Presidentja Osmani takoi kongresistët e grupit për çështje shqiptare

Uashington, 29 prill 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot (e premte) në takime nga bashkudhëheqësit e grupit për çështje shqiptare, kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, si dhe nga anëtari i grupit, kongresisti Robert Aderholt.

Kabineti i saj njofton se Presidentja Osmani i ka falënderuar dy bashkudhëheqësit e Grupit për çështje shqiptare në Kongres, Himes dhe Torres, për angazhimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të Kosovës. Ajo ka shprehur vlerësimin për të gjitha nismat e ndërmarra në Kongres dhe në raport me administratën amerikane nga kongresistët në mbështetje të Kosovës, përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Kongresistët Himes dhe Torres janë zotuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin e afërt me anëtarë të tjerë të Kongresit për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale të Kosovës me SHBA-të.

“Falënderova kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Himes, të dy bashkudhëheqës të Grupit për çështje shqiptare në Kongres, për angazhimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të Kosovës.

Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për të gjitha iniciativat që kanë për qëllim mbështetjen e shtetit tonë, përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin e afërt me kongresistët Torres e Himes, si dhe anëtarë të tjerë të Kongresit drejt avancimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani pas takimit.

Ndërkaq, në takim me kongresistin Robert Aderholt, Presidentja Osmani është fokusuar në situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Ajo ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Robert-Aderholt_Vjosa-Osmani.png

Presidentja Osmani dhe kongresisti Aderholt kanë diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes, të ekonomisë dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

(r.m.)