
Ka në përgjithësi një presion të madh për t’u dhënë këtyre fjalimeve më shumë madhështi dhe kuptim historik sesa kanë.
Presidenti Donald Trump mbajti dje fjalimin e tij të tretë vjetor dhe komenti më interesant për të ishte se tingëlloi si një plan fushate për zgjedhjet e vitit 2020. Pas zgjedhjeve të fundit për Kongresin, procesi për zgjedhjen e një kandidati nga Partia Demokrate ka filluar. Është e pashmangshme që të mos perceptohej ky fjalim si pjesë e një beteje që demokratët mezi presin që ta fillojnë. Nga ana tjeër, thuhet se edhe Trump, për shkak të natyrës së tij, preferon më shumë që të bëjë fushatë sesa të qeverisë.
Nëse fjalimi i djeshëm është vërtet platformë për fushatën që po vjen atëhere mund të thuhet se Trump ka ritheksuar tre argumente për të cilat do të kërkojë edhe njëherë tjetër votën e amerikanëve.
Ai premtoi se SHBA nuk do të bëhej kurrë një vend socialist. Në fakt, SHBA ka po aq mundësi që të bëhet vend socialist sa ka edhe që të zhvendoset nga Amerika e Veriut në një kontinent tjetër. Është një vend ku shumë programe sociale janë më të dobëta senë vendet e pazhvilluara afrikane. Disa nga demokratët më të majtë, do të tingëllonin si centristë në vende të tjera demokratike të botës.
Mirëpo, argumenti nga Trump nuk qendron tërësisht në erë. Partia Demokrate është zhvendosur qartësisht majtas si asnjëherë në katër dekadat e fundit. Në 2016, një social-demokrat i vetëshpallur, Bernie Sanders përpak sa nuk fitoi në garë brenda partisë kundër Senatores Hillary Clinton. Pikëpamjet e tij që u kritikuan si radikale dy vjet më parë, sot janë përqafuar pothuajse nga të gjithë kandidatët e mundshëm demokratë për 2020.
Një brez i ri demokratësh i zgjedhur në 2018, në Kongresin Amerikan si dhe në legjislatirat shtetërore e lokale, janë shumë më të majtë sesa kolegët e tyre të brezave më të hershëm. Disa madje deklarohen hapur si socialistë.
Të them të drejtën, numri i tyre mbetet një pakicë e vogël, mirëpo vëmendja që kanë marrë nga media i ka vendosur në qendër të debateve për të ardhmen e Partisë Demokrate. Një prej tyre, Alexandria Ocasio-Cortez, kongresistja që ia mori vendin pas 20 vjetëve demokratit James Crowley, në një zonë të cilën demokratët e kanë në xhep, ka marrë gati po aq vëmendje nga media sa Nancy Pelosi kryetarja e rizgjedhur e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shumëmë tepër se një numër kongresistësh demokratë që drejtojnë komitete të fuqishme të Kongresit.
E njohur shkurt si AOC, ajo ankohet se republikanët e sulmojnë shpesh se janë të tmerruar nga pikëpamjet e saj socialiste. Në fakt, Trump dhe republikanët duket se përkundrazi mezi presin që ajo të bëhet fytyra e Partisë Demokrate. Ata besojnë se nëse vendosen mes tyre dhe socializmit, amerikanët gjithnjë do të votojnë kundër të majtës.
Në këtë kontekst, kriza në Venezuelë ka ardhur në kohën e duhur. Një vend i pasur në naftë, në dy dekadat e fundit ka eksperimentuar me një formë të re të socializmit shtetëror duke përfunduar në një situatë ku njerëzve u mungon buka e gojës dhe letrat higjenike. Një karikaturë e socializmit të cilën Presidenti Trump do ta shpalosë me afrimin e zgjedhjeve.
E vërteta është se akuza për socializëm ndaj Demokratëve është e lashtë. Mirëpo, ajo është bërë disi qesharake, sidomos pas shfaqes në skenë të Bill Clinton dhe rrymës së tij transformuese. Nga ana jetër, suksesi i Bernie Sanders në 2016 dëshmoi se socializmi nuk tingëllon më i frikshëm në një vend që ka humbur sektorë të tërë të industrisë për shkak të globalizmit dhe ku dallimi mes të pasurve dhe të varfëve ka arritur përmasa të papara.
Dy drejtimet e tjera që do të përqendrohet fushata e Presidentit Trump në bazë të fjalimit të djeshëm janë emigracioni i lidhur me sigurinë e brendshme në vend dhe tjetri ekstremizmi i demokratwve nw fushwn e abortit. Fitorja e Demokratëve në 2018 ka kufizuar rëndë mundësinë e tij për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën. Ai duhet të oshilojë tani ndërmjet fajësimit të Demokratëve si armiq të sigurisë amerikane e përqafues të emigracionit pa kufi, te justifikimi se pse nuk e ndërtoi Murin, gjatë dy viteve kur Republikanët kishin të dy dhomat e Kongresit nën kontroll.
Mirëpo, çështja e abortit ka mundësi që të mobilizojë votuesit me pikëpamje të forta fetare në SHBA. Kauza ka humbur rëndësinë me kalimin e viteve mirëpo mund të rivitalizohet edhe për shkak të një ligji kontradiktor në Virginia që lejon abortin edhe në tremujorin e fundit të barrës. Për Demokratët aborti është një e drejtë e gruas për të bërë çfarë të dojë me trupin e saj. Është temë e lirisë së njeriut. Për konservatorët, aborti është vrasje e një fëmijë, një krim që nuk ka më asnjë justifikim në tremujorin e tretë.
Demokratët mund ta injorojnë sat ë duan këtë temë, po rezultatet e anketimeve pas fjalimit të Presidentit Trump treguan një aprovim shumë më të gjerë të fjalimit sesa mbështetja që ka Trumo si president. Të paktën mbi 60% e kanë vlerësuar pozitivisht fjalimin, ndërsa mbështetja për të nuk është më e madhe se 48%. Këto janë shifra inkurajuese për Presidentin.
Duhet shënuar, se anketimi i mësipërm është ndikuar edhe nga fakti se shumë demokratë refuzuan ta shohin fjalimin dhe munguan në përgjigjen ndaj tij. Sipas analistëve ky ka qenë fjalimi me audiencën më partiake që mbahet mend. E thënë ndryshe, shumë nga ata që e ndoqën ishin të prirur që ta pëlqenin, ndërsa ata që e paragjykuan vendosën të bëjnë diçka tjetër të martën në mbrëmje, të paktën deri sa të fillonte përgjigjia nga Stacy Abrams që kishin zgjedhur Demokratët për kundërargumentin e tyre tradicional.
(Është interesant se dukej që edhe vetë Stacy Abrams nuk e kishte ndjekur fjalimin dhe përgjigjia e saj ishte më shumë një përgjigje ndaj politikave republikane në tërësi sesa konkretisht kundër fjalimit për të cilën ishte ngarkuar. Një tjetër simbol i dy Amerikave që refuzojnë të dëgjojnë njëra-tjetrën).
Disa kritikë janë shprehur se kishte shumë fjalime brenda fjalimit të mbrëmshëm, një reflektim mbase i faktorëve me pikëpamje të kundërta që përplasen Brenda Shtepisë së Bardhë.
Mungoi në fjalim rreziku që SHBA mund të hyjë përsëri në krizë buxhetore me mbyllje të qeverisë, për shkak të mosmarrëveshjes për ndërtimin e murit. Një marrëveshje e përkohshme do të skadojë pas pak ditëve. Vendi nuk është duke përjetuar mrekullinë ekonomike që përshkroi Trump, po as nuk është realiteti dystopian që paraqesin Demokratët.
Këta të fundit kanë një shans të mirë të fitojnë në 2020, po janë kaq të përçarë e pa një figurë qendrore sa mbetet për t’u parë nëse fushata që po vjen brenda partisë do të jetë një triumf i demokracisë dhe civilitetit, apo një luftë civile mizore, që do ta sakatojë elektoratin e tyre. Aftësia për të mbajtur bashkë votuesit e vjetër tradicionalë me rininë radikale, do të jetë çelësi i fitores. Në 2016, një numër mbështetës të kandidatëve Bernie Sanders dhe Jill Stein refuzuan të votojnë për Hillary Clinton, duke e bërë që Donald Trump të zgjidhet president. Historia mund të përsëritet. (Ruben Avxhiu)