Propozim në Parlamentin e Ukrainës për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Një deputet i Parlamentit Ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka paraqitur sot rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të mbështesë demokracinë kudo në botë. Shpresoj, që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, komentoi me këtë rast, deputeti Goncharenko, në rrjetet sociale.

Ukraina është përpjekur të mbajë qendrim neutral ndaj Kosovës, nga droja se njohja e saj do të përdorej nga Rusia si shkas për të shkëputur rajonet e saj lindore. Tani që Rusia po përpiqet t’ia shkëpusë me forcë këto rajone, nuk ka arsye praktike për Ukrainën që të mos e njohë Kosovën.

Goncharenko ka shkruar edhe më parë për Kosovën. Pas provokimeve në veri, pak ditë më parë, ai shkroi se nëse Serbia sulmon Kosovën, Ukraina duhet ta ndihmojë Kosovën të mbrohet prej “kalit të trojës” së Putinit, ne Europë.

“Ti je i çmendur”, i shkroi Ambasador Richard Grenell, në Tuitër, por Goncharenko iu përgjigj duke i treguar deklaratën e analistit serb Janjic sipas të cilit Grenell paguhet 100,000 dollarë në muaj nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Mbetet për t’u parë se sa sukses do të ketë rezoluta për Kosovën në Radën Ukrainase. (Ruben Avxhiu)