PS akuzon për afera të dyshimta në tregun e gazit, qeveria mbrohet

“Privatizimi i Albpetrolit është një turp kombëtar, është i dështuar”, tha deputeti socialist Erjon Braçe – Ministri i Financave, Ritvan Bode kundërshtoi dhe tha se nuk është e vërtetë që iu dha ekskluziviteti i gazit

 

12 - erion_brace_rock_775453111

Erjon Braçe

Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në debate lidhur me politikat ekonomike, veçanërisht procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë. Në qendër të debatit ishin dyshimet e mëdha të Partisë Socialiste opozitare mbi privatizimin në sektorët energjetikë, përkatësisht të karburanteve. Kuvendi mes disa ligjeve, kishte në plan pune në seancën e së enjtes, dje, edhe ndryshimet në ligjin “Për sektorin e gazit natyror”.
Deputeti socialist Erjon Braçe ishte “i hidhur” në seancë kur përveç atyre që i quante “fakte” dhe “abuzime”, akuzoi për dhënie të kompanive të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës si “ARMO” më parë dhe “Albpetrol” së fundi, bizneseve pranë qeverisë.
Ndonëse seanca u zhvillua vetëm pak orë nga e mërkura kur në Athinë, Greqia, Italia dhe Shqipëria firmosën marrëveshjen për gazsjellësin “Trans Adriatic Pipeline” “TAP”, deputeti Braçe vuri në dyshim qëllimet e qeverisë që lidheshin me këtë sektor.
Sipas deputetit Braçe, ekskluziviteti i veprimtarive ekonomike në sektorin e karburanteve, përkatësisht në këtë rast gazit, i është dhënë nga qeveria “Albetrolit”, që është në proces ende problematik privatizimi nga kompania amerikane “Vetro Energy”, por që “mbrapa” ka biznesmenin Rezar Taçi të kompanisë “Taçi Oil”.
“Privatizimi i Albpetrolit është një turp kombëtar, është i dështuar. Albetrolin e frytë me të drejta ekskluzive. Albpetrolit iu dha e drejta e gazifikimit për privatizimin, pra iu dha e drejta ekskluzive e gazifikimit për ta privatizuar, në një kohë që kjo kompani nuk parashikonte gazifikim”, – tha zoti Braçe duke iu referuar një shkrimi të botuar në “Financial Times”.
“Qeveria shqiptare ka anuluar ofertën fituese të kryesuar nga një biznesmen vendas në tenderin për shitjen e firmës shtetërore “Albpetrol”, pasi ajo nuk arriti që të paguajë. Vendimi i jep fund asaj që u bë me shpejtësi një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës. Por, pikëpyetje serioze ngrihen rreth sjelljes së fituesit të tenderit, manjatit lokal të “Vetro Energy”, Rezart Taçi dhe të qeverisë” – shkruante “FT”. Por, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) dhe njëherit zëvendëskryeministër, Edmond Haxhinasto, deklaroi se “përmes mediave, në konferencën që dha për shtyp, mësuam se pas “Vetros” ishte personi që ju përmendët (Rezart Taçi)”. Zoti Haxhinasto i bëri komentet në intervistë me “Zërin e Amerikës” pas nënshkrimit të marrëveshjes për gazsjellësin “TAP” në Athinë.
Në seancë mandej, deputeti Braçe akuzoi gjithashtu për shitrje të thuajse 200 mijë tonëve naftë: “200 mijë tonë naftë kanë nxjerrë në shitje nga METE dhe “Albpetroli”. Çdo proces nuk paguhet nga ne, por nga qytetarët shqiptarë. Një nga elementët e krizës energjetike në Shqipëri është mungesa e konkurrencës. E drejta e gazifikimit iu dha “Albpetrolit” kur kjo kompani nuk parashikonte investime në gazifikim. “Albpetrolin” e frytë me të drejta ekskluzive”-tha ai.
Mirëpo, komentet e zotit Braçe ranë ndesh me qëndrimin e qeverisë. Ministri i Financave, Ritvan Bode theksoi se “nuk i është dhënë ekskluziviteti i gazit “Albpetrolit”. Sipas zotit Bode, “Albpetroli” përkundrazi “e ka pasur historikisht ekskluzive, por në kontratën e privatizimit i është hequr”.
“Ne po prisnim, – tha ministri Bode -, kalimin e një linje gazi të lëngshëm, e cila do të përdoret për furnizim jo vetëm të Shqipërisë, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. “Albpetrolit” i janë hequr rezervat nëntokësore të depozitimit të gazit të lëngshëm dhe ka qënë pjesë e ofertës së qeverisë shqiptare. Nuk është e vërtetë që “Albpetrolit” i është dhënë ekskluziviteti i gazit, por përkundrazi i është hequr ekzluziviteti nga kontrata”, – theksoi ministri Bode.
Zoti Bode hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për shitje karburanti, duke theksuar se “shitje ka pasur për çdo vit” dhe se “këtë radhë nuk kishte ndonjë ndryshim”.