Promovim libri, promovim vlerash – një veprimtari e bukur te “Bijtë e Shqipes”

Në mjediset e ndërtesës së re të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia u bë promovimi i librit “Mustafa Daut Sllatina”, të autorëve, vëllezërve, Haki e Hasbi Çollaku, anëtarë të shoqatës sonë

Nga Sadik Elshani

Shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia tashmë ka bërë një emër të mirë, të nderuar si shoqatë që vazhdimisht organizon veprimtari të shumta atdhetare, kulturore, përkujtimore, sportive, e shumë të tjera, si: promovime të librave të autorëve të diasporës dhe trevave shqiptare, veprimtari përkujtimore, ku përkujtojmë e nderojmë figura të ndritura të historisë, artit, kulturës, shkencës e traditës sonë kombëtare. Çdo vit me madheshti e festojmë 28 Nëntorin, Festën tonë Kombëtare, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, festat e 7-8 Marsit, piknikun me bashkatdhetarët. Ndërsa nga viti 2012, në mënyrë madhështore organizohet ngritja e Flamurit Kuq e Zi, flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias. Tashme keto jane bere veprimtari te rregullta te kalendarit tone, ashtu te ngarkuar. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe kryeveprimtarinë, kryeangazhimin e shoqatës, funkcionimin dhe vazhdimin e suksesshëm, tani per 17 vite me radhë të shkollës shqipe. Wshtë kjo veprimtaria me të cilën krenohemi më së shumti, është veprimtaria që i jep kuptimin ekzistencës së shoqatës sonë.

Veprimtaritë kanë filluar te “Bijtë e Shqipes”

Siç e dimë të gjithë, për shkak të pandemisë, që nga marsi i vitit të kaluar çdo gjë është ngadalësuar, shumë veprimtari shoqërore, ekonomike, akademike, artistike, etj., janë modifikuar ose anuluar fare. Kështu ndodhi edhe me shoqatën tonë: përveç shkollës që e vazhdoi punën “online”, të gjitha veprimtaritë tjera u ndërprenë. Por, kohëve të fundit me lehtësimin e masave të pandemisë, sikur kemi filluar të lëvizim, “ringjallemi” përsëri: më 12 shtator e zhvilluam ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor; më 3 tetor organizuam një veprimtari, ku anëtarët u njohën me procesin e ndërtimit dhe përurimit të dy shtëpive të ndërtara në fshatin Ishëm të Durrësit, me fondet e mbledhura nga shoqata jonë në komunitetin shqiptar të rrethinës së Filadelfias e më gjërë. Këto dy shtëpi ishin dhurata e bashkësisë sonë shqiptaro – amerikane për dy familje në nevojë që i kishin humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti i vitit 2019. Ndërsa, ditën e shtunë, më 9 tetor, në mjedise e ndërtesës së re (ende të papërfunduar) të shoqatës sonë u organizua një veprimtari e bukur: u bë promovimi i librit “Mustafa Daut Sllatine”, të autorëve, vëllezërve, Haki e Hasbi Çollaku, anëtarë dhe veprimtarë të dalluar të shoqatës sonë.

Kjo veprimtari u organizua nga familja Çollaku në bashkëpunim me shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Mjediset ku u zhvillua veprimtaria ishin zbukuruar për bukuri. Para hyrjes ishin varur në varg flamuj të vegjël amerikanë e shqiptarë, tavolinat ishin shtruar me shije estetike, si në ndonjë restorant të njohur. Në mur ishin vendosur dy flamuj të mëdhenj, ai merikan dhe ai shqiptar, ndërsa në mes portretet e Mustafa e Haxhi Daut Çollakut (gjyshit dhe babait të Hakiut, përkatësisht). Kjo veprimtari përkonte edhe me ditëlindjen e Haxhi Dautit, i cili u nda nga kjo bote disa muaj më parë. Bukurinë e kësaj veprimtarie ia shtoi edhe më shumë prania e miqëve tanë, që kishin ardhur nga Nju Jorku e Nju Xhersi: Prof. Dr. Skender Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe Arteve, z. Bujar Hasani, kryetar i shoqatës “Skënderbeu”, si dhe zotërinjtë: Mihal, Jano, Josif Bello, Mentor Mata, doktor Amarildo Loshe, Elez Xhemali, etj. Kuptohet në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve me banim në Filadelfia, anëtarë e veprimtarë të shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Sipas tradites, këtë veprimtari e hapi organizatori i saj, zoti Haki Collaku, i cili i përshëndeti të pranishmit, duke i falenderuar ata për mirësinë e tyre, pjesëmarrjen në këtë ngjarje, që ishte një festë e dyfishtë: promovimi i librit për gjyshin dhe ditëlindja e babait. Pas një fjale të shkurtër për gjyshin dhe babain, në ekran u shfaqën disa pamje nga fshati Sllatinë – vendlindja e tyre. Vlen të përmendet këtu se gjatë gjithë veprimtarisë, gjatë pauzave vazhdimisht projektoheshin video të ndryshme, përfshirë edhe këngën për Tafë Dautin.

Tafë Dauti, burrë i besës dhe i sofrës

Pastaj zoti Haki ia dha fjalën zotit Petrit Zanaj, i cili kishte bërë një analizë të hollësishme për librin dhe figurën e Tafë Dautit, duke i vlerësuar lart edhe librin edhe protagonistin e saj. “Tafë Dauti ishte një derë e hapur për çdo mik e dashamirës, udhëtar hallexhi, i njohur e i panjohur që e zinte rruga e kalonte në ato anë. Siç thonë hakiu e Hasbiu në kujtimet e tyre, “Tafë Dautin mund ta quajmë: Burrë i besës e i sofrës bujare”.Tafa ishte një burrë që i peshonte fjala dhe pyetej në kuvendet e burrave të familjeve dibrane për zgjidhjen e konflikteve…Ai ishte trim, por edhe i mençur e diplomat… Dashuria për punën e tokën ishte një nga virtytet themelore të Tafë Dautit. Këto burime ai i përdorte ato jo vetëm për mirëqenien e familjes së tij, por edhe për kedo që kishte nevojë në atë krahinë”, ndër të tjera u shpreh z. Zanaj për figurën e Tafë Dautit. Ndërsa për librin ai u shpreh: “Libri lexohet me ëndje, sepse çdo shkrim i shkruajtur nga persona të ndryshëm paraqet një histori, një këndvështrim, të cilin pasi e përjeton dhe e mbart, kalon natyrshëm tek shkrimet e tjera. Pa arritur akoma një strukturë të plotë monografie, ky libër e ka realizuar e tejkaluar pritshmërinë për ta dhënë të plotë personalitetin, burrërinë e urtësinë e këtij dibrani të thjeshtë…”

Në fjalën e tij edhe zoti Hys Hasa i vurri në pah vlerat njerëzore, familjare e atdhetare të Tafë Dautit dhe familjes së tij. Z. Hasa ka edhe lidhje familjare me këtë familje të nderuar, prandaj ai i njeh ata nga afër. Ndër të tjera z. Hys Hasa u shpreh: “Mendoj se mënyra dhe gjuha e të shkruarit është e thjeshtë,e qartë,e pastër,e freskët dhe e kuptueshme për çdo lexues. Vetkuptohet që objet i këtij libri është origjina,historiku dhe malli e përkushtimi i autorve për të evidentuar vleratë pozitive, zakoneve, traditave e ato të shpijakut të kësaj zonës”Ujë e më Ujë “të paharruarit TAFË DAUT SLLATINËS ,që është gjyshi i tyre me synim,t’ju shërbejë,si një mënyrë edukimi për brezat e ardhshëm,sidomos në kushtet e sotme ,ku ashtu si gjithë shqiptarët edhe banorët e fshatit të Sllatinës janë të shpërndarë në katër anët e botës në emigracionin e përmallshëm për vendlindjen.

Në libër një vend të rëndësishëm zënë qëndrimi patriotik i kësaj shtëpie si bazë e luftës për liri,pavarësi dhe demokraci. Mendoj se vlerë të veçantë në ketë libër zenë albumi i fotografive të dokumentave arkivore,mbi të cilët janë bazuar autorët,ç’ka e bënë shumë të besueshëm çdo fjalë që është shkruar,duke i dhënë një besueshmëri të lartë,dhe duke shërbyer si një illustrim madhështor e ambicioz të këtij trungu familjar.” Duhet cekur se z. Hys është edhe pjesë e këtij libri, sjell disa kujtime, vleresime e nderime për personalitetet e Tafë Dautit dhe Haxhi Daut Çollakut.

Edhe z. Sadik Elshani, njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, në fjalën e tij pasi vlerësoi lart figurat e Tafë e Haxhi Daut Çollaku për virtytet, vlerat dhe traditat tona kombëtare, ai u shpreh për krahinën e Dibrës, prej nga kanë dalur rrënjet e kësaj familje fisnike: “Krahina e Dibrës gjatë gjithë historië sonë është  shquar për trimërinë, burrërinë, atdhetarinë e banorëve të saj, duke i dhënë kombit tonë shumë figura të ndritura. Kjo është skena ku ka lindur Tafë Daut Sllatina, kjo është arena ku ka jetuar e vepruar ai. Secili njeri e ka një histori që duhet rrëfyer, bërë të njohur. Edhe Tafë Dauti, një njeri i thjeshtë fshatar e ka një histori krenare që duhet rrefyer e trashëguar brez pas brezi. Histori të tilla janë gurët e mozaikut tonë kombëtar që mishërojnë vlerat njerëzore e kombëtare të popullit tonë. I tillë ishte Tafë Dauti: Burrë i besës dhe i sofrës – njeriu i mendjes dhe sofrës – burrë trim e i urtë, bujar e fisnik.” Per librin folen edhe zotërinjtë, Vlashi Fili e Sotir Goxhaj.

Disa fjalë për librin “Mustafa Daut Sllatina”

Nga sa u cek më lart ky libër i kushtohet Tafë Dautit, burrit të njohur, të respektuar e nderuar të Krahinës së Dibrës – jetës dhe veprës së tij. Përvec që ka si shtyllë kryesore Tafë Dautin, libri bën fjalë edhe për Dibrën, fshatin Sllatinë, vendin ku ka jetuar dhe kohën kur ka jetuar ai. Libri nuk është një monografi në kuptimin e mirfilltë të fjalës, por më tepër është një rrëfim jetëshkrimor i shkruar me plotë dashuri e mirënjohje e përkushtim, nga dy nipërit e Tafë Dautit, vëllezërit, Haki e Hasbi Çollaku. Wshtë i shkruar me një gjuhë të drejtëpërdrejtë e të qartë, ku në planë të parë është rrëfimi për jetën e Tafë Dautit, ngjarjet që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e tij jetësor. Libri fillon me një numër të madh poezish, afro 100 faqe. Poezi që i kushtohen Tafë Dautit, vendlindjes, pra janë tema familjare të shkruara me plot dashuri në stilin e poezisë së traditës sonë popullore. Wshtë poezia ajo që i shpreh ndjenjat më të holla, më sublime e delikate të njeriut. Nga qindra vargje, po sjellim këtu vetëm dy strofat e fundit, nga gjashtë strofat e poezisë, “Kenga për Tafë Dautin”, të autorit, Munir Dali Hoxha:

“Tafë Dauti krye burrë,

Të njeh shkamb e të njeh gurë,

Se ke le nga palca e gurit,

I ke ndejt besnik flamurit

Do kalojnë brezat me radhë,

Do t’kujtojmë gjithmonë me mall,

Tafë Dauti burrë i rrallë,

Ti, për jetë do mbetësh gjallë.”

Vargu, “Tafë Dauti krye burrë” i ka thënë, shprehur të gjitha, e ka karakterizuar bukur portretin fizik e moral të këtij burri tipik shqiptar, fshatar i thjeshtë me vlera të larta njerëzore e kombëtare, i rryer me përvojat dhe sfidat e jetës.

Pas këtij kapitulli me poezi, vazhdojnë kapitujt në prozë. Në kapitullin në vijim autorët na sjellin jetën e Tafë Dautit, duke sjellur detaje nga jeta e tij, na sjellin portretin e një njeriu, bujar, trim, njeri të besës e respektit për të gjithë. Nuk po i përsërisim edhe një herë ato që referuesit i përmendën më lart për figurën e Tafë Dautit, por vlen të ceket se ai ka bërë shumë për fshatin e tij duke i ndihmuar të tjerët, duke mbjellur pemë rreth rrugës që t’i shijojnë udhëtaret kur pushojnë nën hije; angazhimin dhe këmbënguljen e tij për të ndëruar nje kanal 22 kilometra të gjatë për të sjellur ujin nga Korabi në fshat. Ende flitet në fshat për arat, rrugët e Tafë Dautit, dy manat që i ka mbjellur ai e që ende qëndrojnë e japin fruta të shijshme. Vlen të përmendet edhe angazhimi i Tafë Dautit dhe familjes së tij për të ndëruar Xhaminë së fshatit, si një objekt fetar, por edhe objekt ku mund të tubohen njerëzit e fshatit. Ndër shumë ngjarje e episode nga jeta e Tafë Dautit vlen të ceket vizita e tij në Stamboll në vitin 1967, ku qëndron për katër muaj te vëlluau i tij, Rizvani, i cili prej kohësh jetonte në Turqi. Në një darkë që shtroi i vëllai, Rizvani, për nder të vizitës së Tafës, kishte qëlluar edhe një pasha turk, i cili i drejtohet Tafës, duke i thënë se, ju shqiptarët jeni popull i vogël, sa jeni ju, unë kam aq pula në fermën time. Por, Tafa nuk zihet ngushtë, me atë trmërinë e tij, mençurinë e filozofinë tonë popullore i përgjigjet pashait: “Jemi dy milionë, por jemi gjela, e kush e ngre kokën e skepim”. Pashai u nxeh duke thene: “Ah arnaut, arnaut!”. Ka edhe shumë ngjarje të tjera interesante në këtë kapitull, por për të mos u zgjatur më tepër po ia lëmë lexuesi që t’i shijojë vetë.

Një kapitull tjetër me titull, “Gjenetika” i kushtohet rrënjës, trungut dhe degëve të familjes së gjërë të Tafë Dautit të shpërndarë anembanë Shqipërisë dhe në diasporë. Ndërsa në kapitullin e fundit, “Intervista”, siç thotë edhe titulli janë paraqitur intervista nga familjarët dhe ata që e kanë njohur Tafë Dautin nga afër. Që të gjithë e shprehin vlerësimin dhe konsideratën e lartë për Tafë Dautin si një njeri të dashur, punëtor, të ndershëm e familjar shembullor. Wshtë një rrëfim ineresant, nga i nipi, Hasbiu. Wshtë një rastësi nga ato që ndodhin vetëm nëpër filma, por që është e vërtetë. Në vitin 2017, gjatë një vizite në një spital, së bashku me një familjar të tijin, në qytetin Trento të Italisë, kur ishte duke pritur familjarin e tij një zonjë e moshuar i drejtohet Hasbiut , duke e pyetur se prej nga ishte. Hasbiu i përgjigjet se është nga Shqipëria. Ajo i thotë se edhe babai i saj kishte jetuar disa vite në Shqipëri. (Pas kapitulimit të Italisë një pjesë e ushtarëve italianë janë strehuar nëpër familjet shqiptare). Zonja i thotë se mund t’ia tregonte edhe vendin, në ipad-in e saj del Sllatina. Pastaj ajo i thotë se mund t’ia tregojë edhe emrin e personit te i cili kishte jetuar babai i saj, Lin Marku(o). E merr telefonin dhe i kerkon informatat në shtëpi dhe i tregon Hasbiut se personi quhej Tafë Dauti. Atëherë, Hasbiu ia kthenë: “Zonjë, ai që po thoni ju është gjyshi im. Ajo ngriti duar lart dhe po i lutej zotit për këtë mrekulli”. Ndejtën së bashku me zonjën dhe biseduan për 30 minuta dhe e kishin lënë që të takoheshin përsëri pas tre muajsh. Por, kur Hasbiu shkon në adresën e dhënë nga zonja, aty e merr vesh se zonja kishte vdekur para dy javësh nga një sëmundje e pashërueshme. Zonja nuk kishte patur fëmijë dhe të gjitha materialet ia kishte dorëzuar një kishe. Për mendimin tim, vetëm për këtë rrëfim ia vlen të shkruhet e të lexohet ky libër. Shpëtimi i hebrenjve dhe mbrojtja, strehimi i ushtarëve italianë janë dy ngjarje të ndritura në atë kohë të tmerrshme që po kalonte Shqipëria dhe gati gjithë bota. Këto ngjarje janë mishërim i fisnikërisë, mikpritjes, besës, traditave më të mira të popullit tonë. Dhe një nga ata protagonistë,njerëz fisnikë, pjesë e këtyre ngjarjeve paska qenë edhe Tafë Dauti. Wshtë ky një diamant në kurorën e burrërisë e fisnikërisë së Tafë Dautit.

Wshtë ky një libër modest, histori familjare, që na sjell porosinë se, ngjarjet duhet të rrëfehen, historitë duhet të tregohen e të shkruhen, që t’u lëmë diçka trashëgim brezave që do të vijnë pas nesh. Autorët duhet përgëzuar se kanë bërë një punë të mirë, të vyer: ngjarje pas ngjarjeje, figurë pas figure, histori pas historie, kështu shkruhet historia jonë kombëtare, kështu ruhet kujtesa jone, traditat më të mira të kombit tonë.

Si është vendi (rasti) bëhet kuvendi

Tani nga faqet e librit të kalojmë përsëri te veprimtaria, festa. Pas paraqitjeve të materialeve për librin, filloi pjesa festive e këtij tubimi.Tavolinat (“sofra”) ishin të mbushura me plot ushqime e pije të llojllojshme. Biseda rridhte qetas, këndshem e me plot humor, si dikur ne odat shqiptare, per te vazhduar pastaj me ngritjen e dollive – perseri sipas tradites se zonave perkatese, tradites shqiptare. Po, ndiheshim sikur ishim në odën e madhe të Tafë Dautit, ulur rreth sofrës së tij bujare, shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike. Atmosferën e bënte edhe më të këndshmë, më gazmore edhe muzika e DJ-it, Bujar Ukaj. Këndoheshin këngë patriotike, duke filluar me këngën e parapëlqyer të Tafë Dautit e Haki Collakut, “Hajredin Pasha po i bjenë Radikës”. Ndërsa në ekran herë pas here shfaqeshin video të ndryshme: këngë, valle, pamje të natyrës shqiptare. Gjatë pauzave të pranishmit ngrenin dolli e përshendesnin. Pershendetën duke e uruar organizatorin për ftesën dhe për organizimin e bukur: Prof. dr. Skender Kodra, zotërinjtë, Bujar Hasani, Mihal Jano, Abedin Teme, Eqerem Murataj, Llazar Vero, Elez Xhemali, etj. Secili kishte dicka për të treguar, ndonjë ngjarje, ndonjë histori të shkurtër, por biseda kryesisht sillej rreth figurës së Tafë Dautit, djalit të tij, Haxhi Dautit, i cili u nda nga kjo botë para disa muajve. Haxhi Dautin e njihnin shumica e pjesëmarrësve, sepse ai disa herë ka qenë në Filadelfia – një burrë i urtë, i besës, i traditave më të mira shqiptare. Pra, kryesisht zhvillohej një bisedë për historinë, traditat tona kombëtare, bashkimin e shqiptarëve, respektin për njëri – tjetrin. Nuk thonë kot: “Si është vendi bëhet kuvendi”.

Dardha bie nën dardhë

Edhe Hakiu i ka trshëguar traditat e familjes së tij bujare e fisnike. Vetë organizimi i kësaj veprimtarie të bukur e dëshmon këtë. Hakiu është nga burrat e rrallë që fjalët dhe veprat, veprimet e tij gjithmone përputhen. Gjithmonë është në shërbim të bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias e më gjërë dhe së bashku me vellëzërit e tij në Shqipëri, ata e kaneë ndihmuar edhe vendlindjen e tyre. Hakiu dallohet nga të tjerët edhe për aftësitë e tij organizative, vullnetin e fortë për të bërë gjëra, punë të mira. Edhe herave të tjera, Hakiu ka organizuar veprimtari të ngjashme që janë vlerësuar për shijen e hollë estetike, elegancën dhe atmosferën shumë të përzemërt. Vlen të përmendet organizimi i “Sofrës Dibrane”. Si mjeshtër i zoti, Hakiu ka bërë edhe shumë ndërtime, meremetime, duke i zbukuruar edhe më tepër mjediset e shoqatës “Bijte e Shqipes”. Tani është mjaft i angazhuar në rregullimin e godinës së re. I ka hije puna. Hakiu e ndien veten shumë krenar për të arriturat e fëmijve të tij, djalit dhe vajzës, ushtarake, oficere në Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.

Kjo veprimtari u shndërrua në një festë të bukur për librin, vlerat dhe traditat tona kombëtare, miqësinë dhe respektin për njëri – tjetrin – promovim libri, promovim vlerash kombëtare e njerëzore. Kështu përfundoi kjo veprimtari mbresëlënëse. Faleminderit Haki, familja Çollaku!

Philadelphia, më 12 tetor, 2021.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.