PRINCI HARRY DHE VLERA E HESHTJES

Nga Patti Davis
(Autore librash dhe vajza e Presidentit Ronald Reagan)

Gjatë fazave të hershme të Alcajmerit të babait tim, kur ai kishte ende momente të kthjellta, i kërkova falje për një autobiografi që kisha shkruar shumë vite më parë, në të cilën kisha nxjerrë “të palarat” e jetës sonë të trazuar familjare. Ai tashmë nuk fliste dot shumë në atë kohë, por sytë e tij më thanë se e kuptonte.

Mendova për atë moment, kur lexova se Princi Harry, në memuarin e tij, kishte shkruar që babai i tij, Mbreti Charles, duke u futur mes bijve të tij që po grindeshin u kishte thënë: “Ju lutem, djema, mos m’i nxini vitet e fundit të jetës”.

Koha është një gjë e paparashikueshme. Cili do të jetë kujtimi i fundit i dikujt? Fati më dha dhuratën e kohës me babain tim, gjë që më lejoi të kërkoja falje, edhe pse një sëmundje rrinte pezull mes nesh dhe mjegullonte komunikimin tonë. Fjalët e Mbretit Çarls nxjerrin në pah një njeri që është i vetëdijshëm se jeta mbaron dhe që do të donte që edhe pasardhësit e tij të ishin të vetëdijshëm për këtë.

Arsyetimi im për të shkruar librin që tani do të doja të mos e kisha shkruar (dhe ju lutem, mos e blini; kam shkruar shumë libra të tjerë që atëherë) ishte shumë i ngjashëm me atë që më duket se është edhe arsyetimi i Harrit. Doja të thoja të vërtetën, doja t’i bëja të qarta gjërat. Në mënyrë naive, mendoja se nëse do të zbuloja ndjenjat e mia dhe të vërtetën time që ta lexonte bota, edhe familja ime mund të më kuptonte më mirë.

Sigurisht, njerëzit në përgjithësi nuk reagojnë mirë ndaj të qenit në siklet dhe ekspozimit në publik. Dhe në vitet që pasuan, kam mësuar diçka për të Vërtetën: ajo është shumë më e ndërlikuar se sa duket kur jemi të rinj. Nuk ka vetëm një të vërtetë, e vërteta jonë – njerëzit e tjerë protagonistë në historinë tonë kanë gjithashtu të vërtetat e tyre.

Princi William ka, jam e sigurtë, pikëpamjen e tij për përleshjen që ka përshkruar Harry. Për të kuptuar realisht dinamikën mes vëllezërve, për ta zgjeruar historinë dhe për ta bërë atë më të plotë, e vërteta e Williamit duhet të merret gjithashtu parasysh. Harry ka shkruar se, pasi Williami e goditi, i tha që ta godiste edhe ai. Por Harry thotë se nuk pranoi ta bënte. Mirëpo, duke e treguar ngjarjen në libër, e ka goditur edhe ai vëllain.

Harry gjithashtu ka shprehur dëshirën që marrëdhënia e tij me Williamin dhe babain e tyre të ripërtërihet. Ndoshta realizohet, por tani hendeku mes tyre është bërë shumë më i madh.

Vite më parë, dikush më pyeti se çfarë këshille do t’i jepja vetes sime më të re nëse do të kisha mundësi. Pa hezituar u përgjigja: “Kjo është e lehtë. Do t’i kisha thënë, ‘Hesht’”. Jo përgjithmonë. Por deri sa të mund të arrija në atë pike të jetës kur gjërat shihen e kuptohen më mirë. Deri sa ta kuptoja që fjalët kanë pasoja dhe lënë plagë që nuk mbyllen lehtë.

Harry e ka përshkruar Williamin jo vetëm si “vëllanë e tij të dashur”, por edhe si “armikun e tij të vjetër”. Ai ka zgjodhur fjalë që presin thellë, që lënë plagë; ndoshta nëse do të kishte duruar në heshtje, për të reflektuar mbi fuqinë e pasojave të fjalëve të tij, do të kishte bërë një zgjedhje tjetër.

Heshtja të jep hapësirë, të jep distancë dhe të lejon të shikosh përvojat e tua në mënyrë më të plotë, pa tundimin për të marë hak. Mund të vijë një ditë, pas shumë vitesh, kur Harry do të shikojë pas ashtu si unë dhe të dëshironte që të mos i kishte thënë ato që ka thënë.

Kam mësuar diçka tjetër për të vërtetën: Jo çdo e vërtetë duhet t’i thuhet gjithë botës. Njerëzit do të jenë gjithmonë kuriozë për familjet e njerëzve të famshëm dhe shpesh historitë këtyre familjeve mund të rezonojnë me të tjerët, mund t’u shërbejnë për të kuptuar edhe ata më mirë situatat e tyre, madje edhe që të vlejnë për të gjitha kohërat sepse fama rri pezull në skajet e përjetësisë.

Por jo gjithçka duhet të ndahet me të tjerët, një e vërtetë që ta mëson heshtja. Harry duket se ka vepruar me moton: “Heshtja është e papranueshme”. Me gjithë respektin, do ta këshilloja që është pranueshme.

(@Ruben Avxhiu – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet ribotimi pa leje i materialit në shqip)