Presidentja Osmani e dekoron Smajl Hajdarajn me urdhrin “Hero i Kosovës”

Prishtinë, 17 janar 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës, ish-deputetin e Kosovës, Smajl Hajdarajn, në 20 vjetorin e vrasjes së tij.

Dorëzimi i dekoratës u bë të hënën, në një takim me familjen e deputetit Hajdaraj.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, e cilësoi Hajdarajn “luftëtar i paepur për lirinë e Kosovës”.

Ajo ka bërë thirrje për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë dhe ka shprehur bindjen se kryesit e vrasjes së Smajl Hajdarajt do të dalin para drejtësisë.

“Në 20-vjetorin e vrasjes, dekorova me Urdhrin “Hero i Kosovës”, veprimtarin e çështjes kombëtare, luftëtarin e lirisë dhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdarajn.

Ai ishte jo vetëm një politikan i devotshëm, por edhe luftëtar i paepur për lirinë e Kosovës.

Liria jonë nuk është e përmbushur pa zbardhjen e vrasjeve politike. Do t`i dalim hakut heroit Smajl Hajdaraj, kur kryesit e veprës të dalin para drejtësisë!”, shkruan Presidentja Osmani.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/476056013878943

Smajl Hajdaraj ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë. Ai u vra në një atentat më 17 janar 2002.

Hajdaraj është laureuar edhe me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë dhe Medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës.

(r.m.)

Comment

*