Prishtina më europiane se katakombet parapolitike të Shkupit

Emin Azemi

Emin Azemi

Pse Kosova arriti të bëjë marrëveshje me Beogradin dhe pse këtë nuk mund ta bëjë Maqedonia me Greqinë? Të gjithë ata që kërkojnë përgjigje nga kjo pyetje, mundohen të sjellin në vëmendjen e opinionit publik të përbashkëtën dhe diferencën e realiteteve. Në Maqedoni, sidomos qarqet e afërta me qeverinë dhe qendrat e formimit të mendimit proqeveritar, janë të prirur të shohin, megjithatë, më shumë diferenca, se sa ndonjë ngjashmëri në raport me mënyrën e tejkalimit të ngërçit në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ngjashmëria shikohet vetëm tek shantazhi që u bën, gjoja, Brukseli shteteve për të pranuar medoemos marrëveshjet, si kusht për t’u anëtarësuar në BE.
DIFERENCA E PARË: Kosova nuk e konteston identitetin serb në pjesët e saj, por konteston sovranitetin e Beogradit mbi veriun e saj. Kontesti maqedono-grek është i karakterit identitar. Kjo është diferenca e parë, sipas kësaj lagjeje mendimtarësh proqeveritarë, që i bën të pakrahasueshëm kontestet në Kosovë dhe në Maqedoni.
DIFERENCA E DYTË: Serbia e humbi të drejtën e administrimit të Kosovës në vitin 1999 pas nënshkrimit të kapitullimit në Kumanovë, si pasojë e fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet luftënxitëse të makinës ushtarake e policore të Millosheviqit. Në anën tjetër, Maqedonia në vitin 1993 vullnetarisht ka hequr dorë nga emërtimi kushtetues dhe ka pranuar referencën “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, si kusht për t’u anëtarësuar në OKB dhe ka qenë e obliguar të intervenojë në kushtetutën e saj që garantonte mohimin e çfarëdolloj pretendimi territorial të Shkupit ndaj ‘Maqedonisë antike’.
DIFERENCA E TRETË: Kosova është shpallur protektorat ndërkombëtar nga shtetet që morën pjesë në çlirimin e saj dhe fuqia e saj vendimmarrëse në raport me Serbinë ishte e hendikepuar në suaza të politikave limituese të UNMIKU-ut dhe EULEX-it, sidomos në aspektin e shtrirjes së juridiksionit të saj politik, administrativ, policor në pjesët e veriut të Mitrovicës. Maqedonia, në anën tjetër, kishte të drejtë autonome, pas pavarësimit në v. 1992, të miratojë vendime që ishin në harmoni me interesat e saj kombëtare dhe pa qenë e obliguar për këtë të merr pëlqimin e ndonjë organizmi ndërkombëtar.
DIFERENCA E KATËRT: Rrugët e pavarësimit dhe parahistoria e kësaj rruge janë të ndryshme në rastin e Kosovës dhe Maqedonisë. Kosova u pavarësua pas një procesi të gjatë të luftës pasive dhe aktive, qëkurse ajo ishte pjesë e ish- federatës Jugosllave, për të kulmuar me luftën e UÇK-së, e cila multiplikoi përkrahjen ndërkombëtare – diplomatike e ushtarake, që solli edhe pavarësimin e saj të plotë më 17 shkurt 2008.
Maqedonia, pavarësimin e saj e bëri në rrugë paqësore, duke u shkëputur nga ish-federata Jugosllave dhe duke transferuar disa kompetenca të vendimmarrjes politike e ushtarake nga Beogradi në Shkup, që u rrumbullakuan në vitin 1992, kur ajo shpalli pavarësinë e plotë dhe trasoi rrugën për t’u anëtarësuar në v. 1993 në OKB.
Të gjitha këto diferenca burojnë nga realitetet dhe kontekstet e ndryshme historike, politike e gjeografike, mirëpo në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk mund të nxirret një përfundim logjik për të paraqitur natyrën e problemit të Kosovës, gjoja, më të lehtë dhe më të menaxhueshëm, se sa kontesti që ka Maqedonia me Greqinë rreth emrit.
DIFERENCAT TJERA, MEGJITHATË, MË TË QENËSISHME: Në radhë të parë, shqiptarët e Kosovës historikisht kanë patur më shumë të drejtë se sa maqedonasit në raport me mbrojtjen e kauzës identitare nga kërcënimet e jashtme, por në anën tjetër, maqedonasit shumë më lehtësisht se sa shqiptarët e Kosovës fituan pavarësinë dhe kostoja e këtij angazhimi nuk kushtoi as edhe një jetë njeriu. Maqedonia dhe maqedonasit, sa ishin nën ombrellën e Titos, i gëzonin të gjitha të drejtat e një populli me autonomi të plotë kulturore, politike, administrative, gjuhësore, ekonomike etj. për dallim nga Kosova, e cila, megjithatë, në faza dhe kontekste të caktuara kishte ndrydhje, shantazhe, diversione dhe ndërhyrje brutale të Beogradit në elementet që formësonin deri diku autonominë e saj.
Por, ajo që i bën të ndryshme dhe krejtësisht të pakrahasueshme kauzat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe maqedonasve, në kohën kur ishin në kuadër të RSFJ, dallohej pikërisht në sensin e refuzimit apo mosrefuzimit të diverzioneve identitare që vinin nga jashtë. Me sa e dimë, Maqedonia në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk kishte zhvilluar fushatë antigreke, siç e bën tani, në kohën kur ishte në kuadër të RSFJ-së dhe në shumë raste dhe në shumë rrethana nomenklatura e saj politike, për nga mendësia dhe metodologjia e veprimit, nuk dallohej fare nga ajo e Beogradit në raport me Kosovën dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Në Ferizaj dhe qytetet tjera të Kosovës, gjatë kohës së masave të jashtëzakonshme që shpallte Beogradi në Kosovë, në kuadër të aradheve të bashkuara policore jugosllave, më të zellshmit në ushtrimin e dhunës ndaj të rinjve dhe të rejave të Kosovës, ishin pikërisht policët maqedonas. Në Shkup dhe qytetet kryesore të Maqedonisë asnjëherë nuk është bërë ndonjë demonstratë masovike kundër Beogradit apo Athinës, në kohën kur Maqedonia ishte pjesë e ish-federatës jugosllave.
Në kohën kur Maqedonia i gëzonte të gjitha frytet e “luftës së përbashkët socialiste”, atëherë edhe kur vuri themelet e shtetësisë, por edhe të atributeve identitare siç janë alfabeti, gramatika etj. pikërisht, pra, në këtë kohë ajo shërbente, njëkohësisht, edhe si “podrum torturues”’ i Beogradit kundër shqiptarëve. Maqedonia një kohë të gjatë ishte poligon ‘gjuajtës’ i politikave represive të Beogradit kundër shqiptarëve dhe janë të njohur emrat dhe mbiemrat e funksionarëve maqedonas të cilët kanë qenë bashkautor dhe bashkë-ideator të këtyre politikave.
Pikërisht pra kur Shkupi nuk ndiente kurrfarë kanosjeje nga Beogradi dhe Athina sa i përket identitetit etnik maqedonas, Kosova rrezikonte të qenit e saj pjesë integrale e proceseve emancipuese, ekonomike e politike të dekadave sa zgjati “lulëzimi i socializmit jugosllav”, edhe përkundër faktit se bagazhi i saj kulturor e historik kishte vijimësi shekullore dhe shumë më i begatshëm se sa ai i maqedonasve.
Nëse Maqedonia vullnetarisht ka hequr dorë nga emri i saj kushtetues, nëse klasa e saj politike ka pranuar të anëtarësojë shtetin me referencën “IRJM” dhe nëse rruga e pavarësimit të saj ka kaluar nëpër procese të qeta politike, atëherë si qenka e mundur që tani ajo ta ketë më vështirë se Kosova të zgjidh kontestin me fqinjin e saj jugor. Përkundrazi, kjo e fundit ka zhgënjyer edhe pesimistët më të mëdhenj dhe ka qenë pikërisht rruga e vështirë e Kosovës në arritjen e asaj për të cilën ajo kishte luftuar me shekuj – lirinë dhe pavarësinë, si element që kishte ngarkuar raportet Prishtinë – Beograd.
Ajo që nuk thuhet zëshëm në Shkup e që mbahet për vete, është dallimi në qasje ndaj zgjidhjes së problemeve aktuale në Maqedoni dhe në Kosovë. Përderisa elita udhëheqëse politike në Shkup po bën marketing me qëndrimin e saj rigid kundrejt zgjidhjes racionale të kontestit që e ka me Greqinë, në Kosovë, elita politike, në njërën anë, rrezikon të keqkuptohet në opinionin e saj të brendshëm për qëndrimet e saja racionale që ka ndaj zgjidhjes së problemit të Veriut, por në anën tjetër, i siguron Kosovës një ambient më të relaksuar në raport me fqinjët, si parakusht për të plotësuar disa nga rekomandimet e Kopenhagës, e që janë kritere paraaderuese të Brukselit për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Prishtina zyrtare është treguar më e përgjegjshme ndaj problemit që ka para vetes dhe nuk i ka lejuar Beogradit të bëjë propagandë të keqe në botë për gjoja jonkonstruktivitet të klasës politike në Prishtinë. Duke ia djegur këtë kartë Beogradit, Prishtina ka treguar sens të lartë kooperativiteti me Brukselin dhe Uashingtonin, ndërkohë që Shkupi zyrtar po i lejon Athinës të demonstroj kontruktivitet në planin ndërkombëtar dhe të arrij t’i bëjë për vete edhe disa ish-aleat të Maqedonisë, siç është Bullgaria, e cila kohët e fundit haptazi po dëshmohet si bllokuese e procesit eurointegrues të Maqedonisë.
Modeli që zgjodhi Prishtina për të tejkaluar problemet me Beogradin, është europian dhe i menaxhueshëm nga një elitë me vizion të qartë për të ardhmen, ndërkohë që modeli i Shkupit më tepër i ngjan katakombeve parakristiane, në të cilat politikanët e papërgjegjshëm po mundohen të fshehin refuzimin që kanë ndaj Europës. Por, përvoja mijëvjeçare ka treguar se sa më thellë të shkohet në katakombe, aq më të mëdha janë shanset për asfiksim dhe moskthim në pozicionin e nisjes.