Presidentja Osmani dorëzon dekoratën për Beau Biden, djalin e Presidentit Biden

Prishtinë, 1 gusht 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën, në një ceremony shtetërore, ka dorëzuar Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden.

Beau Biden ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, në vitin 2001. Ai ka marrë pjesë në përgjedhjen dhe trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Presidentja Osmani ia ka dorëzuar dekoratën Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. 

Me rastin e dorëzimit të dekoratës, ajo ka deklaruar se me ndarjen e kësaj decorate Kosova e njeh kontributin që ka dhënë Beau Biden për Kosovën. Ajo ka thënë se Beau do të nderohet për punën dhe trashëgiminë e tij.

“Sa i takon Beau, mund të themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë, veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shteteve të Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se njerëzit si Beau Biden i frymëzojnë njerëzit për vepra të dobishme për njerëzimin.

“Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu’. Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë. I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se ndihma që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës për liri,demokraci dhe zhvillim është përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën.

Ajo i ka bërë ftesë publike Presidentit Biden ta vizitojë Kosovën ku do të jetë i mirëpritur krahëhapur.

 

“Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur”, ka thënë Presidentja Osmani.

Biden: Vlerësimi i trashëgimisë së Beau, nder i madh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden” dhe e ka falënderuar Kosovën për dekoratën që i është ndarë djalit të tij të ndjerë.

“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, ka thënë presidenti Biden përmes video-mesazhit.

Ai ka shtuar se i biri i tij Beau ka besuar thellë në pavarësinë e Kosovës dhe se si avokat në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, doli vullnetar për të ardhur në Kosovë, “për të mbështetur pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit”.

Presidenti Biden ka shprehur vlerësimin për përparimin, siç e ka quajtur ai, të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë njëzet vjetëve të fundit, me porosinë që “ka mbetur ende për t’u bërë”.

“Unë kam qenë atje disa herë dhe (kam parë) të gjithë njerëzit që punojnë pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën Beau besonte për popullin e Kosovës. Ka ende më shumë punë për t’u bërë, nuk kam nevojë t’ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje, dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Unë angazhohem për ju, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim”, është shprehur presidenti Biden. 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, duke e pranuar dekoratën për Beau Biden në emër të familjes Biden, ka thënë se amerikanët janë krenarë me rolin që kanë luajtur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e prosperitetin e saj.

“Beau Biden ka përfaqësuar më të mirën që SHBA-ja ofron. Ai e dinte që në mënyrë që të ketë prosperitet, amerikanët duhet të angazhohen me botën. Prandaj, mijëra amerikanë, si Baeu, disa me çizme ushtarake e disa me kostume të biznesmenëve, kanë shërbyer në Kosovë në këto dy dekadat e fundit. Ata kanë punuar përkrah miqve kosovarë për të ndihmuar në themelimin dhe për siguruar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të lëvizur vendin drejt pavarësisë ekonomike dhe ekonomisë së tregut. Dhe si Beau, për të mbështetur njerëzit e Kosovës për të ndërtuar institucione qeverisëse, të ngritura mbi vlerat demokratike dhe respektit ndaj sundimit të ligjit”, ka  thënë Kosnett.

“Amerika do të jetë përkrah jush në çdo hap”, ka theksuar ai.

Kjo është hera e dytë që Beau Biden, djali i ndjerë i Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, nderohet në Kosovë.

Në vitin 2016, vitin e fundit të tij si nënpresident amerikan, Joe Biden, së bashku me familjen e tij, e kanë vizituar Kosovën dhe kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të lapidarit të Beau Biden dhe të rrugës që e nderon emrin e tij, afër kampit Bondsteel.

Beau Biden ka vdekur në vitin 2015, nga kanceri.

(r.m.)

Comment

*