Publikohen deklaratat tatimore të ish-presidentit Trump

Uashington, 30 dhjetor 2022 – Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi të premten taksat e gjashtë viteve të fundit të ish-presidentit Donald Trump, duke hedhur më shumë dritë mbi të dhënat e tij financiare, që ai bëri përpjekje të mëdha për t’i mbajtur sekrete.

Ky është rezultat i një përpjekjeje shumë vjeçare të ligjvënësve demokratë për të mësuar më shumë rreth financave të manjatit të pasurive të patundshme, i cili shkeli traditën politike dhjetëra vjeçare, duke mos publikuar në mënyrë vullnetare informacionet lidhur me të ardhurat e tij në kohën kur ishte kandidat për president.

Taksat e bëra publike janë ato viteve 2015-2020. Bëhet fjalë për 2700 faqe të deklarimeve tatimore të zotit Trump dhe bashkëshortes së tij Melania Trump dhe më shumë se 3000 faqe të tjera të deklarimeve tatimore të bizneseve të tij.

Publikimi i tyre pason një votim në vija partiake të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi të Ardhurat Buxhetore javën e kaluar për të bërë publike dokumentet e taksave, duke mbajtur të fshehta vetëm informacionet private, si të dhënat e kartave të identitetit dhe adresat.

Ligjvënësit demokratë të këtij komisioni, thanë se publikimi i tyre po bëhej në mbështetje të transparencës dhe sundimit të ligjit, ndërsa ligjvënësit republikanë thonë se publikimi është një precendent i rrezikshëm që kërcënon masat e mbrojtjes së privatësisë.

Publikimi i taksave të ish presidentit, bëhet vetëm disa ditë para se republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Komisioni i siguroi dokumentet e taksave ndërsa po hetonte, siç vihet në dukje në një raport të 20 dhjetorit, dështimin e agjencisë së taksave për të bërë kontrollet e parashikuara me ligj të taksave të zotit Trump gjatë presidencës së tij.

Publikimi i këtyre dokumenteve mund të nxjerrë informacione të reja në lidhje me financat e zotit Trump, për të cilat është folur shumë që në ditët kur ai filloi biznesin e pasurive të paluajtshme në Manhattan në vitet 1980. Publikimi i dokumenteve të taksave mund të ketë një rëndësi më të madhe tani që zoti Trump ka filluar fushatën e tij të tretë për president të Shteteve të Bashkuara.

Deklaratat tatimore të zotit Trump ka të ngjarë të ofrojnë një pasqyrë më të qartë të financave të tij gjatë kohës kur ai ishte President i Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump, i njohur për ndërtimin e rrokaqiejve dhe drejtimin e një emisioni televiziv biznesi përpara se të bëhej president, shkeli një traditë të hershme politike, duke mos i bërë publike tatimet e deklaruara në kohën kur ishte kandidat për president. Megjithatë, ai dha disa detaje të kufizuara në lidhje me pasuritë dhe të ardhurat e tij në formularët mbi gjendjen financiare, që ai i plotësoi kur vuri kandidaturën për president.

Çdo president dhe kandidat nga të dy partitë kryesore amerikane, që nga koha e ish-presidentit Richard Nixon, në mënyrë vullnetare ka bërë publike të paktën një përmbledhje të informacionit mbi deklarimet e tyre tatimore. Zoti Trump e kundërshtoi këtë prirje si kandidat dhe si president, duke pohuar vazhdimisht se taksat e tij ishin “duke u shqyrtuar nga autoritetet” dhe nuk mund të bëheshin publike.

Në vend të kësaj, zoti Trump ka reklamuar vlerën e lartë të pasurive të tij të patundshme, në deklarimet financiare vjetore që u jep bankave për të siguruar kredi të reja, si dhe revistave financiare për të justifikuar vendin e tij në renditjen e miliarderëve të botës.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letita James ka ngritur një padi që pretendon se zoti Trump dhe Organizata Trump kanë fryrë vlerën e pasurive në deklarimet e tyre tatimore, si pjesë e një skeme shumëvjeçare mashtrimi.

Gazeta The New York Times në vitin 2020 raportoi se zoti Trump kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa federale mbi të ardhurat në vitet 2017 dhe 2018, dhe se në 10 nga 15 vitet e mëparshme ai nuk kishte paguar taksa mbi të ardhurat sepse, në përgjithësi, gjatë atyre viteve ai kishte deklaruar humbje financiare.

Në raportin e tij javën e kaluar, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve mbi të Ardhurat Buxhetore, tha se administrata Trump mund të mos ketë respektuar rregullin e miratuar pas skandalit “Watergate”, që e bën të detyrueshëm kontrollin e dokumenteve tatimore të presidentit.

(Zëri i Amerikës)