Presidentja Osmani kërkon që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 4 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Zonja Osmani, në një postim në Twitter, ka thënë se në vitet në vijim pret forcimin e lidhjeve midis Kosovës e Greqisë. Ajo ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve do të ishte me interes për mbarë rajonin.

“Sot prita ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë @NikosDendias dhe përsërita se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Greqisë do të kontribuonte në zhvillimin e rajonit tonë dhe për paqen e qëndrueshme. Pres që të forcojmë edhe më tej lidhjet dypalëshe në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në një postim në “Twitter”.

Kabineti i Presidentes së Kosovës njoftoi se zonja Osmani ka theksuar se “njohja e Kosovës nga Greqia do t`i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale ndërmjet dy vendeve”.

Në njoftim thuhet se zonja Osmani ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e euro-atlantikë të sigurisë, nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik dhe të bashkëpunimit në fushën e turizmit e të kulturës.

Ndërkaq ministri Dendias e ka deklaruar mbështetjene Greqisë për procesin e integtrimit të Kosovës në strukturat evropiane si edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

(r.m.)