Protesta bllokon Beogradin, protestuesit kërkuan edhe dorëheqjen e Vuçiqit

Beograd, 19 maj 2023 – Disa dhjetra mijëra qytetarë të Serbisë janë bashkuar të premten në mbrëmje para Kuvendit të Serbisë, në protestën me moton “Serbia kundër dhunës”. Autostrada E             75 që e përshkon Beogradin në drejtimin veri-jug si edhe të gjitha rrugët që shpien në qendër të qytetit janë bllokuar nga masa e protestuesve.

Aleksandar Jovanoviq Çuta ka thënë se Beogradi është bërë i vogël për të pranuar të gjithë qytetarët e pakënaqur.

“Kjo nuk është protest vetëm për fëmijët e vrarë, por edhe protest e pakënaqësisë së qytetarëve”, ka thënë ai.

Mediet e pavarura thonë se një pjesëmarrje kaq e madhe e njerëzve në protestë nuk mbahet mend në Serbi, ndërsa protestuesit thonë se këso proteste ka ndodhur edhe “kur është rrëzuar Millosheviqi”.

This image has an empty alt attribute; its file name is Protesta-Kunder-dhunes-Beograd-1.jpg

Ognjen Radonjiq, profesor i Fakultetit Filozofik në Beograd ka thënë se kjo protestë dallon nga ato të mëparshmet, sepse pakënaqësia e qytetarëve është akumuluar gjatë.

“Kanë ndodhur shumë skandale dhe afera ndaj të cilave nuk kemi reaguar. Gjithçka është akumuluar, ndërsa sistemi është mbyllur. Ligji zbatohet në mënyrë selektive për njerëzit e pushtetit. Sanksionet nuk vlejnë për ata që u bien në qafë qytetarëve“, ka thënë Radonjiq.

Protestuesve u është drejtuar e para Jelena Mihajlloviq, njëra prej nënave nga Peçinci të cilat janë dënuar nga regjimi i Vuçiqit për shkak se kanë marrë pjesë në protestat e fermerëve, vitin e kaluar.

“Duam të jetojmë pa frikë në këtë vend. Jemi mbledhur këtu sepse e duam Serbinë pa dhunë. A nuk u është e qartë kjo të gjithëve? Ata që e udhëheqin këtë shtet, kanë pushtet absolut, por edhe përgjegjësi absolute. Nuk bën t’i lejojmë të luajnë me jetët tona dhe me jetët e fëmijëve tanë”, ka thënë ajo.

Lluka Babiq, nxënës i gjimnazit të tretë të Beogradit, kryetar i shoqatës së nxënësve të shkollave të mesme “Edhe ne pyetemi”, ka thënë se objektiv i kësaj organizate është “një e ardhme më e mirë” për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e Serbisë.

Nga protesta është kërkuar edhe dorëheqja e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

”Dorëheqje, Vuçiq!”, kanë brohoritur njëzëri një grup protestuesish.

Disa protestues kanë thënë se nuk do të shpërndahen deri në mëngjes. Disa të tjerë kanë thënë se nuk do të shpërndahen derisa të përmbushen kërkesat e tyre. Në autostradë E75 janë ngritur disa tenda, në të cilat do ta kalojnë natën një pjesë e protestuesve.

Protesta me moton “Serbia kundër dhunës” janë organizuar të premten edhe në disa qytete tjera të Serbisë.

Motivacion për organizimin e protestave ishte vrasja e nëntë nxënësve dhe rojtarit të shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd dhe e tetë të rinjëve në rrethinën e Mlladenovcit, rreth 50 kilometra nga Beogradi.

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Sinisha Kovaçeviq, ka thënë se protesta “Serbia kundër dhunës” nuk organizohet nga opozita, por nga qytetarët e revoltuar nga pushteti. Ai ka thënë se opozita merret vetëm me çështjet teknike.

“Këtë protestë nuk e organizon opozita. Ajo vetëm po e bën koordinimin. Dikush duhet ta paraqesë protetën në polici. Dikush duhet të merret me çështjet që kanë të bëjnë me organizimin”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar qytetarët e Serbisë në një tjetër tubim që do ta organizojë ai më 16 maj. Ajo ditë është shpallur ditë pushimi në Serbi.

Analistët e vështrojnë këtë si përpjekje të Vuçiqit që t’i matë forcat me kundërshtarët e tij politikë. Por, ka edhe analiza që e shohin këtë si sinjal se Vuçiqin e ka kapluar frika se po e humb pushtetin.

Sllobodan Millosheviqi e kishte organizuar një tubim të tillë në vitin 1991, në Ushqe të Beogradit, si kundërpërgjigje ndaj tubimit të opozitës, ku kërkohej dorëheqja e Millosheviqit.

(r.m.)