Presidentja Osmani ia dorëzoi zonjës Doris Pack “Urdhrin e lirisë”

Prishtinë,4 korrik 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. ia ka dorëzuar zonjës Doris Pack “Urdhrin e lirisë”, të cilin ia kishte akorduar presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 2004.

Zonja Pak, anëtare shumëvjeçare e Bundestagut gjerman dhe e Parlamentit Europian, është dekoruar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej, ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani me rastin e dorëzimit të dekoratës.

 Zonja Pack ka thënë se ajo i kupton shumë mirë sfidat me të cilat ballafaqohet ende Kosova.

“Për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, ka thënë zonja Pack.

 Ajo ka shprehur kënaqësinë  që ka pasur rastin të ndihmojë popullin e Kosovës, me të cilin, siç ka thënë ajo, e lidh një miqësi e hershme.

Presidentja Osmani ka shprehur kënaqësinë që ajo pati nderin t’ia dorëzojë zonjës Pack dekoratën që i ishte akorduar nga Presidenti Rugova.

“Znj. Pack është ndër politikanët e parë europianë që e kuptoi thirrjen tonë për liri dhe ndër të parët që i bëri jehonë kësaj thirrjeje në Parlamentin Europian.

Që atëherë ajo nuk reshti së punuari për çështjen e Kosovës.

Sot ajo e ripohoi kënaqësinë që ka mundur t’i shërbejë popullit të Kosovës, me të cilin, sikur tha ajo, e lidhin miqësi të hershme”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

(r.m.)

Comment

*