Protestë para Kombeve të Bashkuara në mbështetje të Luginës së Preshevës

Nga Beqir Sina

KOMBET E BASHKUARA:Shqiptarët e Amerikës zgjodhën dje sheshin kryesor përpara Selisë së OKB-së në New York, për të protestuar në lidhje me të drejtat e mohuara të shqiptyarëve në Luginën e Preshevës dhe për t’i kërkuar qeverisë së Beogradit që t’i japë fund asaj që protestuesit e quajtën, shtypje dhe diskriminim të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Ballkanit.

Protestuesit bënë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në Kosovë dhe që përmendorja e përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së, e hequr më 20 janar 2013 nga qendra e Preshevës, të kthehet aty ku ishte vendosur më parë, para Kuvendit Komunal të Preshevës.

Nismëtare e protestës ka qenë një grup shqiptarësh të Luginës së Preshevës, të mbledhur rreth shoqatës “Lugina e Preshevës”, duke marrë edhe mbështetjen e shqiptarëve të SHBA-së, të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, Fondacionit “Plavë – Guci”, Shoqatës “Dibra” Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, e të shoqatave të tjera të komunitetit shqiptar në zonën e New York-ut me rrethe.

Në këtë protestë nuk morën pjesë bashkatdhetarë aq sa pritej. Numri i tyre mezi i kalonte njëqind vetë. Këta ishin studentë të shkollave amerikane, veprimtarë të dalluar të komunitetit dhe liderë të disa organizatave dhe shoqatave nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci, Medvegja dhe Çamëria.

Organizatorët me këtë rast lëshuan një memorandum lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili sipas organizatorit, iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatiti dhe Kongresit në Uashington, organizatave ndërkombëtare prestigjoze për Liritë e të Drejtat e Njeriut në Nju Jork etj.

Në këtë memorandum ndër të tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës.

Memorandumi i referohet heqjes nga qendra e Preshevës të një përmendoreje të ngritur në përkujtim të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Më tej në të thuhet se qeveria e Serbisë përdori forcën duke e hequr përmendoren, në vend që të ndërtonte ura me komunitetin shqiptar të Luginës.

“Sjellja e qeverisë serbe, thuhet në memorandum, nuk ka vend në Evropë, sidomos tani që Serbia pret datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje që shqiptarëve të Preshevës t’u garantohen të drejta të njëjta me ato që gëzon pakica serbe në Kosovë dhe që përmendorja të kthehet aty ku ishte vendosur”.

Protestuesit mbanin flamuj amerikanë dhe shqiptarë. Ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, konsulli Fatmir Zajmi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, Dritan Mishto.

Në mesin parullave dalloheshin “Shqiptarët në Serbi, dëshirojnë të njëjtat të drejta si edhe ata të serbëve në Kosovë ” – “E vetmja terroriste në këtë luftë ka qenë Serbia” – “Serbia është duke nxitur një luftë tjetër Ballkanike” – ” Serbia duhet të ndalë sa më parë spastrimin etnik në Luginën e Preshevës” – “Daçiçi është një Millosheviç i vogël” – ” Serbia duhet t’i kthehet Paqes – Thirrje Serbisë që të bëhet pjesë e paqes në Ballkan” – ” Daçiçi = Millosheviç – Daçiç = Fashist” – “- “Ndal spastrimin Etnik!” – “USA! USA! USA!” -“Presheva!Presheva! Presheva!” etj.

Folësi dhe drejtuesi e kësaj proteste ishte Avni Mustafaj, drejtori ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, me bazë në Uashington, cili tha se pa realizmin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia e ka të “mbyllyr” rrugën e saj për në BE.

Tensionet e fundit në Preshevë rreth lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, për z. Shaban Mehmeti nga Lugina e Preshevës, njëri prej iniciatorëve të kësaj proteste, janë vetëm një segment i kompleksit të problemeve të rënda jetësore që janë pasojë e statusit të pazgjidhur politik të shqiptarëve në Luginën të Preshevës.

“Është me rëndësi të theksohet, tha zoti Mehmeti, se programi qeveritar i shkurtit 2001 për zgjidhjen e krizës në rajonin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, që u përfshi në Marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001, në pjesën më të madhe ngeli i parealizuar.”

“Gjendja ekonomike jo që nuk u përmirësua, por ajo është më e rëndë se edhe gjatë regjimit të Millosheviqit. Kështu që shkalla e papunësisë aktualisht është mbi 70 për qind kurse të ardhurat kombëtare për banorë janë rreth shtatë herë më të ulta se mesatarja përkatëse në nivel shtetëror”.

Ai përmendi faktin se në 12 vitet e kaluara shumë më pak u punua për integrimin e shqiptarëve në strukturat publike, ashtu që në shumë institucione të nivelit lokal, rajonal dhe shtetëror, edhe më tutje nuk ka të punësuar shqiptarë, apo numëri i tyre është simbolik.

Kështu ndodhi sipas tij në periudhën 1999-2001 kur në kushte të luftës dhe gjendjes së jashtëzakonëshme u dëbuan mbi 10.000 shqiptarë dhe shumica dërmuese e tyre ende nuk është kthyer në vatrat e tyre.

“Aktualisht problemi më i rëndë i shqiptarëve, është shpërngulja dhe largimi i tyre nga vatrat e tyre, për shkak të dhunës shtetërore, që po ushtrohet në vazhdimësi që nga lufta në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës e gjer në këto ditë kur në vazhdimësi po i imponohet gjendje e jashtëzakonshme me prezencë dhe dhunë të ushtruar të forcave speciale të policies”.

Kryetari i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” solli përshëndetjet e vatranëve dhe mesazhin e përkrahjes së tyre të plotë për popullin shqiptar të Luginës së Preshevës, duke dënuar largimin e lapidarit përkujtimor të dëshmorëve të lirisë, si një akt terrori shtetëror.
“Të gjithë ne që jemi bashkuar këtu”, shtoi ai, “dëshmojmë solidaritetin e të gjithë shqiptarëve të Amerikës, së bashku me të gjithë shqiptarët tjerë kudo janë, në trojet stërgjyshore dhe në diasporë.” Ai vlerësoi reagimin e popullatës lokale shqiptare si “reagim civilizues e paqësor por i vendosur” dhe komentoi se shqiptarët janë paqëdashës e jo agresivë, “por mos i veni shqiptarët me shpatulla për mur duke u shkelur lirinë e të drejtat e tyre njerëzore”.

“Akti i policisë serbe është qartas akt terrorizmi shtetëror, një hap i rrezikshëm i qeverisë serbe në drejtim të shkatërrimit të paqes në rajon. Besojmë se edhe kombi serb ka nevojë për paqe, mbas gjithë atij gjaku dhe tërë atyre masakrave qe u bënë në emër të tij në Balkan dhe ka nevojë të integrohet në familjen e kombeve paqësore e të civilizuara” .

Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në New York, Dritan Mishto, kujtoi në fjalën e tij deklaratën e Kryeministri Berisha, i cili ka thënë se:” Bashkimi i shqiptarëve në Europë është një proces që nuk mund të ndalet, për të cilin çdo shqiptar duhet të bëjë gjithçka për të kapërcyer pengesat e panumërta të krijuara gjatë 100 vjet ndarje”.

“Procesi i bashkimit të shqiptarëve u bën mirë edhe fqinjëve tanë, çlirimit të tyre nga albanofobia”, tha ai.

Ilmi Berisha, kryetar i Vatrës për degën Hudson Valley në New York, përveç konstatimit të gjendjes së rëndë të krijuar me atë akt vandal të qeverisë serbe shtoi se “Kjo çfarë po ndodh sot atje në Luginën e Preshevës, ka përveçse të keqes edhe një të mirë të madhe, që sipas tij është ajo që tregon se si në kohën e Millosheviqit, shqiptarët kudo që janë tash të bashkuar duhet të ngrihen dhe të mos pajtohen në asnjë mënyrë me sundimin e Serbisë ndaj shqiptarëve”.

“Asgjë, tha ai nuk është koicidencë për kohën që po ndodhin këto ngjarje tragjike, çdo gjë ka një domethënie, e cila kësaj rradhe shkon në favor të ne shqiptarëve, duke i treguar botës se në Serbi asgjë nuk ka ndryshuar nga mënyra se si u soll regjimi i Millosheviqit,” theksoi zoti Berisha.

Në mesin e folësve ishin edhe kryetari i Esat Gjonbalaj nga Shoqata Plavë – Guci, Endri Merxhushi kryetari i Shoqatës Çamëria në SHBA , kryetari i Legalistëve shqiptarë në Amerikën e Veriut, Hakik Mena, kryetari Shoqatës Atdhetare Dibra, Musa Paçuku, kryetari i KKSHA-s, Martin Shkreli, kryetari i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi.
Endri Merxhushi lexoi një poezi e cila titullohej “Kosovës Martire”, shkruar nga Pëllumb Lamaj, ish i dënuar politik në Shqipëri.

Organizatorët shprehën mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit dhe falënderuan në mënyrë të posacme, veprimtarin dhe biznesmenin e suksesshëm në SHBA, Ylber Pilku, i cili, me kompaninë e tij “Pilku Construction” me shpenzimet e tij, kontribuoi për vendosjen e podiumit ku u organizua demonstrata.