Publikohet axhenda e vizitës së Gabriel Escobar-it në Tiranë

Tiranë, 7 dhjetor 2021 – I Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vijë në Shqipëri në një vizitë zyrtare më datë 9 dhjetor.

Këtë e ka bërë të ditur ambasada e SHBA-së në Tiranë e cila shton se qëllimi i vizitës është për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për të shprehur mbështetjen e amerikanëve për integrimin e Shqipërisë në BE.

Sipas ambasadës, Escobar do të zhvillojë takime me liderët politikë në vendin tonë, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Bashën si dhe Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Escobar do të diskutojë mbi vendosmërinë e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

(Panorama.al)