Pronari i Sauthemptonit shpallet “armik” në Serbi, për shkak të festimit të Armando Brojës

Beograd, 13 janar 2022 – Armando Broja, më saktësisht festimi i tij me shqiponjë, është bërë çështje në Serbi, ku bërja e shqiponjës, simbolit kombëtar të shqiptarëve, intepretohet si simbol i Shqipërisë së Madhe.

Disa medie në Serbi kanë vepruar këtë javë njësoj sikur kishin vepruar kur dy shqiptarët që luajnë për Zvicrën, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, kishin festuar kur kishin shënuar gola ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror të futbollit në Rusi, në vitin 2018.

Por, këtë herë në shënjestër të medies serbe është pronari i ri i Sauthemptonit, serbi Dragan Sollak. Ai është sulmuar ashpër dhe është etiketuar si “armik” i Serbisë, për shkak se ai e ka duartrokitur festimin e Brojës pas golit të shënuar ndaj Brentford.

Sollak ishte i pranishëm në tribunë në ndeshjen e Sauthemptonit me Brentfordit. Kur Broja shënoi gol dhe festoi në mënyrën e tij të zakonshme, pronari i klubit, Sollak, u ngrit në këmbë dhe e duartrokiti shqiptarin për golin e shënuar që e ndihmoi ekipin të arrijë fitore.

Media serbe “republika.rs” e akuzon manjatin serb se, me këtë veprim, siç thuhet në titullin e shkrimit “ka duartrokitur për simbolin e Shqipërisë së Madhe” dhe kështu “e ka mbështetur fyerjen e Serbisë në Angli”.

“Në minutën e 49-të, sulmuesi 20-vjeçar i Sauthempton shënoi për skuadrën e tij dhe vrapoi në fushë me duar të kryqëzuara, ndërsa shumë shpejt në planet televizive u shfaq pronari i ‘United Media’, i cili e përshëndeti këtë festë josportive të të riut Broja me duartrokitje të entuziazmuara. Sollak e përshëndeti simbolin e Shqipërisë së Madhe!”, shkruan “republika.rs”.

Broja e ka zgjedhur këtë mënyrë festimi për të përshëndetur bashkëkombësit pas çdo goli që shënon. Këtë gjest të tij e kanë kopjuar shpesh edhe shokët e skuadrës së tij, Sauthemptonit.

sholak republika

Por, çështja e festimit të golit të Brojës nga pronari i Sauthemptonit shkon përtej sportit.

Dragan Sollak është njëri ndër kritikët e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kompania e tij “United Media” ka në pronësi gazetën e përditshme “Danas”, e cila është vënë në shënjestër të Vuçiqit, për shkak të qëndrimit shumë kritik të saj ndaj qeverisjes në Serbi. Vuçiq e përdor si argument kundër gazetës pikërisht blerjen e 80 për qind të  aksioneve të “Sauthemptonit” nga pronari i “United Media”, Dragan Sollak.

Pra, është e vetëkuptueshme që mediat proqeveritare në Serbi ta shfytëzojnë secilin rast për ta sulmuar Sollakun dhe për ta shpallur “armik” të Serbisë.

Bashkimi Evropian, si edhe shumë organizata ndërkombëtare, ka vlerësim shumë kritik për shkallën e demokracisë në Serbi. Në raportet e fundit tërhiqet vërejtja se Serbia po zhytet gjithnjë e më shumë në autoritarizëm.  

(r.m.)

Comment

*