Putin e dekoroi brigadën e ushtrisë ruse që dyshohet për krime lufte në Ukrainë

Moskë, 18 prill 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të hënën, më 18 prill, e ka dekoruar një brigadë të ushtrisë ruse që nga Ukraina akuzohet për “krime lufte” dhe për vrasje masive tëcivilëve në qytetin Buça, pranë Kievit.

Putin e dekoroi me titullin “Mbrojtës të atdheut dhe interesave të shtetit” Brigadën e 64-të, pjesëtarët e së cilës i lavdëroi për “heroizëm, guxim dhe këmbëngulje”.

Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se kjo njësi e ushtrisë ruse që kishte okupuar Buçën kishte kryer krime lufte.

Drejtoria e Inteligjencës së Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes ka publikuar emrat, gradat dhe të dhënat personale të pjesëtarëve të kësaj brigade, të cilët pret se do të përballen me drejtësinë.

Policia ukrainase tha javën e kaluar se shumica e civilëve të vrarë në Buça kanë pasur plagë të armëve të zjarrit. Disa prej viktimavde i kishin duart e lidhura pas shpine

Trupat e pajetë të banorëve të vrarë u gjetën në rrugë ose pranë shtëpive të tyre, pas largimit të trupave ruse nga qyteti.

Moska mohon akuzat se forcat ruse janë përgjegjëse për vrasjen e civilëve në Buça. Sipas Kremlinit, imazhet e trupave të pajetë të civilëve të publikuara në medie janë “të rreme”.

(Sipas REL)