Protestë të Tuz kundër vrasjes së 19-vjeçares dhe dhunës ndaj grave

Podgoricë, 4 tetor 2021 – Dhjetëra qytetarë protestuan para ndërtesës së policisë në Tuz të Malësisë, pas vrasjes së 19-vjeçares Sheila Bakija.

Protesta u organiza nga shoqatat civile “Lëvizja Zhvillimore e Tuzit” dhe “Qendra për të Drejtat e Grave”.

Organizatorët bënë thirrje për një hetim të ngjarjes, ndërsa 19-vjeëarja u vra edhe pse kishte raportuar dhunën në polici. Kjo protestë sipas organizatorëve u zhvillua edhe për të parandaluar humbjen e jetëve të tjera për shkak të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

“Ne i kërkojmë Administratës Policore, Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi dhe Zëvendëskryeministrit për Sigurinë, Dritan Abazoviq, të fillojnë një hetim urgjent për këtë rast të dhunës ndaj grave, i cili përfundoi me humbjen tragjike të një jete të re, pavarësisht fakti se dhuna është raportuar në polici dhe gjyqësor ” thuhet në një deklaratë.

Drejtoresha e “Shtëpisë së Sigurtë të Grave” , Lilana Raiçeviq, tha se gjatë punës se tyre ata janë përballur me ngjarje të tilla të paktën një herë në vit për 20 vjet.

“Prokurori nuk mori parasysh asgjë që kishte ndodhur më parë. Nëse do të kishte vepruar, vrasësi nuk do të kishte ikur,” tha Raiçeviq.

Ajo tha se njerëzit pa ndjenja janë ulur në institucione dhe se organizatorët e protestës duan që të mbajnë përgjegjësi ata që nuk e kryejnë punën e tyre si duhet.

Mustafa Pepiq nga “Lëvizja Zhvillimore Tuzit”, tha se me protestën ata donin të dërgonin një mesazh se familja Bakija nuk është e vetme.

Ai vuri në dukje se ata “duan të bëjnë presion mbi institucionet për të bërë punën e tyre dhe vrasësi të sillet para drejtësisë”.

Ngjarja ka ndodhur të premten në Tuz të Malësisë. Autori i dyshuar i vrasjes, Ilir Gjokaj shkoi në banesën e familjes Bakija duke qëlluar për vdekje 19-vjeçaren Sheila Bakija dhe duke plagosur rëndë babain e vajzës.

Mësohet se 19-vjeçarja, e cila bashkëjetonte me Gjokajn, e kishte denoncuar partnerin e saj për dhunë në gusht të këtij viti, por ai u la i lirë pasi prokuroria e Podgoricës vendosi që rasti nuk kishte vepër penale.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)