Publikohet në shqip “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë” e Fischer dhe Shmitt

Tiranë, 26 shtator 2022 – Studiuesit e njohur Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Shmitt publikuan sot në Tiranë librin e tyre “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”, në gjuhën shqipe, përkthyer në gjuhën shqipe nga botimi anglisht “A Concise History of Albania”.

Artini-Toena/ Bernd J Fischer, Oliver Jens Schmitt - Një histori e  përmbledhur e Shqipërisë - Gazeta Express

Gjatë një takimi mes kolegësh historianë shqiptarë, drejtues dhe autorë të njohur të Institutit të Historisë, ata diskutuan mbi sfidat dhe këndvështrimet e larmishme, që autorët kanë mbi ngjarjet e Shqipërisë në shekujt XIX dhe XX, nga Pavarësia prej Perandorisë Otomane, te ngritja dhe rrëzimi i diktaturës komuniste, si dhe deri në ditët e sotme.

Autorët shpjeguan përmbajtjen e librit në dy pjesë nga osmanizimi i popullit shqiptar pas pushtimit ottoman dhe deri në deri rrëzimin e regjimit komunist.

Bashkautori i librit, Oliver Shmitt, thotë se ky libër u përgatit për lexues të huaj, që nuk e njohin Shqipërinë, por që dëshirjnë të kenë një vështrim të përgjithshëm për historinë e saj.

Për fat të keq, Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vend i panjohur në botë, thotë ai, dhe kjo është një vështirësi e madhe për studiuesit e historisë, që i drejtohen lexuesit të painformuar.

“Ne merremi me historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë prej një lloj dashurie, që kemi për këtë vend, për këtë kulturë dhe këtë shoqëri. Qëllimi i këtyre librave është që shqiptarët dhe Shqipëria të bëhen më të njohur jashtë vendit. Ndërkohë, është i nevojshëm zhvillimi i një diskutimi mes historianëve mbi çështjet më të debatueshme të historisë, si dhe mbi dallimet mes autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj” – thotë zoti Shmitt.

Një nga pjesët me shumë interes në libër janë ngjarjet e Shqipërisë në shekullin nga shpallja e pavarësisë prej perandorisë osmane në Vlorë nga Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë, vitet e qeverimit të Esad Toptanit dhe Ahmet Zogut dhe deri në dekadat e diktaturës komuniste.

Bashkautori i librit, Bernd Fischer, thotë se ende duhen studiuar në thellësi ngjarjet e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, ku një ndikim të fortë kishte kreu i regjimit komunist Enver Hoxha.

“Mendoj se pa Enver Hoxhën Shqipëria mund të zhvillohej krejt ndryshe në shumë nivele, krahasuar me shtetet e tjerë europianë si Rumania e Bullgaria, ose edhe si Greqia. Kushdo që e vizitonte Shqipërinë më 1989 shihte ndryshime jashtëzakonisht të madhe në çdo fushë midis gjendjes, ku e la atë regjimi i Hoxhës dhe vendeve të tjera ish komuniste” – thotë zoti Fischer.

Në takimin mes kolegëve historianë me rastin e këtij studimi u diskutua se një tjetër vështirësi e tyre e autorëve është që lexuesit shqiptarë i afrohen një libri të tillë me paragjykimet mbi ato që di dhe shkruan një autor i huaj, ndërkohë që shqiptarët kanë lexuar shumë për historinë e tyre, ku disa çështje ende perceptohen si delikate.

Pas 45 vjet historiografi të regjimit komunist dhe 30 vjet të historiografisë në demokraci, në Tiranë ende vazhdon të mbetet një çështje e nxehtë që debatohet me tone të ngritura nevoja për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, për të zhveshur nga shtrembërimet e qëllimshme dhe gjysmë të vërtetat, që hartuan historianët e gjysmës së dytë të shekullit 20.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)