PSE DUHET TË TAKOHEN SA MË PARË EDI RAMA DHE ALBIN KURTI?

Emin AZEMI

Është nevojë urgjente që Kosova të rikthejë shikimin nga Tirana zyrtare dhe kryeministri Kurti sa më parë të takohet me kryeministrin Rama. Kosova ka nevojë për diplomacinë e Shqipërisë dhe për angazhimet konkrete të kryeministrit Rama. Ky i fundit duhet ta trajtojë Kosovën si një temë që kërkon më tepër kujdes, si në planin e betejave diplomatike për të amortizuar goditjet e Serbisë, ashtu edhe në planin e intensifikimit të raporteve ndërshtetërore, ku Kosova ka nevojë të madhe të ndjej nga afër efektet e kompenzimit të humbejeve evenetuale nga situata e krijuar në muajt në vazhdim.

 

Shtatori nuk vjen me lajme shumë të mira për Kosovën. Largimi i trupave amerikane nga Afganistani, i ka hapur telashe të reja administratës së presidentit Biden, e cila tash e tutje do të merret me menaxhimin e pasojave nga kjo tërheqje dhe me rregullimin e imazhit antiamerikan që po krijohet në botë. Për pasojë, Washingtoni nuk do të ketë kohë të merret me Ballkanin dhe këtë Beogradi do ta shfrytëzojë për të vazhduar fushatën e saj diplomatike kundër Kosovës dhe presionet e vazhdueshme për të arritur qëllimet e saj, që si synim final ka bosnjizimin e Kosovës.

Më 4 shtator skadon zotimi i Serbisë për të mos lobuar për çnjohjet e Kosovës, një çështje kjo që ishte përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator, vitin ekaluar.

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq këto ditë ka deklaruar se fill pas kësaj date disa shteta janë gati të tërheqin njohjet për Kosovën. Në mesin e tyre edhe Afganistani i drejtuar nga talebanët, mund të ndodhet në listen e këtyre shteteve.

Beogradi po e përgadit terrenin për t’iu shmangur obligimeve që ka ndaj dialogut me Kosovën, duke ia lënë fajet kjryeministrit Kurti se ai “flet vetëm për të kaluarën, e jo për të ardhmen”.

Duke u nisur nga kjo, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “dialogu me Kurtin s’po ka kuptim”, ndonëse sipas tij “Serbia gjithnjë do të marrë pjesë në dialog kurdo që të thirret, por në dialogun me Albin Kurtin nuk shoh ndonjë kuptim të madh, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, e jo për të ardhmen, e as të shkuarën nuk e pasqyron siç duhet”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Ky qëndrim i Vuçiqit vjen pas një deklarate të Kurtit i cili kishte thënë se “nuk japin asgjë për të marrë njohje”, por duke pranuar se njohja nga Beogradi ka shumë rëndësi për Kosovën.

Kosova po paguan koston e politikave të pa studiura mirë të ish ushëheqësve të saj. Për rrjedhojë dialogu Kosovë-Serbi, filloi një vit pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dhënë verdiktin se “pavarësia e Kosovës nuk është e njëanshme”. Në këtë dialog Serbia po kthehej si faktor i rrezikuar ku Kosova duhej të bënte lëshime, madje, sipas ish udhëheqësve Kosova duhej të rinegoconte statusin e saj. Ky qëndrim poshtërues i Prishtinës zyrtare prodhoi defektet e Pakos së Ahtisarit, e cila ishte ridizajnuar, jo siç e kishte menduar diplomati finlandez, por siç pretendonin politikanët serbë. Pakoja e Ahtisarit në vend se t’i hapte Kosovës perspektiva të reja zhvillimi, ajo i dha argumente shtesë Serbisë se shteti i Kosvës është i pa plotë deri sa të mos bosnjizohet.

Me këto ide e synime, Beogradi mendon sërish ta vazhdojë betejën e tij në dialogun e Brukselit, kurse të gjitha kundërshtimet që vinë nga Prishtina, Vuçiqi i interpreton sipas kutit të tij,në stilin:  “dialogu me Kurtin s’po ka kuptim”. 

Për Vuçiqin dialogu do të kishte kuptim sikur kryeministri Kurti të mos kërkonte nga Serbia ballafaqimin me të kaluarën e saj kriminale. Sikur Kosova t’i lejonte Serbisë të shndërrohej në shtet jofunksional me një republika Srpska brenda, ku Beogradi sërish do të kishte në duar adutet e destabilizimit të mëtejmë.

Por, të gjitha këto argumente në anën e Kosovës sikur nuk po mjaftojnë për të shënuar një kthesë në raport me zhvillimet aktuale. Në të kalaurën koha kishte punuar për Kosovën, por tani politikanët që e udhëheqin atë duhet të mendojnë seriozisht se si ta menaxhojnë situatën në kushtet kur jo të gjitha rrethanat janë në favor të saj.

Fillimisht, rikthimi i pandemisë dhe përqëndrimi tek kriza shëndetësore, do të jetë një minus për politikën kosovare, e cila në vend se të merret me amortizimin e goditjeve që vinë nga Serbia, do të duhej të kujdeset për shëndetin e kërcënuar të njerëzve.

Fushata zgjedhore që fillon në shtator për zgjedhjet lokale të tetorit, do ta fokusojnë vëmendjen e politikës jo tek çështjet kruciuale që kanë të bëjnë me stabilitetin institucional për një ardhmëri më të sigurt, por tek betejat për primat politik nëpër komuna, ku përleshja mes palëve do të rrisë edhe më tepër hendekun në mes të atyre që duan një shtet të fuqishëm dhe atyre që duan një parti të fuqishme.

Kjo zhendosje e prioriteteve politike do t’i faturohet si saldo negative Kosovës në raport me Serbinë, sepse kjo e fundit po përgatitet fuqishëm që të kthejë në favor të saj çdo lëshim eventual të Prishtinës zyrtare.

Zhvillimet në Afganistan që prodhuan një gjendje kaotike nëpër rrugë dhe aeroporte, me pamje të rrëmujshme të njerëzve që po radhiten në kolona të gjata refugjatësh, sigurisht që do të reflektohen edhe në Kosovë, por jo në favor të saj. Kriza e re e refugjatëve do të mobilizojë burokratët në Bruksel t’i braktisin axhendat e deridjeshme dhe t’iu rreken programeve për sistemimin e refugjatëve nëpër shtetet e ndryshme  evropiane. Do të shkojë gjithë vjeshta duke u marrë me këtë problematikë, ndërkohë që dialogu Kosovë-Serbi do të humbë rëndësinë dhe vëmendjen tek politikanët e Brukselit.

Të gjitha këto janë rrethana të reja që për Serbinë do të jenë tepër të favoshme, kurse për Kosovën tepër të pafavorshme.

Prandaj, është nevojë urgjente që Kosova të rikthejë shikimin nga Tirana zyrtare dhe kryeministri Kurti sa më pare të takohet me kryeministrin Rama. Kosova ka nevojë për diplomacinë e Shqipërisë dhe për angazhimet konkrete të kryeministrit Rama. Ky i fundit duhet ta trajtojë Kosovën si një temë që kërkon më tepër kujdes, si në planin e betejave diplomatike për të amortizuar goditjet e Serbisë, ashtu edhe në planin e intensifikimit të raporteve ndërshtetërore, ku Kosova ka nevojë të madhe të ndjej nga afër efektet e kompenzimit të humbejeve evenetuale nga situata e krijuar në muajt në vazhdim.

Kohë për të humbur nuk ka gjithaq, kurse më të humbur do të dalin ata politikanë që ende mendojnë se koha pafundësisht punon për ta.

One Response to “PSE DUHET TË TAKOHEN SA MË PARË EDI RAMA DHE ALBIN KURTI?”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    As nuk jane sha e as nuk jane vra!As nuk ia ka ndal ujin e as nuk i ka vu zjarrin asnjeri asnjeritAndaj,nuk duhet fare Anton Cetta!Takohen kur duan e ku te duan,jane toke e hapesire shqiptare,ku keta qeverisin dhe kane obligim te ofrojne popullin.Pasi po e shohin se, populli nuk larrgohet nga njeri-jetri,jane vellezer te deshmuar per nj eri-tjeteri ne kohe te liga e te veshstira.Kane mall te qendrojne afer mes vedi,Gjate ishin te ndare!

Comment

*