Prokuroria e Specializuar del kundër lirimit të krerëve të UÇK-së nga paraburgimi

Hagë, 1dhjetor 2021 – Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS) në Hagë është deklaruar kundër lirimit të përkohshëm nga paraburgimi të ish-drejtuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

ZPS, në një shkresë drejtuar gjykatës, ka thënë se ish-drejtuesit e UÇK-së janë persona me ndikim të jashtëzakonshëm, prandaj lirimi i tyre nga paraburgimi kërcënon procesin gjyqësor ndaj tyre. 

“Në bazë të pozitave dhe përgjegjësive të tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm. Lirimi i të akuzuarve në Kosovë është kërcënim ekzistencial për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kësaj gjykate”, thuhet në shkresë.

ZPS i ka vlerësuar të pamjaftueshme garancitë që i ka ofruar Policia e Kosovës për monitorimin e të akuzuarve gjatë arrestit shtëpiak. Në shkresën e ZPS-së thuhet Policia e Kosovës nuk do ta përmbushte me sukses detyrën e monitorimit dhe si dëshmi permend dështimin e mbikëqyrjes së disa rasteve të profilit të lartë.

“Policia e Kosovës e mohon çdo përgjegjësi për dështimet në rastet e profilit të lartë, si Remzi Shala, Sami Lushtaku dhe Sabit Geci. Këto incidente dëshmojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqi të shkelin  kushtet eminitorimit në Kosovë”, thuhet në shkresë.

“Ka edhe raste të tjera të ndërhyrjes, siç është rasti kur Policia e Kosovës i bllokoi zyrtarët e EULEX-it për ta arrestuar Nexhmi Krasniqin, atëherë komandant i Policisë së Kosovës në Prizren”, thuhet më tutje në shkresë.

ZPS ka gjetur vërejtje edhe në deklarimin  e policisë se ajo mund t’i mbikëqyrë të paraburgosurit me kamera.

“Policia e Kosovës premton mbikëqyrje 24/7, por është e paqartë kur thotë se do të angazhojë aq zyrtarë policorë sa të jetë e nevojshme. Megjithatë, e vetmja marrëveshje e propozuar nga Policia e Kosovës është një oficer i vetëm policie që qëndron në hyrje të shtëpisë. Ky staf nuk është aspak adekuat në rastet e arrestit shtëpiak të personave me ndikim”, thuhet ndër të tjeranë shkresën e ZPS.

Shkresës i janë bashkangjitur edhe fotografi dhe shkrime të gazetave e portaleve që flasin për ndikimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit te drejtuesit e policisë dhe të organeve tjera të sigurisë në Kosovë.

(r.m.)