Presidentja Osmani e dekoroi gazetarin Sulejman Gashi, pas vdekjes

Prishtinë, 5 gusht 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, a ka dorëzuar të premten familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar z. Gashi, pas vdekjes.

Në ceremoninë e organizuar të premten, në prani të familjarëve dhe të miqve të z. Gashi, Presidentja Osmani theksoi se dekorimi i gazetarit të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin ai e ka dhënë në shpërndarjen e së vërtetës së Kosovës dhe për afirmimin e Kosovës në SHBA, si gazetar dhe aktivist shumëvjeçar i komunitetit shqiptar.

Presidentja Osmani tha se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe afirmues i madh i të drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të, duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, theksoi Presidentja Osmani.

Familjarët e z. Gashi, si edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni, e falënderuan Presidenten Osmani për dekorimin e z. Gashi. Ata i shprehën asaj mirënjohje për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve që kanë kontribuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Djali i Sulejman Gashit të ndjerë, Driloni, e ka falënderuar edhe publikisht Presidenten Osmani për dekorimin e të atit, në emër të familjes Gashi.

“… dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Presidentës Vjosa Osmani dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për Medaljen Presidenciale të Meritave që sot i është ndarë Babait, Sulejman Gashi. Ne zotohemi që të bëjmë çmos që të dokumentojmë jetën dhe veprën e Babait dhe të sigurojmë që ajo vepër e veçantë jetësore me patjetër të vazhdojë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sulejman Gashi e filloi karrierën e tij në gazetari në Televizionin e Prishtinës, në gjysmën e dytë të viteve ‘80. Në vitin 1990, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe mbylljes me dhunë të institucioneve të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, si edhe mbylljes me dhunë të Televizionit të Prishtinës, z. Gashi migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje ai e vazhdoi me shumë sukses profesionin e gazetarit. Ishte gazetar i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, korrespondent i gazetës “Bujku” që botohej në Prishtinë, si edhe bashkëpunëtor i Qendrës për Informim të Kosovës dhe i disa gazetave, revistave dhe medieve shqipe në diasporë.

Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, z. Gashi u kthye në Kosovë, ku shërbeu si këshilltar për medie i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e pastaj si gazetar e redaktor në Radiotelevizionin e Kosovës, ku e drejtoi emisionin qendror politik të këtij mediumi.

Pak para pavarësisë së Kosovës, ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e vazhdoi punën si korrespondent i Radiotelevizionit të Kosovës.

Sulejman Gashi u nda nga jeta në vitin 2020, pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuajti disa vite.

(r.m.)