Prokuroria nis hetimet për regjistrat e dëmtuar të Kadastrës së Tiranës

Pas deklaratës së kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame se në regjistrat e Kadastrës së Tiranës mungojnë qindra faqe dhe se qindra të tjera janë dëmtuar ose dubluar, Prokuroria e kryeqytetit njoftoi fillimin e hetimeve, por pa autorë të dyshuar.

Nga Edmond Hoxhaj, REPORTER

Botuar së pari këtu: https://www.reporter.al/2022/06/21/prokuroria-nis-hetimet-per-regjistrat-e-demtuar-te-kadastres-se-tiranes/

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën fillimin e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës për të zbardhur dëmtimin e regjistrave të pronave në kryeqytet, duke marrë shkas nga denoncimi publik i kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.

Përmes njoftimit për shtyp, Prokuroria deklaroi se kishte filluar hetimin kryesisht dhe se kishte regjistruar procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “zhdukjes dhe vjedhjes së dokumenteve”, por se nuk kishte ende autorë të dyshuar.

Gjatë një komunikimi për mediat më 18 qershor, Lame e cilësoi situatën e regjistrave pronësorë në Tiranë si mjaft problematike, por të pakrahasueshme me ‘situatën katastrofike” në kadastën e Durrësit.

Sipas tij, nga 2342 regjistra pronash të Kadastrës së Tiranës, vetëm 250 ose 10% e tyre rezultojnë pa dëmtime.

“Të tjerët, pra rreth 2100 regjistra pronash në Tiranë rezultojnë me dëmtime, me grisje faqesh, me heqje faqesh, me ndërrime faqesh, etj,” pohoi Lame.

Ai sqaroi se mungojnë tërësisht 515 faqe që rezultojnë të jenë grisur prej regjistrave dhe nuk janë zëvendësuar; me qindra faqe të tjera dyshohet se janë zëvendësuar pasi kanë dallime në ngjyrë dhe në format me faqet e tjera të regjistrave.

Lame tha gjithashtu se një kontroll i brendshëm i ASHK-së ka zbuluar se 914 faqe janë dubluar.

“Pra e njëjta pasuri, e njëjta pronë, ekziston në dy faqe. Kjo bëhej, është e trishtë…, bëhej me qëllim që e njëjta pasuri i trajtohej edhe një qytetari, edhe një qytetari tjetër. Të dy flinin me mendjen se kishin dokumentin në shtëpi. Në fakt ishte një pasuri e vetme dhe kur shkojnë pastaj duhet të përfundonin në gjykatë, dyerve të gjykatave për të vendosur se e kujt ishte pasuria,” deklaroi Lame dhe shtoi se janë dëmtuar dhe 180 faqe të tjera nga regjistrat, ku gjenden copat e grisura.

Sipas Lames, në regjistrat e pronave në Tiranë ka gjithashtu me mijëra faqe bosh që u përkasin pronave shtetërore, por që nuk janë plotësuar në të shkuarën.

Më parë, Lame denoncoi publikisht edhe situatën në Kadastrën e Durrësit. Sipas tij, vetëm 15% e regjistrave kanë qenë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër ka rezultuar me mungesa të faqeve, faqe të grisura dhe të dubluara.

Comment

*