PRITJA

 

Nga Muç Xhepa

 Hotel “Tirana”. Pritëm të ndërroheshin autobusët. Turistët holandezë përshëndeteshin me shoferin shqiptar. Bermema i kishte shëtitur nëpër Shqipëri dhe pas çdo ngjitjeje, apo tëposhteje, rruge të ngushtë e kthese të frikshme, të huajt e nderonin, mjeshtrin e timonit, me brohoritje të gjata. Dukej sikur çliroheshin nga një ankth që u kishte hyrë në palcë. Pra, po ndaheshin me heroin. Guida holandez i futi një zarf në xhep, ashtu edhe mua. Fshehurazi. Nuk lejoheshin dhurata nga të huajt. As edhe po t’u buronte nga zemra.

– Andrea, shoqëroj deri në kufi! Merr pezhonë atje dhe nisu për të pritur grupin anglez te Hani i Hotit,- tha përgjegjësja e Albturizmit dhe priti t’i jap diçka nga zarfi. Në fakt, “këmbimin në natyrë” e dinin të gjithë shoqëruesit. Na siguronte grupin e radhës.

Gusht. Mbrëmje. Mbështetur te parvazi i dritares pres Nandën. Do të jemi vetëm. Hera e parë. Minutat më duken orë. Liqeni i Lasgushit është ndryshe sonte. Magjik. Në shekuj njerëzia kanë ardhur këtu të shijojnë bukurinë, qetësinë, virgjërinë e natyrës. I rrethuar nga male, që një pjesë të vitit mbulohen me dëbore, ai ruan klimë mesdhetare. Dashuri. Flladi i freskët me aromë liqeni më mbush mushkëritë e më sjell gjendje dehëse. Largon frikën. Një e kërcitur. Dera hapet. Është veshur e bardhë. Fustan nate. I tejdukshëm. Perëndi, çfarë ke krijuar?

Lemë pas Përrenjasin. Ngjisim Qafën e Thanës. Planin e arratisjes e ka studiuar në detaj guida holandez. Jemi miq. Ka ardhur disa herë në Shqipëri.

– Andrea do fshihesh në banjë.

Zemra kërkon të shpërthejë krahërorin. Rendë, kalojë telat me gjemba. Nanda, pritmë!

– Ruaje qetësinë Andrea. Pak vetë kanë njohuri për ikjen tënde.

Autobusi ndalon te çezmat. Zbresin të freskohen. Të tërë. S’më pritet. Përse më vononi?

– Futu brenda. Kur të ngjiten për kontroll, një mikesha ime, e besuar, do kërkojë të futet në banjë.

Autobusi niset ngadalë. Një kthesë, ja edhe një tjetër. Sa të tilla janë deri në majë. Me qindra herë e kam bërë këtë rrugë. Nuk i kam numëruar. Eh, ku ta dija! Po më duket pa fund. Cili do të jetë fundi? Burgu… Nanda? Perëndi vër dorë!

– Edhe po nuk erdhe, të kam këtu brenda. Në zemër. Në buzë…

– Do të vij.

– Shiko liqenin! Ja në anën tjetër do të të pres.

Pyes veten, a është liqeni ëndërror?

I padukshëm si ajri?

– Nanda, poete!

– Jo, janë vargjet e Longfellout.

Autobusi ndaloi. Po hipin të kontrollojnë. Janë dy ushtarakë.

– Zoti komandant këtu këni pasaportat. E para është e Maries. I duhet të shkojë në banjë.

– Tani e gjeti të shkojë?

– Ka probleme me ushqimin.

– Lëre, lëre se mos na e bën në…

Autobusi shkundet. Të qeshura. Vazhdojnë edhe përtej telave me gjemba. I kam ende në veshë. Në anën tjetër s’më priti njeri.