Procedohet projektligji për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë

Prishtinë, 24 dhjetor 2021 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se kjo ministry e ka proceduar për miratim në qeveri Projektligjin për Themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu, në një postim në Facebook, bëri të ditur se ky projektligj është hartuar nga ekspertët më të mirë të fushës, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ajo shpjegoi se Byroja synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.

Sipassaj, projektligji garanton respektimin e të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me dokumentet ndërkombëtare.

“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”, shkruan ministrja Haxhiu.

Postimi i plotë:

Sot kemi proceduar për në Qeveri njërin nga projektligjet më të rëndësishme, atë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky Projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendor dhe ndërkombëtar), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi.

Falenderoj të gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin që kanë dhënë në hartimin e këtij projektligji!

(r.m.)

Comment

*