Promovohet, në New Jersey, libri “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë”

Nga Keze Kozeta Zylo

Në mjediset komode të restorantit RP Prime Steak and Seafood në Mahwah, New Jersey u promovua libri me titull:  “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë”.  Libri ka për autor Dr.Faton Bislimi i cili e ka shkruar në gjuhën angleze.  Libri i kushtohet Kongresistit Amerikan Shqiptarit të madh Joseph DioGuardi dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane 1985-1993. 

Aktiviteti u zhvillua me plot kulturë dhe profesionalizëm ku drejtohej nga Kongresisti Amerikan DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi presidente dhe këshilltare për cështjen e Ballkanit. Salla e mbushur plot e përplot me shqiptaro amerikanë ku në fytyrat e tyre shihej qartë se kishin ardhur të merrnin librin dhe të shprehnin mirënjohjen e pakufishme për Kongresistin Amerikan me origjinë arbëreshe Joe DioGuardi.

Në këtë aktivitet morën pjesë disa personalitete si Ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Manhattan, Prof.Isuf Buxhovi autori i librit “Kosova” në gjuhën angleze botuar në 3 vëllime, aktivistë të njohur të Diasporës etj.

Joe DioGuardi ishte kongresisti Amerikan që i kishte futur  frikën në palcë Hitlerit të Ballkanit dhe të vetmin që zuri në gojë sllobodan milloshevici në gjyqin e Hagës ishte Joe DioGuardi dhe Liga e tij.  Kur dëgjoja fjalën e Dr.Faton Bislimit këtij biri të Kosovës me edukim në Harvard në një nga universitetet më të mira në botë duke shprehur mirënjohjen rreth figurës së ndritur të DioGuardit, në mendje më vinin fjalët e Konicës për Nolin për të cilin ka thënë:

“…Dita që mëshoi për të parën herë në Kishë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Mirënjohja është kulturë, është mirësi, është civilizim ndaj le t’jua shprehim kush e meriton sepse veprat e tyre të vyera bëhen frymëzim dhe përparim për Kombin si në rastin në fjalë me ciftin e jashtëzakonshëm DioGuardi. 

Këtë mirënjohje të dukshme ndjeva në prezantimin e Dr.Bislimit rreth librit bazuar në dokumente origjinale dhe materiale arkivore të SHBA-ve.  Ai foli përmes dokumenteve të papublikuara më parë.

Libri flet qartë me fakte për përpjekjet e Amerikës dhe Kongresit për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, si dhe për punën per të drejtat qytetare e njerëzore të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, e Luginë të Preshevës.  Dr.Bislimi është frymëzuar nga puna e palodhur e Ligës qytetare, nga Zoti Dioguardi, me prejardhje arbëreshe i cili që në vitin 1986, për herë të parë në Kongresin Amerikan paraqet rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Libri ka dëshmi të një periudhe 1985-1993 të veprimtarisë lobiste të zotit DioGuardi si Kongresmen dhe si Kryetar i Lobit Shqiptar i vetmi i regjistruar në Uashington

Në këtë promovim mori pjesë Senatori Veteran Amerikan Robert Menendez një avokat me plot përvojë. Senatori Menendez vlerësoi mjaft punën e Kongresistit DioGuardi si dhe të zonjës DioGuardi dhe tha se ata kanë bërë një punë me plot fuqi intelektuale për cështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë.  Senatori Robert Menendez është në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, dhe është ekspert i njohjes së cështjes së Kosovës dhe të Ballkanit.

Më duhet të shtoj se senatori Menendez bashkë me Eliot Engel në një letër dërguar më parë Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi qasjen e administratës ndaj Kosovës dhe Serbisë duke ushtruar trysni mbi qeverinë e Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, por nuk po ushtrojnë trysni të duhur mbi Beogradin për të ndalur fushatën e tij kundër pavarësisë së Kosovës.

Përshëndeti aktivitetin për promovimin e librit Ambasadori Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Në këtë promovim folën me plot kompetencë dhe përvojë të madhe anëtarët e Bordit Executiv të Liges qytetare shqiptaro amerikane z.Agim Alickaj dhe Faik Lita. 

TV “Alba Life” i cili filmoi këtë aktivitet së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë ngjarje  të rëndësishme dhe do ta transmetojë në kanalin 27 në paketën digitale “TV Alb”.

Mahwah, New Jersey

30 Janar, 2022