Putin dhe Erdogan zotohen për thellimin e marrëdhënieve Rusi -Turqi

Moskë / Ankara. 2 janar 2021 – Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede telefonike që kanë zhvilluar të dielën, janë zotuar për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Dy palët biseduan për çështjet globale, përfshirë edhe propozimet e fundit lidhur me krijimin e marrëveshjeve ligjërisht të obligueshme që do t’i garantonin Rusisë siguri. Po ashtu, ata biseduan për situatën në Kaukazin Jugor dhe për përpjekjet për të zgjidhur krizat libiane dhe siriane”, thuhet në deklaratën e Kremlinit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Të njëjtën gjë e tha edhe Ankaraja.

“Kaukazi, Siria, Libia dhe zhvillimet e tjera rajonale dhe ndërkombëtare u diskutuan në këtë takim, ku u ripërsërit vendosmëria për të avancuar bashkëpunimin Turqi-Rusi në të gjitha fushat”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Komunikimeve e Turqisë.

Biseda mes Putinit e Erdoganit vjen vjen pas zemërimit të Rusinë për shkak se Turqia e ka furnizuar me armë Ukrainën, përfshirë edhe me dronë që u përdorën për herë të parë në muajin tetor kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në lindje të Ukrainës.

Turqia ka marrëdhënie të mira edhe me Kievin dhe me Moskën, por e ka kritikuar Moskën për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë dhe ka shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, ndërsa Kremlini po kërkon garanci për sigurinë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

Në veçanti, Moska dëshiron që NATO të mos shtrihet në Ukrainë dhe në shtetet tjera të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të tërheqë armatimin nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Rusia dhe Turqia po bashkëpunojnë në përpjekjet diplomatike për vendosjen e stabilitetit në Kaukazin Jugor, pas fitores së Azerbajxhanit ndaj Armenisë në vitin 2020, në luftën për rajonin e Nagorno Karabakhut.

Gjatë muajit janar, të dërguarit e posaçëm të Turqisë dhe të Armenisë pritet të takohen në Moskë, për të nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Moska po bën përpjekje për të ndërmjetësuar nëvendosjen e paqes në rajon, përfshirë Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Në Siri dhe në Libi, Rusia dhe Turqia mbështesin palë të kundërta, por kanë bashkëpunuar në përpjekje për të ulur tensionet.

(Sipas REL)