Presidentja Osmani pritet në audiencë nga Papa Françesku në Vatikan

Vatikan, 23 janar 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit të hënën në audiencë private nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Vatikan.

Presidentja Osmani, si njofton kabineti i saj, e ka falënderuar Papa Françeskun për kujdesin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë dhe të vetë Ati i Shenjtë për Kosovën.

“Kam ardhur këtu për t’jua shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kujdesin që keni treguar ndaj vendit tim, duke i ndenjur afër vazhdimisht”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Selia e Shenjtë ia ka njohur popullit të Kosovës vlerat qytetëruese e humane, të cilat janë mishëruar edhe në personalitetin e Nënës Terezë.

“Raportet tona janë shumë të hershme dhe tepër të fuqishme, ngase burojnë nga përkushtimi për paqen, tolerancën dhe harmoninë mes njerëzve. Ato na kanë bashkuar tradicionalisht”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se qëndrimi i Selisë së Shenjtë dhe i Papa Gjon Palit të Dytë ishte frymëzim për popullin e Kosovës në vitet ’90, kur udhëhiqej nga Presidenti Ibrahim Rugova.

“Në vitet ’90, kur popullit po i kanosej ekzistenca, Kosova e udhëhequr nga Presidenti Rugova frymëzimin e gjente edhe në qëndrimin e Papës Gjon Palit të Dytë, dhe në përpjekjet e Vatikanit për t’i ruajtur e promovuar vlerat qytetëruese dhe lirinë e popujve”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani e ka njoftuar Papa Françeskun edhe për aspiratën e popullit të saj për ruajten e vlerave të këtij qytetërimi dhe për integrim në strukturat euro-atlantike. Ajo ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Vatikani do të kontribuojë në integrimin e mëtejmë të saj në qytetërimin perëndimor.

“Populli i Kosovës është ringritur mbi hirin e kësaj sakrifice të shumë brezave dhe përpjekjeve të tyre për liri. Tani Kosova po e ndërton sigurt të ardhmen e saj brenda familjes së gjerë të popujve të lirë. Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani e ka falënderuar Papa Françeskun për vendimin e tij të vitit 2018 për ngritjen e Administratës Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.

“Në pesë vjetorin e vendimit tuaj për avancimin e statusit të Administratës Apostolike në Kosovë, duke e ngritur atë në nivel të dioqezës, jam shumë e lumtur që mund t’ju falënderoj personalisht për kujdesin dhe t’ju siguroj se vlerat tona të përbashkëta, mbi të cilat janë krijuar historikisht raportet tona, do të vazhdojnë të mbeten themel i fuqishëm i lidhjes sonë, të cilën ne synojmë ta thellojmë më tej”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani e ka njoftuar Papën edhe për progresin në Kosovë, si edhe për mënyrën e funksionimit të bashkësive fetare në Kosovë. Ajo ka shprehur vendosmërinë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe promovojë më tej liritë fetare.

Presidentja Osmani do të pritet edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin.

May be an image of 3 people, people standing and indoorMay be an image of 2 people, people standing and indoorMay be an image of 2 people, people sitting and indoor

May be an image of 3 people, people standing and indoor

May be an image of 6 people, people standing and indoor(r.m.)