Profili i kryeministrit të ri të Izraelit, Naftali Bennett

Jerusalem, 14 qershor 2021 – Naftali Bennett, i cili është betuar të dielën si kryeministër i ri i Izraelit, mishëron shumë prej kundërthënieve që definojnë kombin 73 vjet të vjetër.

Bennett është hebre feta që ka bërë milionat në sektorin e teknologjisë dhe kampion i zgjerimit të vendbanimeve izraelite që jeton në lagjen Raanana të Tel Avivit.  Ai ka qenë aleat i kryeministrit të deritashëm, Benjamin Netanyahut, por bashkëpunoi me partitë e qendrës dhe ato të krahut të majtë gjë që i dha fund udhëheqësisë 12-vjeçare të Netanyahut.

Mbështetësit e Netanyahut e kanë shpallur tradhtar, sepse i ka mashtruar votuesit, por Bennett e mbron vendimin e tij, duke e cilësuar atë si hap pragmatic për bashkimin e shtetit dhe për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Partia ultranacionaliste e Bennet, Yamina, i ka fituar vetëm shtatë ulëse në parlamentin prej 120 vendesh në zgjedhjet e muajit mars, por Bennet ka refuzuar të ofrohet me Netanyahun kështu që është bërë lojtar kryesor në procesin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar.

Natfali Bennett e kundërshton pavarësinë e palestinezëve dhe i mbështet fuqishëm vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor, të cilin palestinezët dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar e konsiderojnë si pengesë të madhe për paqe.

Bennett e ka kritikuar ashpër Netanyahun se. sa ka qenë kryeministër, është pajtuar të ngadalësohet ritmi i ndërtimit të vendbanimeve hebreje, nën presion e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka tentuar të ringjallë procesin për vendosjen e paqes.

Para se hynte në parlament, në vitin 2013, Bennet ka qenë për pak kohë kryetar i Këshillit për vendbanime në Bregun Perëndimor, Yesha.  Më vonë ai ka qenë ministër në disa kabinete qeveritare të  Netanyahut.

“Ai është lider i krahut të djathtë, pjesëtar i linjës së ashpër të sigurisë, mirëpo në të njëjtën kohë edhe pragmatik”, ka thënë udhëheqësi i Institutit të Izraelit për Demokraci, Yohanan Plesner, i cili e njeh Bennettin për dekada dhe ka shërbyer bashkë me të në ushtri.

Plesner pret që Bennett të bashkëpunojë me fraksione të tjera, për të gjetur “një faktor të përbashkët”, teksa tenton të fitojë përkrahje dhe legjitimitet si lider i kombit.

Naftali Bennett ka lindur në Haifa. Prindërit e tij ishin të lindur në Shtetet e Bashkuara. Ai ka kaluar shumë kohë me familjen mes Amerikës dhe Izraelit. Në Izrael i ka kryer studimet për çështje ligjore e pastaj ka punuar në sektorin privat.

Në vitin 1999, ai ishte bashkëthemelues i kompanisë softuerike “Cyota”, e cila i është shitur kompanisë amerikane RSA për 145 milionë dollar, në vitin 2005.

Bennett e përfaqëson bresin e tretë të liderëve izraelitë prej themelimit të shtetit.

“Ai është izraelit i versionit 3.0”, ka thënë Anshel Pfeffer, kolumnist i gazetës së krahu të majtë “Haaretz”.

“Një hebre nacionalist, por jo krejtësisht dogmatik. Pak fetar, por jo i devotshëm. Njeri i ushtrisë që e preferon jetën civile urbane dhe ndërmarrës që nuk synon të bëjë miliona. Mbështetës i Tokës së Madhe të Izraelit, por jo banor i zonës së vendbanimeve të zgjeruara. Dhe mund të mos jetë as politikan për kohë të gjatë”, ka shkruar Pfeffer.

Naftali Bennett, 49-vjeçar, është baba i katër fëmijëve.

Bennett do të jetë kryeministri i parë i Izraelit që do ta mbajë vazhdimisht kapelën e hebrenjve.

(r.m.)

Comment

*