Presidentja Osmani bisedoi me telefon me Nënpresidenten Harris

Prishtinë, 3 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me Nënpresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.

Zyra e Presidentes Osmani njofton se në qendër të bisedës ishin “partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani dhe zëvendës-presodentja Harris kanë biseduar edhe për çështjen e strehimit të qytetarëve afganë që kanë ikur nga talibanët.

Nënpresidentja Harris ka thënë se SHBA-të i janë thellësisht mirënjohëse Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe për gatishmërinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë.

Ajo e ka shprehur mirënjohjen e administratës së Presidentit Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ka vlerësuar lidhjen e thellë të popullit të Kosovës me SHBA-të dhe me Administratën e Presidentit Biden.

Nënpresidentja Harris ka përcjellë falënderimet e përzemërta të Presidentit Biden për nderimin e birit të tij, Joseph Robinette “Beau” Biden III, me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit

Dy zonjat kanë biseduar edhe për çështjen e pandemisë. Zonja Osmani ka falënderuar qeverinë dhe popullin amerikan për dhurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës Pfizer, që do të arrijë së shpejti në Kosovë.

Presidentja Osmani e ka shfrytëzuar rastin që edhe një herë ta urojë zonjën Harris për emërimin e saj në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo ka thënë se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike.

Zonja Osmani ka thënë se shembulli i zonjës Harris do të jetë “inspirim për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes, anembanë botës”.

Presidentja Osmani e ka ftuar Nënpresidenten Harris ta vizitojë Kosovën.

Në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se “të dy lideret u pajtuan të takohen personalisht së shpejti”.

(r.m.)