PS fton opozitën për president konsensual dhe reformë Zgjedhore

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama tha se është e gatshme për president konsensual dhe reformë Zgjedhore me opozitën

Knid Ndrenika

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri tha se Partia e tij Socialiste qeveritare është e gatshme të bashkëpunojë për president të gjithëpranuar me opozitën.

Zoti Gjiknuri tha se kjo shkon në frymën e Kushtetutës që të synohet një presidenti konsensual.

“Do të thotë që ne jemi të hapur edhe për propozimet që vijnë nga opozita”-tha Sekretari Gjiknuri.

Presidentit të Republikës, Ilir Meta i përfundon mandati në 24 korrik 2022.

“Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi hapësirë për njerëz që mund të jenë mbi palët për të gjetur një figurë konsensuale dhe patjetër opozita ka një rol në këtë mes dhe këtë e ka bërë të qartë edhe Presidenti”-theksoi ai.

Gjithashtu, zoti Gjiknuri foli për bashkëpunim me opozitën për refrimën e re Zgjedhore.

Ai kujtoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka një standard të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe se “objekt pune është ai i vitit 2017”.

“Ata që duan të devijojnë nga ky objekt është devijim i traditës së komisionit partizan. Mesazhi është i qartë: Ne jemi gati të ulemi në Komisionin për Reformën Zgjedhore për të adresuar çështjet e mbetura të reformës zgjedhore apo të tjera që mund të dalin për të përmirësuar legjislacionin zgjedhor”-tha zoti Gjiknuri.