PS-PD, beteja e egër për votat e fshatarëve

Nga Dardan Malaj

Statistikat e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe banesave konstatojnë se në Shqipëri afro 46% e popullsisë jeton në fshat. Një tregues i mjaftueshëm ky për të kuptuar se përse forcat kryesore politike po i kushtojnë rëndësi maksimale fshatit në këtë fushatë zgjedhore para 23 Qershorit.
Zonat rurale në pothuajse të gjitha proceset zgjedhore kanë rezultuar se mbështesin të djathtën e drejtuar nga Partia Demokratike dhe kryeministri aktual Sali Berisha por opozita ka vendosur të “thyejë” këtë tendencë duke kërkuar dhe synuar votën e fshatit. Në këtë betejë të ashpër, janë investuar dukshëm Berisha dhe Rama duke u përfshirë ethshëm në replika për çështje konkrete të programeve të tyre.

Demokratët angazhohen për vazhdimësi

Premtimi kryesor i Partisë Demokratike në fushatë ka të bëjë me infrastrukturën e fshatit ndërsa Berisha premton se do të asfaltohet çdo rrugë rurale në të gjithë vendit – duke ua bërë më të lehtë banorëve të zonave rurale qasjen në shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor, si dhe duke ua bërë më të lehtë bizneseve transportin e mallrave të tyre.
Berisha angazhohet për rrjetin e furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotura në zonat rurale, duke e rritur deri në nivelin 95% mbulimin me ujë të pijshëm dhe 60% mbulimin e rrjetit të ujërave të zeza.
Partia Demokratike shprehet e vendosur për heqjen e TVSH-në ndaj një sërë produktesh si plehrat, farërat dhe pesticidet, si edhe do të financojë trefishimin e granteve dhe huave për modernizimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale në mbarë vendin.
Në programin e selisë blu theksohet mbështetja e politikave zhvillimore dhe financimi i investimeve të cilat harmonizojnë zhvillimin rural dhe urban, duke bërë të mundur që banorët e zonave rurale të gëzojnë akses në shërbimet e shëndetësisë, arsimit, në shërbimet administrative të institucioneve vendore e qendrore.
“Gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të forcojmë dhe përmirësojmë digat dhe rezervuarët, do të përmirësojmë sistemet kulluese, si edhe do të zgjerojmë sistemet e ujitjes për 30 mijë ha tokë bujqësore çdo vit”, shprehet kryeministri Berisha.
Sakaq, Partia Demokratike ka hequr TVSH-në mbi makineritë e industrisë së përpunimit të prodhimeve bujqësore. Si rezultat, pretendohet se sipërmarrjet përpunuese kanë mundësinë të shtojnë prodhimin dhe të fusin teknologji e standarde të reja – duke rritur dhe pasuruar shportën e produkteve që serviren në tavolinat tona apo tregtohen në tregjet e huaja.

Socialistët premtojnë rilindjen e fshatit

Në kuadër të zhvillimit rural modern socialistët premtojnë heqje e tatimfitimit, në katër vitet e para, për industritë e reja agropërpunuese dhe lehtësi fiskale në kostot e ambalazhimit dhe paketimit.
PS insiston tek integrim i prodhimit bujqësor me Kosovën me qëllim krijimin e një tregu të përbashkët bujqësor e ushqimor dhe pasjen e një oferte të përbashkët për tregjet e eksportit.
Duke premtuar garantim të cilësisë dhe sigurisë në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga ara deri në tavolinën e konsumatorit, PS thotë se do të bëjë përpjekje maksimale për pesëfishimin e shërbimeve bazë bankare e financiare në fshat, veçanërisht me sistemin e mikrokredive, që në dy vitet e para të mandatit.
“Punësim për më shumë se 150 mijë vetë në fshat dhe në aktivitete që lidhen drejtpërdrejtë me bujqësinë. Politikat fiskale që kontribojnë në uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të mekanikës bujqësore. Do të ndiqen politika fiskale me qëllim uljen e kostove të prodhimit, rritjen e konkurencës dhe lehtësimin e daljes së produkteve vendase bujqësore në tregjet e eksportit”, vlerëson Edi Rama, kreu i PS.
Përveç konsolidimit të infrastrukturës portuale, si ndërtimi i portit të ri të peshkimit në Durrës, zgjerimi i bankinave në Shëngjin, zgjerimi i portit të Sarandës etj, socialistët premtojnë edhe heqje e akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës për peshkimin.
“Do të pesëfishojmë financimin publik për mbështetjen e bujqësisë; ulje rreth 35% e çmimit të naftës (50-55 lekë bazuar në çmimin aktual), me heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, bashkë me tatimin mbi vlerën e shtuar që zbatohet mbi këto dy taksa; Heqje e tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjithë plehrat kimikë, farat e fidanët dhe materialin gjenetik shumues që përdoret në blegtori. Heqje e tatimit mbi vlerën e shtuar për vaksinat dhe ilaçet si dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë”, premto Rama.
Të majtët nëse vijnë në pushtet thonë se do të investojnë 160 milionë USD për të rimëkëmbur sistemin e ujitjes dhe kullimit, brenda periudhës 4 vjeçare ashtu sikurse përfundimi i reformës së tokës sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7501, brenda 2 vjetëve të parë të qeverisjes.
“Regjistrim i pasurive në zonat rurale dhe zgjidhje e konflikteve për pronësinë, brenda 2 vjetëve të parë të qeverisjes. Regjistrim i pronësisë dhe pajisje me çertifikatën e pronësisë, brenda 2 viteve të para të qeverisjes”, thotë Rama.