Pushon hetimi ndaj Dvoranit, të inicuar nga kallëzimi i Metës

Tiranë, 23 nëntor2021 – Përplasja e gjatë dhe fortë mes presidentit Ilir Meta dhe ish kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, është mbyllur në favor të këtij të fundit. Pasi SPAK paraqiti kërkesën për pushimin e çështjes, duke u shprehur se nuk kishte gjetur elemente të veprës penale, Gjykata e posaçme sot vendosi për pranimin e kësaj kërkese.

Kallëzimi i presidentit Meta pasoi konfliktin e hapur mes tij dhe shumicës socialiste për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas kreut të Shtetit, drejtuesi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kishte kryer shkelje gjatë procedurave për renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar legjitimitetin e procesit me pasoja të pariparueshme në mirëfunksionimin e sisitemit të drejtësisë. Po ashtu sipas kreut të Shtetit,mënyra e dërgimit të listave të kandidatëve, në fillim në presidencë dhe më pas në parlament, ishte një përvetësim i detyrës, duke qenë se nuk kishte patur një vendim të Këshillit.

Përveç zotit Dvorani, kallëzimi i presidentit Ilir Meta përfshinte dhe ish ministren e Drejtësisë Etilda Gjonal, sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie Gentian Deva dhe një tjetër zyrtar.

Pas vendimit të sotëm, zoti Dvorani tha se si gjyqtar atij nuk i shkonte të bënte interpretime dhe se duhej pritur akti i arsyetuar i Gjykatës, ndërsa për deklarimet dhe së fundmi, të kreut të shtetit u shpreh se “është e drejta e zotit Meta, si çdo individi tjetër, që të ketë interpretimin dhe gjykimin e tij mbi fakte dhe rrethana të caktuara. Unë nuk jam kurrkush ta gjykoj apo paragjykoj atë që thotë ai apo kushdo qoftë. Janë institucionet ato që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve popullore i përket një rregjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër media, përtej gjithë respektit, por nuk vendosen aty, çështjet vendosen këtu, në gjykatë”

Këshilltari ligjor i presidentit, Bledar Dervishi, u shpreh gjithashtu se për një vlerësim të plotë duhej pritur vendimi i zbardhur i Gjykatës. Megjithatë ai këmbënguli në pozicionin e institucionit që përfaqëson. “Të gjithë shtetasit e kallzuar i kanë konsumuar veprimet e tyre të paligjshme. Ky është argumenti ynë”, u shpreh zoti Dervishi.

Ndërsa zëdhënësi i zotit Meta mbajt një qëndrim të qartë kritik ndaj vendimit të sotëm, të cilin e cilëson “të papranueshëm” duke njoftuar ankimimin në Gjykatën e Apelit. Sipas tij “faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK-ut për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar”.

Për zëdhënësin e zotit Meta “mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon”.

Në opinionin e vet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias kishte shprehur kritika ndaj Këshillit të Emërimeve duke folur për një “mënyrë veprimi të diskutueshme”, ndërsa theksonte se “është e qartë që data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të afatit 30 ditor të zgjedhjes së kandidatëve”.

(Zëri i Amerikës)