Prishtinë: Dreka në xhami që bashkoi të gjitha fetë

Festa e Kurban Bajramit është festë që duhet të kremtohet me të gjithë njerëzit, pa dallim, tha të martën imami Labinot Maliqi, i cili priti në xhaminë e tij ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe besimeve të ndryshme.

Imami Maliqi, që udhëheq xhaminë “Bedri Kamberi” në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, tha se shpreson që ky të mos jetë takimi i fundit i këtij formati.

Sipas tij, festa e Kurban Bajramit nënkupton afrimin me Zotin.

“Vetë shprehja kurban nënkupton që të sakrifikosh diçka, në mënyrë që të afrohesh me Zotin. Festa e Kurban Bajramit festohet që shumë shekuj në trojet tona. Është një festë që besimtari nuk e kremton vetëm me myslimanët, por është një festë që në gëzimin tonë dëshirojmë të ftojmë edhe njerëz të besimeve të tjera”, tha Maliqi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Phlilip Kosnett, tha se prania e besimeve të ndryshme në këtë drekë të shtruar nga imami Maliqi, është një mesazh i qartë për tolerancën fetare në Kosovë.

“Nuk jam këtu të mbaj fjalim dhe të flas për çështje ndërkombëtare, jam këtu me ftesën e imamit Maliqi. Është nder i madh për mua që në këtë ditë feste të jem këtu i rrethuar nga vëllezërit dhe motrat, nga besimtarët. Ta falënderojmë Zotin dhe rikujtojmë të gjitha gjërat që na bashkojnë”, tha Kosnett.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Kishës Katolike në Kosovë dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse.

“Siç është fjala popullore ‘kur gëzimi ndahet, rritet’ ne dëshirojmë që këtë gëzim të festës ta ndajmë me të gjithë besimtarët e komunitetit e fesë islame që sot festojnë Kurban Bajramin”, tha Don Mikel Sopi, nga Kisha Katolike e Kosovës.

Përveç prijësve fetarë, të pranishëm ishin përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe Avokati i Popullit, Naim Çelaj.

Ky është Bajrami i katërt që shënohet në kushte pandemie.

Qindra besimtarë e falën sot festën brenda dhe jashtë Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Një ditë më herët, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë masat kundër koronavirusit.

Bajrami u fal edhe në xhami të tjera të Kosovës.