Putin beson në dialog efektiv mes Uashingtonit dhe Moskës

Moskë, 30 dhjetor 2021 – Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është “i bindur” se mund të ketë dialog efektiv në mes të Uashingtonit dhe Moskës.

Ai i ka bërë këto komente pak para se të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, ndërkohë që rriten tensionet për shkak të pozicionimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën, si dhe kërkesave të Kremlinit për garanci rreth sigurisë nga ana e NATO-s.

Dy liderët pritet të zhvillojnë bisedë telefonike më 30 dhjetor për të “diskutuar një mori çështjesh, duke përfshirë angazhimin e ardhshëm diplomatik me Rusinë”, ka deklaruar Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare.

Sipas deklaratës së Kremlinit, të publikuar më 30 dhjetor, presidenti rus ka thënë se është “i bindur se… ne mund të ecim përpara dhe të krijojmë një dialog efektiv ruso-amerikan, të bazuar në respekt reciprok dhe konsideratë për interesat e njëri-tjetrit”.

Biseda e 30 dhjetorit realizohet ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe ata rusë përgatiten për t’u takuar më 10 janar në Gjenevë për të diskutuar rreth kontrollit të armëve dhe tensioneve me Ukrainën.

Putin, i cili sipas Kremlinit, e ka iniciuar thirrjen, i ka kërkuar Bidenit që biseda të realizohet me prezencë fizike, mirëpo Shtëpia e Bardhë ka refuzuar diçka të tillë.

Ky takim mund të përcillet me bisedime të ndara në mes të Rusisë dhe NATO-s më 12 janar.

(REL)

Comment

*