Princ Leka II vizitoi Kishën e Zojës Pajtore

Nga Valentin Lumaj, Michigan

Ditën e shtunë me 18 Mars 2023, Kisha e Zojës Pajtore kaloi një ditë të vaçantë. Kishën e vizitoi Prince Leka II Zogu, Princi i Kurorës i Familjes Mbretëtore shqiptare. Princ leka II kishte ardhur në Michigan me ftesë të Teqes Bektashiane dhe direkt të Baba Elidon Pashaj, për të marre pjesë në festën e Sulltan Nevruzit, festës së preludit pranveror bektashian. Me të njëjtin rast, ai bëri një tur të gjerë takimesh me institucionet fetare dhe qendrat shqiptare në Michigan.

Ardhja e Princ Lekës II në Kishën e Zojës Pajtore, ishte lajmëruar disa ditë më parë. Këshilli i Kishës, nën udhëzimet e Dom Ndue Gjergjit, si gjithmonë në raste të tilla u organizua në maksimum për të bërë një pritje dinitoze Princ Lekës II. Me kohë ishte postuar një lajmërim në faqen Zyrtare Facebook të Kishës Zoja Pajtore.

Pritja zyrtare u bë në ambientet e Qendrës Kulturore Nënë Tereza. Princ Leka II me eskortën e tij, mbërriti në dyert e kësaj Qendrë në orën 11, sikurse ishte premtuar. Ai shoqërohej nga përfaqësuesi i Teqesë Bektashiane, z. Vilson Dylmyshi. Princ Leka II, sapo zbret nga makina pritet nga Kryetari i Këshillit të Kishës, z. Rrok Dedivavaj dhe nje grup i këtij këshilli. Në dyert e Qendrë Kulturore, nën kujdesin e z. Valentin Lumaj, një grumbull vajzash me veshje kombëtare shqiptare të klasës së valles, i dhurojnë tufa me lule Princ Lekës II. Njëra nga vajzat, me një tabake në dorë i orfoi princit, bukë dhe kripë, si shprehja ma e bukur e mikpritjes shqiptare. Princ Leka II thyen bukën, e ngjyen në kripë dhe thote: “shume e mirë qenka, falemiderit”!

Më pas Princ Leka II pritet dhe shtrëngon duart me Famullitarin Dom Ndue Gjergji, i cili pasi i uron mirëseardhjen, i prezanton me radhë anëtarët e këshillit dhe miqtë e Kishës të cilët ishin vënë në një rresht të gjatë. Princ Leka gëzohet që takohet përsëri dhe ndalet në një bisedë të shkurtër me këngëtaren lirike të mirënjohur Ermelinda Paparisto, e cila per dy dekada drejton korin e Kishës Zoja Pajtore.

Më pas pritja bëhet në sallën e Librarisë “Dom Ndue Gjergji”. Takimi u moderua nga shkrimtari Zef Përgega, i cili kishte pregatitur një ekspozitë me fotografi kujtimesh nga Familja Mbretërore.

Dom Ndou, mbasi bëri bekimet e rastit, përshëndeti Princ Lekën II dhe të pranishmit. Në fjalën e tij ai tha se ishte një ditë dhe nje nder i vaçantë që Kisha e Zojës Pajtore vizitohet nga trashëgimtari i familjes Mbretërore, Princ Leka II. Dom Ndou u ndal tek vizita e presidentit të Shqipërisë të ndjerit Bujar Nishani, me të cilin rast Kisha e Zojës Pajtore kishte marrë titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Moderatori Zef Përgega bëri një përmbledhje të gjatë të historisë së Familjes Mbretërore, si dhe rolin shumë të rëndësishëm që Mbreti i Shqiptarëve Zogu i kishte pasur në forcimin e themeleve te shtetit shqiptar, me të gjitha tiparet e një shteti modern evropian.

Në fjalën e tij Princ Leka II, theksoi se ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e Diasporës, se ai vetë kishte jatuar jashtë atdheut, me shpresën per t’u kthyer një ditë për të mësuar dhe trashëguar gjuhen, kulturën dhe traditat shqiptare. Ai kërkoi nga të pranishmit që të mos e harrojnë vendlindjen e tyre Shqipërinë dhe Kosovën, për ti ndijmuar, këshilluar dhe mbështetur. Princ Leka II tha se ai vetë ishte musliman nga besimi, por që nuk e kishte harruar amanetin e babait dhe gjyshit për ta dashur dhe respektuar fenë e krishterë. Ai tha se bashkëshortja e tij kishte besim ortodoks ndërsa vajza e tyre ishte pagëzuar katolike. Ky diversitet i besimit në Familjen Mbretërore është personifikimi më i mirë i bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe Kosovë.

Princ Leka II kishte sjellë nga Shqipëria një dhuratë domethënëse për Kishën, një pjatë ornamentale me stemën e Mbretërisë Shqiptare, të cilën ja dorëzoi dom Ndue Gjergjit.

Anëtari veteran i Këshillit te Kishës Dr. Gjeka Gjelaj mori fjalën përshëndetëse dhe tha se kjo ishte nje ditë me rëndësi historike për Kishën dhe brezat e rinj të Famullisë së Zojës Pajtore të Shqiptarëve, që do të përmendet gjatë në analet historike.

I pranishëm, në emër të Shoqatës Kastrati dhe si përfaqësues i të perndjekurve politikë, ishte edhe z. Gjon Kaçaj, i cili në fjalën e tij sodhi në kujtesë ditët e vështira të Familjës Mbretërore në kohën e komunizmit dhe në vitet e para të demokracisë, kujtime të cilat prekën dukshëm Princ Lekën II. Ai e këshilloi Princin për riaktivizimin e Lëvizjes së Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar në Shqipëri.

Në takim merrte pjesë nga Malësia e Tuzit, kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, z. Vilson Sinishtaj. Në pritjen e organizuar asistuan dhe morën pjese gjithashtu anëtarë të Keshillit të Kishës dhe aktivistë të Komunitetit si, Motra murgeshë Vitore Rushaj, Vuksan Junçaj, Fran Ivezaj, Pjerin Prekaj, Ndrec Merditaj, Marjan Gjetaj, Ylli Gilaj, Luigj Nilaj, Ednik Tomaj, Nikoll Pepaj, Arsid Cekaj etj.

Më pas Princ Leka, vizitoi klasat dhe ambientet e reja të Qendrës Kulturore Nënë Tereza dhe bëri fotografi me të gjithë të pranishmit. Princ Leka II, nën shoqërimin e Dom Ndue Gjergjit, bëri nderime para shtatores të së lumes shenjta Nëna Terezë.

Më pas Princ Leka vizitoi ambientet e brendshme të Kishës Zoja Pajtore dhe shprehi kënaqësinë që besimtarët katolikë shqiptarë në Michigan, falë kontributeve të tyre kanë siguruar ambiente kaq të mira në shërbim të besimit të tyre. Princ Leka II, në altarin e Kishës, ndezi një qiri dhe tha lutje. Mbasi u mor një fotografi me të pranishmit në ambientet e Kishës, Princ Leka e përfundoi vizitën e tij në Kishën e Zojës Pajtore. Para ndarjes, Princ Leka II shtrëngoi duart me Dom Noun dhe te gjithë me përshtypjet më të mira dhe premtimin se do të vizitojë përsëri Kishën e Zojës Pajtore.