Prigozhin paralajmëroi tërheqjen e forcave të Wagnerit nga Bahmuti

Moskë, 5 maj 2023 – Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paraushtarak rus ‘Wagner’, në një njoftim të papritur, të premten, tha se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.

Prigozhin tha se ata do të largohen më 10 maj, për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme të municioneve.

“Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t’ia bartim pozicionet tona në vendbanimin Bakhmut njësive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës”, tha Prigozhin, në një deklaratë.

“Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bahmuti sepse në mungesë të municioneve ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë”, shtoi ai.

Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bahmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.

Nuk ishte e qartë nëse deklarata e Prigozhin mund të merret seriozisht, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën.

Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”.

(REL)