PUSHTIMI RUS I UKRAINËS- NJË HAP DREJT NJË LUFTE TË III-TË BOTËRORE

Analizë nga Rafael Floqi

Në 1917, Presidenti i Woodrow Wilson fliste “për një botë më të sigurt, për demokracinë” në vitin 2022 Putin dhe Xi janë të vendosur për të ndërtuar një botë më të mirë për autokracinë.

Aleanca perëndimore ka kërcënuar Kremlinin me sanksione “masive” dhe “të paprecedente” nëse Rusia sulmon Ukrainën. Por, ndërsa kriza ukrainase arrin në pikën e vlimit, përpjekjet e perëndimit për të izoluar dhe ndëshkuar Rusinë duket se do të komprometohen nga mbështetja që Kina ka për fqinjin e saj.

“Ajo që Rusia dëshiron të bëjë është të përdorë ushtrinë e saj për të luajtur politikat e superfuqisë dhe për të shtypur shtetet e pavarura … dhe për t’i bërë ato shtete satelitore,” thotë gjenerali Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s, sipas USA Today.

Clark shpjegoi pse situata është e rëndësishme për amerikanët dhe mënyrat se si administrata e Biden dhe aleatët e NATO-s mund të pengojnë agresionin rus. Ai tha se Rusia dëshiron të vendosë dominim mbi rajonet që dikur kishte gjatë Bashkimit Sovjetik. “Ajo që Rusia dëshiron të bëjë është të përdorë ushtrinë e saj për të luajtur politika të pushtetit dhe për të shtypur shtetet e pavarura, për t’i marrë ato dhe për t’i bërë ato shtete vasale, për t’i bërë ato shtete satelitore.”

Biden: Sanksione personale ndaj Putinit

Presidenti i SHBA Joe Biden thotë se do të konsideronte sanksione personale ndaj Vladimir Putin nëse Rusia pushton Ukrainën. Ai tha se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia bën një lëvizje ndaj kombit, i cili ndodhet në kufirin e saj jugperëndimor.  Komentet e tij erdhën pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë për pushtimin. Por a mjaftojnë ato?

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” lidhur me këtë çështje dhe mohon se planifikon të hyjë në Ukrainë. Megjithatë, Moska ka ngritur trupa në kufi, me rreth 100,000 ushtarë rusë të dislokuar në rajon.

Duke marrë pyetje nga gazetarët, Biden u përgjigj “po” kur u pyet nëse ai mund ta shihte veten duke vendosur sanksione ndaj presidentit rus personalisht në rast të një pushtimi. Ai tha se një lëvizje e tillë përtej kufirit të Ukrainës do të nënkuptonte “pasoja të mëdha në mbarë botën” dhe mund të përbënte “pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Zoti Biden shtoi se ai do të ndihej i detyruar të rriste praninë e NATO-s në Evropën Lindore. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse… NATO do t’i dalë në mbrojtje,” tha ai. Megjithatë ai përsëriti se nuk kishte plane për të dërguar trupa amerikane në vetë Ukrainë.

Aleanca e re ruso- kineze

Kur Vladimir Putin do të udhëtojë në Pekin për të qenë i pranishëm në nisjen e Lojërave Olimpike Dimërore në 4 shkurt, presidenti rus do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping që është aleati i tij më i rëndësishëm. Në një telefonatë mes të dyve në dhjetor, lideri kinez mbështeti kërkesat e Rusisë që Ukraina të mos i bashkohej kurrë NATO-s.

Një dekadë më parë, një marrëdhënie e tillë dukej e pamundur: Kina dhe Rusia ishin rivale po aq sa partnere. Por pas një kohe ku këto dy vende janë përplasur me SHBA në mënyrë të vazhdueshme, mbështetja e Xi për Putin reflekton një rritje të qasjes identike dhe jo vetëm mes Moskës dhe Pekinit. Sipas mediave kineze, Xi i është shprehur Putin se “fuqi të tilla ndërkombëtare po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në çështjen e brendshme të Kinës dhe Rusisë nën pretekstin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sikundër vë në dukje dhe Xi, por edhe siç Putin e ka bërë të qartë, liderët e Kinës dhe Rusisë janë të bashkuar në besimin se SHBA po komploton për të minuar dhe për të rrëzuar qeveritë e tyre. Në ditët e arta të komunizmit, Rusia dhe Kina mbështetën forcat revolucionare rreth e qark botës. Por sot, Moska dhe Pekini po mbështesin retorikën kundër-revolucionare. Kur turbullirat nisën në Kazakistan ditët e fundit, Putini akuzoi SHBA se po përpiqej të sponsorizonte “revolucionin me ngjyrë” – një term që ai e ka përdorur për protestat masive që duan ndryshimin e regjimit – në një vend që është kufi me Rusinë dhe Kinën. Një ministër kinez u bëri jehonë këtyre vërejtjeve të Putin.

Sipas këndvështrimit të Kinës dhe Rusisë, ngjarjet në Kazakistan përputheshin me një modul të parë. Kremlini ka kohë që argumenton se ishte SHBA pas dorës që krijoi ngjarjet në Mejda në vitet 2013-2014 në të cilën një lider pro rus u rrëzua. Kina gjithashtu këmbëngul që forcat e huaja – pas të cilës nënkuptohet SHBA – ishin pas protestave të mëdha në Hong Kong në vitin 2019 dhje që u shtypën me dhunë nga Pekini.

Si Putin edhe Xi e kanë bërë të qartë se ato besojnë se qëllimi fundor i SHBA është rrëzimi i qeverive të Rusisë dhe Kinës dhe se forcat pro demokratike në endet e tyre janë kali i Trojës së SHBA.

Në 1917, Presidenti i Woodrow Wilson fliste “për një botë më të sigurt, për demokracinë” në vitin 2022 Putin dhe Xi janë të vendosur për të ndërtuar një botë më të mirë për autokracinë.

Ambiciet e Rusisë dhe Kinës, gjithsesi, janë shumë larg të qenit vetëmbrojtëse. Si Putin dhe Xi besojnë se janë vulnerabël ndaj “revolucionit kolorit” dhe vijnë si pasojë e problemeve të vazhdueshme që ka rendi aktual global – kombinimi i institucioneve, ideve dhe strukturës së pushtetit përcakton se si politika globale luhet. Për rrjedhojë ata ndajnë të njëjtën vendosmëri për të krijuar një rend të ri global që do t’i akomodojë ato më lehtë dhe interesat e Rusisë dhe Kinës më lehtë sipas prerjes së liderëve të tyre aktualë.

“Unipolariteti” dhe “universaliteti” amerikan

Dy mjete të rendit aktual global që Rusia dhe Kina kundërshtojnë janë “unipolariteti” dhe “universaliteti”. Për ta thënë më thjeshtë, ata besojnë se marrëveshjet aktuale i japin Amerikës shumë pushtet dhe se ata janë të vendosur për t’i ndryshuar këto marrëveshje.

“Unipolirateti” lidhet me fuqinë që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e la botën nën sundimin e një superfuqie globale që ishte SHBA. Fyodor Lukyanov, një mendimtar i politikës së jashtme shumë i afërt me presidentin Putin, beson se unipolariteti “i ka dhënë SHBA mundësinë që të veprojë sipas interesit të saj personal në çështjet globale”. Ai argumenton se epoka e hegjemonisë amerikane u pa që me luftën e Gjirit në 1991 në të cilën SHBA u bë aleate në koalicion me vendet e tjera për të larguar Sadamin dhe Irakun nga Kuvajti.

Lufta në Gjirin Persik u pasua nga ndërhyrje të tjera nga SHBA dhe aleatët në gjithë botën – duke përfshirë edhe ndërhyrjet në Bosnje dhe Kosovë në 1990. Bombardimi nga NATO i Beogradit, kryeqytetit të Serbisë në 1999, ka qenë një argument i përdorur shpesh nga Rusia se NATO nuk është realisht një aleancë tërësisht mbrojtëse. Fakti se NATO bombardon nuk është harruar as nga Pekini që kujton se si u kap në befasi dhe ambasada e saj në Beograd.

Pas 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington, NATO aplikoi nenin 5 (për mbrojtjen e një vendi që është në të dhe sulmohet) dhe pushtoi Afganistanin. Edhe një herë, sipas Lukyanov, Amerika ka demonstruar vullnetin dhe mundësinë për të “transformuar dhunshëm botën”.

Por dështimi i SHBA në Afganistan simbolizuar me tërheqjen kaotike të ushtrisë së saj nga Kabuli në verën e 2021, i ka dhënë rusëve një shpresë se bota e drejtuar nga rendi i superfuqisë së SHBA është duke u shkatërruar. Lykyanov argumenton se rënia e Kabulit tek Talebanët ishte “jo më pak historike dhe simbolike se sa rënia e murit të Berlinit”

Për Rusinë dhe Kinën, krijimi i një rendi të ri global nuk është thjesht një çështje e pushtetit real. Ndërsa tradita liberale perëndimore promovon idenë e të drejtave universale të njeriut, mendimtarët kinezë dhe rusë argumentojnë se traditat e ndryshme kulturore dhe “civilizimet” duhet tu jepet hapësira për t’u zhvilluar në rrugë të ndryshme.

Vladislav Surkov, dikur një prej këshilltarëve më influencues të Putin, ka përbuzur përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të qenë pjesë e civilizimit perëndimor. Në fakt, sipas Surkov, Rusia duhet të përqafojë idenë se “ka absorbuar si lindjen dhe perëndimin” dhe se ka “një mentalitet hibrid”. Nën të njëjtin frymëzim edhe mendimtarët pro regjimit në Kinë shkruajnë se një fuzion mes konfucianizmit dhe komunizmit e definojnë Kinën si një vend që flet mbi kolektiven më shumë se sa të drejtat individuale. Ata pohojnë se suksesi i Kinës në përmbajtjen e COVID-19 reflekton superioritetin e Kinës mbi aksionet kolektive dhe të drejtat e grupit.

Kriza mbi Ukrainën është përpjekja mbi të ardhmen e rendit botëror pasi ai përmbledh pikërisht këto premisa që diskutojmë. Për Putin, Ukraina është kulturalisht dhe politikisht pjesë e Rusisë dhe sferës së saj të influencës. Siguria e Rusisë ka nevojë që t’i japë asaj pushtetin e vetos ndaj çdo vendimmarrje të Ukrainës. Moska kërkon që të veprojë edhe si protektore e rusisht-folësve. Për SHBA, këto kërkesa kundërshtojnë në disa pika principet e rendit aktual global në veçanti të drejtën për një vend të pavarur që vetë-përcakton politikat e jashtme dhe qasjen strategjike

Kriza e Ukrainës- luftë për “rendin e ri botëror”

Kriza e Ukrainës është gjithashtu dhe për “rendin e ri botëror” pasi ka implikimi të thella globale. SHBA e di se nëse Rusia sulmon Ukrainën dhe vendos “sferën e saj të influencës”, një precedent i rrezikshëm vendoset në lidhje me Tajvanin. Gjatë epokës së Xi, Kina ka ndërtuar baza ushtarake rreth e qark influencës zonave të Detit të Kinës Jugore. Kërcënimet e Pekinit për të pushtuar Tajvanin – një vend i qeverisur në mënyrë demokratike që Kina e konsideron si provincë rebele- janë bërë gjithnjë e më frekuente dhe të shpeshta. Nëse Putin ia arrin të pushtojë Ukrainën, tundimi që Xi të sulmojë Tajvanin do të rritet, pasi ai do të vendoset nën presion nga liderët nacionalistë në Kinë që do nuhasin rënien e SHBA.

“E drejta ndërkombëtare është një forcë shumë e fuqishme edhe pse ne nuk mendojmë shumë për të në Shtetet e Bashkuara,” tha gjenerali në pension Clark. “Në Evropë është jashtëzakonisht i respektuar dhe do të ketë një ndikim të madh në forcimin e kohezionit të aleancës dhe frenimin e veprimit rus.”

Por shembulli i Gjermanisë flet ndryshe. Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë për këtë çështje.

 “Nuk do të ketë dërgesë të armëve vdekjeprurëse (në Ukrainë). Kështu ka qenë edhe më parë, edhe gjatë qeverisjes së kaluar, kështu do të jetë edhe me qeverinë aktuale”, tha Hebestreit. Qeveria gjermane në mënyrë të përsëritur ka theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje Rusisë të de-përshkallëzojë tensionet dhe të ringjallë bisedimet e formatit të Normandisë për një zgjidhje politike.

Aspiratat: Rusia fuqi globale, Kina ekonomi globale

Rusia dhe Kina pra kanë shqetësime të ngjashme rreth rendit të ri botëror. Ka disa diferenca të rëndësishme mes qasjes së Moskës dhe asaj të Pekinit. Rusia aktualisht është më e predispozuar për të ndërmarrë risqe se sa Kina të natyrës ushtarake. Por qëllimi i saj fundor është më i limituar. Për rusët, përdorimi i forcës në Siri, Ukrainë dhe kudo gjetkë është një rrugë për të goditur pohimin e bërë nga ish presidenti i SHBA, Obama, se Rusia është tanimë një forcë rajonale. Dmitri Trenin i Carnegie Center në Moskë e argumenton se “për liderët e Rusisë, një vend si Rusia është vetëm një fuqi globale.”

Por nëse Rusia aspiron të jetë një nga fuqitë e botës, Kina duket se po mendohet për të shfronësuar SHBA si FORCA globale. Elizabeth Econoomy, autore e libri të ri të quajtur “Bota sipas Kinës” argumenton se Pekini po synon që të “transformojë tërësisht rendin global” në të cilin SHBA do të flakej tutje nga Paqësori duke u shndërruar thjesht në një forcë e Atlantikut. Duke qenë se tani zemra e Indo-Paqësorit është ajo e ekonomisë globale, kjo do të thotë që esencialisht Kina të jetë “numri një”, shkruan Finantial Times.

Po pse Vladimir Putin po kërcënon të marrë një kafshatë tjetër nga Ukraina, pasi gllabëroi Krimenë në 2014? Kjo nuk është një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur, sepse Putini është një psikodramë e një njeriu, me një kompleks gjigant inferioriteti ndaj Amerikës.

Lëvizja e fundit e shahut e Putinit, lëvizje e njohur për Gasparovin

Gjëja e fundit që Putini dëshiron është një Ukrainë e lulëzuar që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe do të zhvillojë njerëzit dhe ekonominë e saj përtej Rusisë autokratike dhe të dobët të Putinit. Ai dëshiron që Ukraina të dështojë, BE. Le të shohim: Putini është një Pjetri i Madh i ditëve moderne, i cili synon të rivendosë lavdinë e Nënës Rusi. Ai është një-ish agjent i K.G.B në pension. Agjenti i cili thjesht refuzon të dalë nga i ftohti dhe ende sheh C.I.A. nën çdo shkëmb dhe pas çdo kundërshtari. Ai është ish-i dashuri i Amerikës që vjen nga ferri, i cili refuzon të na lërë ta injorojmë dhe të dalim me vende të tjera, si Kina – sepse ai gjithmonë e mat statusin e tij në botë në raport me ne. Dhe ai është një politikan që përpiqet të sigurohet që të fitojë (ose të manipulojë) zgjedhjet e Rusisë në vitin 2024 – dhe të bëhet president i përjetshëm – sepse kur të keni marrë po aq rubla sa Putini, nuk mund të jeni kurrë i sigurtë, se pasardhësi juaj nuk do t’ua bllokojë. Ndaj ai lufton t’i fitojë të gjitha. Për të, kjo është një lojë për jetë a vdekje.

“Jam i lumtur të diskutoj agresionin e fundit të Putinit dhe si ta ndalojmë atë. Por unë i thashë të gjitha në librin tim të vitit 2015, “Dimri po vjen”. Edhe deri atëherë isha i zemëruar që Perëndimi kishte bërë kaq pak. Tragjikisht, është ende e vlefshme edhe sot” shkroi këto ditë në tweeter, kundërshtari i hapur i Putinit, ish- kampioni botës i shahut, Garry Gasparov.

Chamberlain-i dhe Biden

Ndoshta do të duhen vite para se të mbërrijmë në “momentin Franz Ferdinand”, por një sulm kibernetik ka potencialin të shkaktojë një luftë globale, të pakrahasueshme me asgjë që kemi parë deri tani.

Biden nuk duhet te tregohet si kryeministri britanik Neville Chamberlain. Të apasionuarit pas historisë kujtojnë që kryeministri Chamberlain deklaroi se kishte rregulluar paqen në kohën e tij, pasi kishte mbajtur bisedime të nivelit të lartë me Adolf Hitlerin. Ai mendoi se e solli këtë përmes diplomacisë. Ai ishte i gabuar dhe “diplomacia” e tij kushtoi miliona jetë, siç e kuptoi Hitleri dhe përfitoi nga ky lider i dobët dhe i pamend, ndërsa vazhdonte tërbimin e tij ushtarak nëpër Evropë. Presidenti Biden ndan të njëjtën ideologji dhe po tregon cilësi të dobëta drejtuese të kryeministrit Chamberlain dhe Rusia, Kina dhe regjimet e tjera totalitare po përfitojnë nga kjo.

Mendoni pak se çfarë do të ndodhte nga një sulm kibernetik përtej ndërprerjeve të energjisë dhe internetit, kolapsit të sistemeve bankare, mungesave ushqimore apo ujit të helmuar. Në sulmin e fundit operativët e mbështetur nga kinezët shfrytëzuan dobësitë në Exchange Server të Microsoft Corp duke shkaktuar dëme në të gjithë botën, kryesisht midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Disa muaj më parë, administrata amerikane e drejtoi gishtin nga Rusia për një sulm të madh ndaj kompanisë së softuerit SolarWinds Inc ,që duket se synonte klientët e qeverisë amerikane. Fatmirësisht, deri më tani me gjithë dhjetëra sulme kibernetike të ndodhur midis superfuqive gjatë 2 dekadave të fundit, bota ka vazhduar që të rrotullohet sipas boshtit të saj dhe jeta për shumicën e njerëzve ka vazhduar kryesisht e papenguar. Dhe Biden vetëm e paralajmëroi Rusinë, kur hakerët rusë të grupit DarkSide bllokuan naftësjellësin Colonial, ndërkohë hoqi sapo bëri betimin si president, i hoqi sanksionet për gazsjellësin rus, Northstream 2, për të paqtuar Gjermaninë, çka ishte një fitore e dhuruar për Putinin.

Sot duhet veprim. Po të mos veprojë me forcë SHBA dhe NATO, Ukraina mund të shndërrohet në një Çekosllovaki të Luftës së III-të Botërore.