Presidentja Osmani dekreton Ligjin për Pagat në Sektorin Publik

Prishtinë, 4 janar 2023 – Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar sot Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka deklaruar për Telegrafin Bekim Kupina, këshilltar për Media i Zyrës së Presidentit.

Pas dekretimit nga Presidentja, ky ligj pritet të publikohet në gazetën zyrtare, ndërsa hyn në fuqi një muaj më pas.

Ligji për për Pagat në Sektorin Publik është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Me këtë ligj do të ketë rritje të pagave për mjekët specialistë, për mësimdhënësit dhe për policët.

Me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, koeficienti më i lartë, 18, i takon Presidentit të Kosovës. Paga aktuale e presidentit është 2.743 euro. Me ligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit është 120 euro, kjo pagë do të bie në 2.160 euro.

Koeficienti i dytë, 17.5, i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Paga aktuale për këtë pozitë është 3.574 euro, kurse me ligjin e ri, me vlerën e  koeficientit 120 euro, paga e tij zbritet në 2.100 euro.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri do ta kenë koeficientin 17. Aktualisht, kryeministri e ka pagën e ka 1.075.25 euro, kurse me ligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro, paga e tij do të rritet në 2.040 euro.

Rritje më të madhe të pagave do të ketë për mjekët specialistë. Koeficienti i pagës së mjekut specialist do të jetë 12, kështu që paga e tij, nga 600 euro sa është aktualisht, do të arrijë në 1.440 euro.

Rritje pagash do të ketë edhe për mësimdhënësit e nivelit parauniversitar dhe për policët.

Me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, koeficienti më i ulët është 2 dhe u përket  rekrutëve / kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, të Doganës së Kosovës dhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Me këtë ligj do të ketë ulje page për prokurorët dhe gjyqtarët. Këto dy kategori mendojnë se ky ligj është kundërkushtetues, prandaj kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë mund të vendosë për pezullimin e ligjit deri në vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.

(r.m.)