Pse Amerika nuk preferoi pro-amerikanizmin e Nolit por realpolitikën e Zogut

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e dhjetë

 

Ahmet Zogu dhe Udrou Uillson, njëri djalosh i ri dhe tjetri në moshë të epërme, i pari me jetë në Tiranë dhe i dyti në Uashington, politikani shqiptar në ngritje dhe ai amerikan në ikje, nuk u takuan dot kurrë. Jo fizikisht, por të paktën në gjeste historike. Asnjë të ngjarë nuk ka që pamundësia kontaktit u shkaktua nga që beu matjan qe njeri i së djathtës dhe presidenti amerikan i së majtës. Zogu ishte pragmatik dhe këto hollësi pak i hynin në punë. Ai përthithte çdo të dhënë që lidhej me rrugën e tij drejt pushtetit. Mes të tjerash atij i kishte rënë në vesh fjala për një informacion me burim diplomatik. Qe i mesit të vitit 1919. Në të duke ngulur këmbë për një rol të afërt të Amerikës për Shqipërinë thuhej se në rast që nuk mund të bënin rolin e mbrojtësit të saj të paktën të kryenin atë të kontrollorit mbi shtetin tjetër, i cili do të qe protektor. Ishte pikërisht ky material i rezervuar për vetëm Shtëpinë e Bardhë ku thuhej fjalë për fjalë se shqiptarët “e adhurojnë dhe e duan ShBA-në si edhe idealet amerikane”. Jo vetëm gjymtyra e parë e shprehjes, por edhe e dyta e kishin vënë në mendime për të ridimensionuar profilin e veprimit të tij politik të ardhshëm.
Zogu e dinte fare mirë një gjë: kur nisi karrierën, çka i ndodhi të përkonte me ditëshpalljen e pavarësimit kombëtar, mes shqiptarëve dashuria për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një rezervë e pafund elektorale. Ishte faktori që grumbullonte përreth konsensusin më të gjerë. Me një fjalë, edhe pse e pashpallur, e paorganizuar dhe jo e regjistruar formalisht, Amerika qe partia më e madhe e shqiptarëve. Shteti i ri i tyre, si të thuash, kishte lindur në 28 nëntor bashkë me këtë dhunti. Madje qe më tepër se kaq, ishte trashëgimi. E pati pasur në trupin e nënës, të paktën që në dhjetë vjetshin e parë të shekullit, pse jo edhe më parë. Në shkrimet e mëvonshme të këtij cikli do të shohim më hollësisht se kjo qe vepra e shkëlqyer historike dhe largpamëse e emigrantëve shqiptarë në ShBA, e diasporës së tyre të fuqishme.
Për Ahmet Zogun kjo frymë shqiptarie me në mendje e zemër Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pafatin e tij nuk qe e thënë të ishte një “mollë” lehtësisht e ngrënshme. Duke mos qenë e ndaluar nuk ndodhej përherë në tryezën e tij. Shpesh ia bënin atë të hidhur rivalët. Opozita politike dhe më të spikaturit e saj vinin nga diaspora e emigracionit shqiptar në Amerikë dhe kjo qe shndërruar në pothuaj një qeveri paralele me atë të Tiranës. Shoqëria “Vatra”, më e madhja organizuese dhe mobilizuese e tyre, jo vetëm kishte hapur përfaqësi diplomatike në disa kryeqytete të Evropës, por edhe pati dërguar në Shqipëri si përfaqësues të saj të gjithëfuqishëm politik dy nga figurat më popullore dhe më konsensus mbledhëse: Faik Konicën dhe Fan Nolin.
Por jo vetëm këta të dy nuk rrinin të rreshtuar në krah të Ahmet Zogut dhe për pasojë ja vështirësonin ngjitjen në majën e pushtetit mbi shqiptarët. Shumë të tjerë, kryesisht intelektualë, veçanërisht njerëz të përdorimit të medias, i rrinin përballë, në mos mbështetje. Për ta neutralizuar apo thyer sadopak këtë front të ngjeshur kundërshtarësh ai për ca kohë Zogu luajti rolin e një simpatizanti nolist. Ishte i shtrënguar ta bënte këtë lojë, sepse ata qenë të gjithë proamerikanë dhe me këtë flamur përpara ia kishin ngushtuar e në mos mbyllur të gjitha hapësirat për të bërë edhe ai ndonjë idil me Shtëpinë e Bardhë.
Por Zogu kishte durim të madh të priste orën e tij dhe këtë armatë të zhurmshme që i bënte luftë politike që prej brigjeve të largëta të përtej Atlantikut, ta ndante, dobësonte dhe më në fund thërrmonte.
Ora e revanshit të tij nisi pikërisht atë çast kur u duk se do të ngjante e kundërta, madje i pritej zhvendosja në periferi, dështimi, fundosja në harresë, fikja e të gjitha ambicieve. Në mes të qershorit 1924, ndërsa raportet e legatës amerikane në Tiranë e informonin qendrën e tyre në Uashington se Fan Noli qe një simpatizant i zjarrtë i Amerikës dhe jo i tillë Ahmet Zogu, u krye i quajturi nga historiografia zyrtare e diktaturës komuniste “Revolucioni Demokratiko-Borgjez i Qershorit”. Qeveria e re, e ardhur në pushtet nëpërmjet një kryengritjeje të armatosur, por që nuk shkaktoi asnjë të vrarë, nga bashkësia ndërkombëtare u shoqërua me heshtje dhe më pas edhe u vu në karantinë diplomatike. Ajo nuk u njoh prej asnjë vendi të Perëndimit, as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të ndërruar mendim Shtëpia e Bardhë nuk u sugjestionua as prej fragmentit mbyllës të fjalës së Fan Nolit të mbajtur në mes të shtatorit në Gjenevë në seancën e përgjithshme të organizatës globale të Lidhjes së Kombeve. Atje prej tij u shqiptua solemnisht “Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq…”.
Kur Ahmet Zogu me pjesën kryesore të të armatosurve të tij të organizuar e të stërvitur në Jugosllavi la në Beograd rezidencën, hotel Bristolin, dhe me bazë nisjeje buzëkufirin sulmoi territorin shqiptar, në Uashington nuk qenë kundër. Mund ta bënin këtë gjë, të paktën me një deklaratë formale mospajtimi, në rast se qe e nevojshme. Veç nuk ishte e tillë. Edhe pse Noli nuk qe komunist mirëfilli e ca më pak bolshevik, përdorimi i kryengritjes së armatosur dhe thyerja e përkohshme e tij si kryeministër, që në mes të izolimit të ashpër diplomatik pranoi ofertën sovjetike të njohjes së qeverisë dhe në ngazëllim e sipër për dy apo tre ditë edhe mbajti në Tiranë të gjithë personelin e legatës të porsa emëruar e të dërguar me ngut nga Moska, bënë që vepra e tij politike të ngjasonte formalisht, të paktën nga jashtë, me Revolucionin e Madh Socialist të Tetorit. Historia e botës deri në 1917 kishte pasur pa fund raste kur pushteti qe marrë me dhunë dhe pas kësaj ishte legjitimuar nga fuqitë e mëdha të kohës, por ajo që ndodhi në Shën Petërsburg dhe sistemi shoqëror që solli kryengritja leniniste kishte hapur shtegun, justifikuar, ofruar dhe madje modeluar si të vetmen mënyrë ndërrimin e sistemit shoqëror nëpërmjet forcës. Pas kësaj, në rastin e Fan Nolit patjetër si paragjykim, ky nuk mund të priste një qëndrim tjetër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheu i lirisë dhe i mospërdorimit të dhunës në garimin politik.
Kështu dështoi në mënyrën më të bujshme dhe Ahmet Zogu u rikthye në Tiranë dhe në pushtet. Trupat e tij ushtarake, të pajisura me topa jugosllavë dhe mercenarë të shumtë bjellogardistë, kryen, në fakt imituan, atë që Perëndimi bëri me bolshevikët në vitet e para të fitores së tyre: luftën për t’i rrëzuar me çdo kusht. Kështu politikani i ri nga lugina e thellë e Matit, por plot intuitë për të futur nën kontroll hapësira territori shumë më të mëdha, për shumicën e bashkësisë ndërkombëtare u konsiderua një çlirimtar i popullit të vet nga diktatura (e supozuar) komuniste. Bota e përparuar nuk u shqetësua pse edhe ky vetë i pezulloi partitë politike dhe vendosi në vend një regjim autoritarist. Në kryeqytetet kryesore të Evropës dhe në Shtëpinë e Bardhë dëshironin një shembull të dekurajimit të fortë të komunizmit dhe Ahmet Zogu, i cili e pati kuptuar këtë urgjencë gjeostrategjike të Perëndimit, e kishte dhënë duke marrë notën dhjetë.
Pikërisht këtë gjë nuk e kishte marrë vesh njeriu i diturisë, por jo i politikës reale, Fan Noli. Në emigracion, në Vjenë apo në Berlin, ai e shtyu trajektoren e bëmës të tij politik edhe më shumë drejt Moskës sovjetike, aleancës me të. Llogaria e tij e çalë në shumatore nxirrte si të domosdoshëm veprimin e nxjerrjes së gozhdës me gozhdë. Ahmet Zogu e kishte hequr nga pushteti me rusë të bardhë antikomunistë dhe me një Beograd po kaq antisovjetik sa edhe Londra, Berlini apo Uashingtoni. Fan Noli do ta largonte nga poltroni me anë të komunistëve. Qëllimi justifikon mjetet, thotë një sentencë problematike dhe e pacipë e ushtrimit të politikës. Në përdorimin e saj Noli nuk qe më engjëll se Zogu.
Pasi dështoi ta rirrëzonte të fortin e Tiranës njeriu i penës dhe e mendjes së hollë për art e letërsi u rikthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoriteteve të vendit pritës u pati premtuar se nuk do të merrej me politike, kurse në të vërtetë e vijoi betejën me Ahmet Zogun. Kishin filluar vitet tridhjetë, periudhë e stabilizuar e regjimit të Tiranës, dhe Noli po kryente një gabim tjetër taktik. Për interesat gjeostrategjike të Evropës, vendeve demokratike të saj, por tashmë edhe të dy vatrave të nxehta të fashizmit e ndonjë shteti kukull të tyre, objektivi kapital ishte të sigurohej mosdepërtimi i sovjetikëve në Shqipëri. Kjo donte të thoshte se Zogu, njeriu që e siguronte këtë rrethanë, nuk kishte përse hiqej.
Fan Noli, i cili e donte me zemër Amerikën dhe në mendësi e kulturë qe një liberal, pra aspak bolshevik, nuk kishte kuptuar gjë prej gjëje prej zanatit të ngatërruar të politikës. Kryengritja e tij e armatosur nuk pati shkaktuar asnjë të vdekur (kjo edhe për meritë të rivalit të tij, i cili i hapi rrugë paqësisht e kapërceu menjëherë kufirin), kurse sulmi ushtarak i këtij të fundit dhe rezistenca që iu bë shkaktuan e shumuan me dhjetëra e dhjetëra të vrarë, por kurrkush nga kançeleritë e kontinentit dhe të përtej Atlantikut nuk çeli gojë. Noli nuk pati pasur dëshirë të kuptonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin dhënë të qartë mesazhin e tyre mbështetës që kur ia njohën Ahmet Zogut rikthimin dhe qeverinë që në muajin e dytë të punës. Ai nuk e “lexoi” mirë këtë sjellje të Uashingtonit edhe kur në 1928, pasi ky u vetshpall mbret, Shtëpia e Bardhë e njohu me statusin e ri rrufeshëm, gati sa të hapje e të mbyllje sytë: brenda dy javësh.
Fan Noli rronte akoma me nostalgjinë e moteve të shkuara, vite kur Amerika ndihej afër tij, ndërsa tashmë ajo ia pati kthyer shpinën dhe ndihej më e qetë me beun e Matit. Dijetari i thellë që bënte nga pak politikë e kishte ShBA-në me të vërtetë në zemër, por e rëndësishme qe e kundërta. Ahmet Zogu i ftohtë e pragmatist mund të mos e kishte masë të emocionuar ndjenjash dashurinë për Amerikën, por ishte kjo që e kishte për zemër.
Qeverisësi i ri i Tiranës në raportet me Uashingtonin pati përparuar ngadalë e në mënyrë të sigurt. Për të hyrë si shqiptar në zemrën e Uashingtonit ai i kishte zbuluar supershtetit dy pikat e forta. E para qe lufta e vazhdueshme kundër komunizmit, e dyta diaspora. Pushteti i kësaj të fundit, edhe po të kufizohej në Shqipëri, ishte e uragan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e saj paralele e Tiranës qe përherë e fortë, madje edhe në kushtet e përçarjeve më të mëdha të brendshme të saj.
Ahmet Zogu ia kishte marrë shpinën frontit kundër tij në ShBA. Aksioni i tij më i parë qe të bënte pas vetes Faik Konicën. Gjigandi i dijes enciklopedike dhe i autoritetit të madh mes diasporës, deri ato çaste rival, e këmbeu ambicien e vet politike me postin e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington. Deklaroi se kishte dëshirë t’i shërbente në të njëjtën kohë imazhit të mirë të vendit të tij si edhe me këtë rast, edhe presidentit e më pas mbretit të saj. Konica në vetorientimin e ri zbatoi menjëherë kursin e Tiranës dhe atë që njëkohësisht dëshironte edhe Amerika: Fan Nolin pa pushuar qoftë edhe një çast e akuzoi përherë si komunist.

 

(Tiranë, më 18 korrik 2011 – Të dashur lexues, me këtë pjesë mbyllet edhe cikli i parë historik kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, I shkruar posaçërisht për gazetën “Illyria” nga publicisti dhe autori i mirënjohur Ylli Polovina.)

Comment

*