Problemin e kanë brenda vetes

Nga Ruben Avxhiu

Nga pikëpamja humane mbase mund të mos ishte dita sot për t’ia kujtuar Serbisë të kaluarën e saj kriminale, në ditën kur një adoleshent serb vrau nëntë vetë në shkollën e tij, në mes të Beogradit, shumica prej tyre bashkëmoshatarë të klasës së tij.
Mirëpo, në një prononcim për median, ministri i Brendshëm i Serbisë duket se ka fajësuar “vlerat” që vijnë nga “Perëndimi” si arsye për këtë akt të tmerrshëm dhune. E vetmja mënyrë që mund ta interpretoj këtë reagim është se e ka fjalën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vrasjet në shkolla janë një nga plagët e rënda ekzistuese të shoqërisë.
Në fakt, miliona amerikanë e përmendin vazhdimisht këtë problem të madh social. Tema i ka ndarë politikisht në mënyrë shumë të thellë. Shumica e demokratëve besojnë se vetëm shtrëngimi i ligjeve që rregullojnë blerjen e armëve mund ta zgjidhë problemin. Shumica e republikanëve beson se armatimi i rojeve të shkollave dhe trajtimi i problemeve mendore janë zgjidhjet. Zgjidhjet e vetme të mundshme janë ato që vijnë me kompromise, por klima e sotme politike nuk lë shumë vend për kompromise e zgjuarsi.
Një gjë është e sigurt nga ana tjetër, amerikanët, ndryshe nga serbët, nuk përpiqen ta gjejnë fajin diku tjetër.
Politikanët dhe shoqëria serbe nuk kanë pse hedh sytë nga Perëndimi e aq më tepër përtej Oqeanit për të gjetur faktorët që çojnë në dhunë ekstreme si kjo që ndodhi sot. Kjo është një shoqëri e cila ende mban në piedestal kryekriminelët e luftërave të dy-tre dekadave më parë. Kjo është një shoqëri ku njerëzit betohen në mënyrë të hapur se si do të hakmerren një ditë kundër shqiptarëve, ku krimet kundër njerëzimit që bëhen publike konsiderohen si hakmarrje legjitime për gjoja krime të ngjashme që janë bërë më parë kundër serbëve.
Të them të drejtën, historia serbe është e mbushur me makabritete. Nuk ka popuj ëngjëjsh e djajsh, mirëpo historia serbe më shokon edhe atëhere kur mendoj se i kam mësuar të gjitha. Kur e rrëzojnë një mbret nga froni në fillim të shekullit të 19, gruas së tij, mbretëreshës ia presin gjinjtë me thika!!! Po pse vallë? Në një numër incidentesh, fitorja në luftë shoqërohet me masakrimin e kufomave të armikut. Pse është heroi serb kaq i shkarë nga mendja sa harbon mbi një trup që jo vetëm nuk mbrohet dot, por nuk merr më as frymë?
Sapo ka dalë një shkrim në “The New York Times” që tregon se si grupe gangsterësh të lidhur me klube sportive në Beograd, kanë vrarë njerëz, duke ua prerë trupat copë, copë, pasi i kanë vrarë.
Nuk është as ndonjë gjë që e dëgjoj për herë të parë.
Pak vite më parë, në Spanjë, një grup kriminel serb, vrau një anëtarin e tij sepse plasi sherri mes shokëve. Pasi e vranë shokun e tyre mafioz, kriminelët e bënë copë, e gatuan, dhe e hëngrën. Më falni, por këto janë të shkruara në media, përfshi edhe atë serbe.
Edhe sikur njeriu të vendosë të injorojë krimet e tmerrshme kundër njerëzimit që serbët kryen sidomos në Kosovë dhe Bosnje, është përsëri e qartë se kemi të bëjmë me një shoqëri të sëmurë që trashëgon si normale histori dhune çnjerëzore.
Marrëveshja e fundit, mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Bruksel premton gjetjen dhe kthimin e trupave të të vrarëve që vijojnë të jenë të humbur që nga viti 1999. Arsyeja kryesore pse nuk gjenden është se forcat serbe rrëmbenin e transportonin trupa civilësh të vrarë për t’i dërguar në Serbi. Kam dëgjuar plot histori krimesh lufte nëpër botë, gjatë historisë. Disa shumë më masive, e më makabër se ato në Kosovë, por nuk kam dëgjuar ndonjëherë që një shtet, në mënyrë të organizuar, vjedh mijëra kufoma nga një vend dhe i shpërndan brenda territorit të vet duke i fshehur. Kush udhëton nëpër natë me kamionë plot me kufoma?
Ngjarja e sotme ka tronditur Beogradin e Serbinë. Në fakt, e vetmja çudi duhet të jetë që një dhunë e tillë ndodh kaq rrallë. Nëse Serbia kërkon seriozisht të gjejë arsye e të pengojë përsëritjen e tragjedive të tilla, ajo duhet të shohë brenda vetes. Në librat e saj të historisë, në spërdredhjet makabre të miteve, në listën e shëmtuar të “herojve”, në djajtë që i mban për shenjtorë dhe mungesën e dhembshurisë e empatisë që ushqen ndaj tjetrit. Jemi tepër afër për të qenë indiferentë për këtë.