PS nis procedurën për shkarkimin e Presidentit Meta. Ai i quan “shashka”

Tiranë, 30 prill 2021 – Në Shqipëri, Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga pozita e Presidentit të Shtetit.

Mediet në Tiranë raportojnë se në celularët e deputetëve socialistë sot ka mbërritur një mesazh, në të cilin ata thirren në zyrën e Grupit Parlamentar, për të firmosur propozimin për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

“Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për ketë qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”, thuhet në mesazh.

Çfarë  thotë Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë në të cilin thirren socialistët që nuk e duan Metën president?

“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”, thuhet në Nenin 90 të Kushtetutës.

Nisma për shkarkimin e Metës nga pozita e Presidentit të Shetit është paralajmëruar një ditë më pare nga kryetari socialist Edi Rama.

“Meta është jashtë çdo lloj konfiguracioni dhe me Ilir Metën do të merret parlamenti i Shqipërisë. Sepse Ilir Metën populli e dënoi dhe parlamenti i Shqipërisë do ta formalizojë dënimin. Ky parlament ekzistues. Ilir Meta është i dënuar nga populli shqiptar”, tha Rama në një intervistë për një qendër televizive.

Por, Presidenti Meta duket se nuk i merr seriozisht përlajmërimet e Ramës. Të  premten, në një deklaratë për media, ai i cilësoi si “shashka” kërcënimet për shkarkimin e tij.

Meta ka thënë se Rama synon qënë këtë mënyrë të tërheqë vëmendjen nga kërkesa për  numërimin dhe rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 25 prillit. Ai ka tërhequr vërejtjen për numrin tepër të madh të fletëvotimeve që janë shpallur të pavlefshmegjatë procesit të numërimit.

“Asnjë përgjigje për shashkat të cilat duan të largojnë vëmendjen nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme që janë atje dhe që me pamje filmike duhet parë si janë bërë të pavlefshme se s’ka statistikë në botë të shikojë këtë rekord pavlefshmërie. Ne duhet të mbajmë vëmendjen këtu. Po të ishte për këtë histori, do të kishte ikur 100 herë presidenti, po ju e dini që e mbaj fjalën. Në 24 korrik 2022 këtu do e bëjmë konferenfën e fundit së bashku“, ka thënë Meta.

(r.m.)

Comment

*