Publikohen pamjet e sulmit me armë në shkollën fillore të Teksasit

Uvalde (Texas, US), 13 korrik 2022 – Një gazetë në shtetin juglindor amerikan të Teksasit publikoi pamjet nga kamerat e sigurisë të sulmit me armë në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit dhe ndërhyrjen e policisë në masakrën e majit ku u vranë 19 fëmijë dhe dy mësues. Pamjet janë të redaktuara dhe të rënda për t’u parë.

Në pamjet shqetëuese 90 minutëshe të publikuara të martën në faqen e gazetës “Austin American Statesman”, shihet sulmuesi 18 vjeçar, Salvador Ramos duke hyrë në shkollën fillore në Uvalde, para se të fillojë të qëllojë me armë zjarri në drejtim të fëmijëve.

Policia futet në shkollë vetëm pak minuta më vonë. Fillimisht disa oficerë nxituan drejt klasës, por u tërhoqën pasi dëgjuan të shtëna të tjera.

Të tjerë oficerë policie futen në shkollë, disa prej të cilëve kishin pajisjet e duhura mbrojtëse.

Por, në pamjet e redaktuara shihet se oficerët vazhdojnë të qëndrojnë në fund të korridorit për 77 minuta pa ndërhyrë, edhe pasi kishin dëgjuar të shtëna të tjera.

Dy oficerë të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara më në fund futen në klasë, duke qëlluar dhe vrarë sulmuesin Ramos.

19 fëmijë dhe 2 mësues u vranë në këtë masakër.

Dështimi i agjencive për zbatimin e ligjit në Uvalde për të ndërhyrë menjëherë, si dhe hetimet mbi sulmin, kanë shkaktuar zemërim tek prindërit dhe në përgjithësi tek komuniteti në Uvalde.

Ata e shprehën zemërimin e tyre në një mbledhje të Këshillit Bashkiak në Uvalde, pak orë pas publikimit të pamjeve.

Disa nga pjesëmarrësit kërkuan llogaridhënie për policinë dhe më shumë informacione në hetimin që është karakterizuar me deklarata të paqarta.

“A i sheh dikush ata duke bërë punë të mirë? A është e mjaftueshme vetëm përpjekja për t’u futur atje?A ishte e mjaftueshme për njerëzit që po vriteshin? Kjo nuk ishte e mjaftueshme”, thotë për një televizion në San Antonio Adam Martinez, banor në Uvalde.

“E kam parë në lajme. Të gjithë këta oficerë kishin armët dhe pajisjet e duhura mbrojtëse, ndërsa qëndronin, thjesht qëndronin atje”, flet me zemërim pastori Daniel Myers.

Anëtari i Këshillit Bashkiak në Uvalde, Ernest King kritikoi gazetën që publikoi pamjet.

“E kanë bërë për vlerësime dhe për para. Kjo është arsyeja e vetme që e publikuan”, tha ai.

Por komuniteti në Uvalde nuk pajtohet.

“Njerëzit duan t’i shohin pamjet. Prindërit duan t’i shohin ato. Që të sigurohemi se do t’i mbajmë të gjithë përgjegjës”, thotë Adam Martinez.

Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas publikoi një raport në fillim të këtij muaji, ku thotë se një oficer policie në Uvalde humbi mundësinë për ta qëlluar sulmuesin Ramos para se të futej në shkollë, sepse po priste leje nga eprorët e tij.

Një komision hetues i udhëhequr nga ligjvënësit e Teksasit njoftoi më herët planet për të shfaqur pamjet për herë të parë të dielën, krahas bërjes publike të gjetjeve të tyre pas disa javë hetimesh dhe mbledhjes së dëshmive me dyer të mbyllura nga më shumë se 40 dëshmitarë.

(Zëri i Amerikës)