Presidentja Osmani konfirmon se në Kosovë veprojnë struktura paralele serbe

Prishtinë, 14 prill 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar konstatimin e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vazhdimësi të prezencës së strukturave paralele dhe bandave serbe në veri. Ajo ka thënë se në komunat me shumicë serbe ka probleme të sundimit të ligjit.

“Në veri të vendit, për fat të keq, ka probleme të sundimit të ligjit të cilat janë krijuar nga banda ilegale të cilat financohen dhe mbështeten nga Serbia. Pra, problemi kurrë nuk është me qytetarët që janë aty, qytetarët serbë, qytetarët shqiptarë, qytetarët e komunitetit rom, ashkali, egjiptian, turq e boshnjakë. Problemi gjithnjë ka qenë me qytetarët të cilët ilegalisht kanë kryer krime, i kanë frikësuar qytetarët, ua kanë mohuar atyre shpeshherë edhe të drejtën e lirë të votimit”, ka thënë Osmani.

Në raportin e publikuar dy ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se Qeveria e Serbisë vazhdon të operojë me struktura të paligjshme edhe në zonat e banuara prej komuniteteve të tjera.

“Qeveria serbe vazhdoi të operojë me struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe kosovare-gorane në funksion të përfaqësuesve të tyre politikë”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në raport përfshihen edhe presionet dhe frikësimet e komuniteteve pakicë në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, në mbështetje të Listës Serbe, e cila është instrument i Beogradit në Kosovë.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike vunë re presione dhe frikësime brenda komuniteteve të pakicave etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara krah Listës Srpska, një parti e lidhur ngushtë me Qeverinë serbe. Disa serbë të Kosovës gjithashtu raportuan se u është bërë presion që të mos mbështesin parti të tjera përveç Listës Srpska”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në nëntor të vitit 2013 palët ishin marrë vesh që trupat e përkohshëm të zëvendësohen me organe të reja komunale. Por, Serbia nuk i ka shuar, por vetëm i ka ripërtërirë ato. Madje, ka zyrtarë të cilët punojnë njëkohësisht për institucionet e Serbisë dhe për ato të Kosovës.

Përjashtim nuk bëjnë as administratat ilegale serbe të cilat operojnë sipas ligjeve të Serbisë në komunat e populluara me shumicë serbe. Nëpunësit serbë që shërbejnë në administratën ilegale të Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës. Edhe institucionet e arsimit e të shëndetësisë drejtohen nga njerëz të emëruar nga Serbia.

Sipas të dhënave të mëhershme të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në Kosovë janë plot 29 organe të përkohshme me më shumë se 5 mijë punëtorë.

(r.m.)