Presidentja e KE-së bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së

Bruksel, 5 korrik 2021 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën, përsëriti thirrjen për pëshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ajo tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në Bashkimi Evropian.

“Prioriteti ynë i parë është që të përshpejtojmë agjendën tonë të zgjerimit në gjithë rajonin dhe t’u ndihmojmë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor për të zbatuar reformat e nevojshme për avancim në rrugëtimin evropian”, tha von der Leyen gjatë takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim ky në kuadër të Procesit të Berlinit.

Von der Leyen tha se paralelisht do të punohet për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt “një të ardhmje digjitale dhe të qëndrueshme” dhe bëri të ditur  se BE-ja ka vënë në dispozicion 28 miliardë euro për projektet e infrastrukturës në vendet e Ballkanit.

Von der Leyen shprehu mbështetje për tregun e përbashkët rajonal dhe për qasje të rajonit në tregun e BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për Procesin e Berlinit. Ajo tha se ky është një inkubator për shumë nisma, të cilat janë bërë edhe pjesë përbërëse e politikës së BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zonja von der Leyen foli edhe për ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë COVID-19. Ajo tha se rënia e infektimeve me koronavirus në këtë rajon ka bërë që shtetet e këtij rajoni të mos kenë kufizime për udhëtime në BE.

Ajo tha gjithashtu se BE do të mbështesë financiarisht shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’i tejkaluar pasojat e shkaktuara nga pandemia.

Zonja Von der Leyen tha se Komisioni Evropian e përshëndet hyrjen në fuqi të marrëveshjes për heqjen e tarifave për roaming midis vendeve të rajonit dhe paralajmëroi se hapi i ardhshëm do të jetë përfshirja e rajonit edhe në hapësirën e BE-së pa tarifë për roaming.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

(r.m.)

Comment

*