Pse Korona nuk do që të vdesim

Nga Ruben Avxhiu

Shikoni çfarë koncepti interesant mësova nga Dr. Camaj gjatë intervistës me të.
Viruset përfshi edhe atë të Koronës, zakonisht transformohen me kalimin e kohës, duke u bërë më pak vdekjeprurës.
Virusi e përdor trupin e njeriut si banesë dhe si mjet udhëtimi, për në “banesa” të tjera. Për këtë arsye nuk është në interesin e virusit që ta vdesë të infektuarin. Sa më gjatë jeton i infektuari me virusin në trup, aq më shumë virusi e ka një banesë si dhe një bazë për të kërcyer në trupa të tjerë.
Për këtë arsye, virusi ka shanse të bëhet me ngjitës, por më pak vrasës ndërsa modifikohet.
Sigurisht biseda me Dr. Camajn nuk ishte shumë për këtë aspekt i cili përmendet shkarazi, por ishte nga ato momente që më mbeti në mendje.
Kur luftojmë një virus rrallë e vendosim veten në pozitën e tij, diçka normale se virusi nuk përdor arsyen, por beteja darviniane për mbijetesë është universale dhe ndihmon në kuptimin e këtij armiku tekanjoz të ri që ka çakërdisur realitetin e njerëzimit në mbarë botën.
Më kujtohet ajo që kam lexuar diku tjetër se një nga arsyet pse simptomat nga infeksioni nuk shfaqen menjëherë – që shpesh e quajmë inkubacion – vjen nga përpjekja e virusit për të mos u diktuar menjëherë nga sistemi. Simptomat e sëmundjes janë shpesh rezultate të luftës që trupi bën me virusin.
Nga ky pikëvshtrim, Korona është një virus veçanërisht tinzar. Një nga dukuritë e përshkruara në luftën kundër tij është mungesa e vijueshmërisë. I sëmuri ka ditë të mira dhe ditë të këqia. Shpesh përpara rëndimit të pacientit është vënë re një përmirësim i madh, gati një bindje se më e keqja kaloi. Praktikisht Korona bën sikur u mund, përpara se të rifillojë veprimtarinë.
Sigurisht, po i vesh arsye virusit për të lehtësuar kuptimin e dinamikës. Virusi nuk vendos me arsye për t’u zbutur. Ajo që ndodh në praktikë që sjell triumfin e formave më të buta të virusit sipas hamendjes së thjeshtë është kjo: Llojet e forta të virusit i vrasin pacientët shpejt, simptomat janë shumë të rënda, njerëzit e tjerë mbajnë distancë ndaj një të sëmuri të tillë, që vdes përpara se t’ua ngjisë shumë vetëve. Me të vdes edhe virusi.
Nga ana tjetër, virusi në formën e zbutur banon në një njeri më pak të sëmurë, me më pak simtoma, që do të jetë në jetë e shoqëri deri në shërim. Njerëzit frikësohen më pak prej tij se duket më pak i sëmurë. Mundësitë e ngjitjes, përhapjes së virusit në këtë rast janë shumë më të mëdha. Me kalimin e kohës, kjo formë e zbutur e virusit bëhet mbizotëruese, derisa del një formë edhe më e butë. Kjo duhet të ketë ndodhur me gripin e me viruse të tjera që bashkëjetojnë me ne pa na vrarë në masë.

Për ata që nuk e kanë lexuar intervistën me Dr. Pashko R Camaj, mund ta gjeni këtu: http://illyriapress.com/kujdes-maksimal-qe-ti-japim-kohe-shkences-per-finalizimin-e-vaksines/

Dr. Pashko R. Camaj