Presidentja Osmani dekoroi Bekim Kastratin e Besim Dajakun

Prishtinë, 3 nëntor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dekoroi, post mortem, me urdhrin “Hasan Prishtina” Bekim Kastratin e Besim Dajakun.

Kastrati e Dajaku u dekoruan për kontributin e tyre për lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Dekorimi i tyre u bë në 20-vjetorin e vrasjes së tyre. Vrasja e tyre cilësohet si vrasje politike, ndonëse rasti  i vrasjes mbetet ende i pandriçuar.

Presidentja Osmani bëri thirrje për vendosjen e drejtësisë.  

“Njëri me kontribut në fushën e lirisë së fjalës e tjetri për mbrojtjen e institucioneve të vendit janë dëshmi e kohës dhe njëherësh ftesë për vënien e drejtësisë në vend. Ata do të pushojnë të qetë kur drejtësia të marrë një epilog, sepse janë kontribuues për lirinë dhe demokracinë në vend”, është shprehur Osmani në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës.

Bekim Kastrati ka qenë gazetar i gazetës “Bota sot”, ndërsa Besim Dajaku ka qenë pjesë e stafit të sigurimit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ata janë vrarë më 19 tetor të vitit 2001, në mbrëmje, në një pritë, në hyrje të fshatit Llaushë të komunës së Skenderajt. Në këtë attentat është plagosur rëndë Gani Geci.

(r.m.)