Pse Kosova shënoi rënie në lirinë e mediave?

Prishtinë, 20 prill 2021 – “Pandemia e COVID-19 dhe sulmet verbale dhe fizike ndaj punonjësve të mediave, kanë kontribuar që Kosova të shënojë rënie në raportin e sivjetmë për lirinë e shtypit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”, tha Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës.

“Ajo që ka bërë që Kosova të bie tetë pozita më poshtë (në raportin e Reporterëve pa Kufij) është viti pandemik, mbyllja e njerëzve dhe konsumimi i tepërt i mediave. Pastaj, sulmet verbale dhe kibernetike, po ashtu edhe sulmet fizike që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, iniciativa ligjore që mund të censurojnë lirinë e mediave dhe shprehjes nuk ka pasur”, tha Zejnullahu për Radion Evropa e Lirë.

Studiuesi i mediave në Universitetin e Agderit në Norvegji, Abit Hoxha, mendon se faktorët e rënies nuk varen drejtpërdrejtë nga Kosova.

Sipas tij, vlerësimi është global dhe nëse dikush tjetër përmirësohet, Kosova natyrisht bie me poshtë në listë. Siqoqoftë, ai thekson se presionet dhe sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë janë në rritje.

Edhe në raportin e organizatës “Reporterët pa kufij” thuhet se gazetarët dhe mediet në Kosovë “janë të ekspozuara ndaj një ambienti armiqësor që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, presion për censuruar veten dhe mungesë të transparencës për pronësi të mediave”.

Në raport thuhet gjithashtu se mediat e brishta financiarisht janë të ndjeshme edhe ndaj ndikimit politik.

Njsë tjetër konstatim i organizatës “Reporterët pa kufij” është edhe “tendenca që mediet të fokusohen në çështjet që përbëjnë shqetësim për etninë e tyre dhe t’i mbulojnë ato nga këndvështrimi i tyre”.

Abit Hoxha e pranon se mediat në Kosovë kanë pak bashkëveprim ndëretnik, por ai këtë e arsyeton me mosnjohjen e gjuhës së komuniteteve.

Ndërkaq, Ardita Zejnullahu thotë se mediat në Kosovë mundohen që ngjarjet t’i mbulojnë në bazë të interesit publik dhe jo sipas interest të grupeve etnike.

Por, Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV Kim në Çagllavicë, pajtohet se gazetarët janë të fokusuar kryesisht në komunitetet e tyre. Sipas saj, kjo është vërejtur sidomos gjatë pandemisë COVID-19.

“Nuk kam vërejtur se kolegët shqiptarë janë marrë shumë me situatën në komunat me shumicë serbe, ashtu siç nuk po shoh që edhe kolegët nga redaksitë serbe të raportojnë lidhur me situatën në komunitetin shqiptar në Kosovë. Kjo ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se sistemi i shëndetësisë, ku mjekohen serbët dhe shqiptarët, janë të ndara”, tha ajo.

Në raportin e organizatës “Reporterët pa kufij” për lirinë e shtypit gjatë vitit 2021, Kosova është renditur në pozitën e 78-të, tetë pozita më keq se gjatë vitit 2019.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa kufij”. Sipas këtij asociacioni, rënia që ka pësuar Kosova për tetë vende në indeks e  dëshmon gjendjen jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.

AGK vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

(r.m.)