Putin kërkon njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë, e krahason me Kosovën

Moskë, 22 shkurt 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri thirrje bashkësisë ndfërkombëtare ta njohë Krimenë së pjesë të Rusisë, të cilën ai e krahasoi me Kosovën.

Gjatë një konference me gazetarë, pak pasi parlamenti rus e miratoi kërkesën e tij për dërgimin e trupave të armatosura jashtë Rusisë, presidenti Putin tha se aneksimi i gadishullit të Krimesë në vitin 2014 duhet të njihet si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.

“Njerëzit që jetojnë në Sevastopol, kanë vendosur vet, e kam thënë disa herë. Përse qenka ndryshe nga Kosova”, ka tha presidenti rus, i cili një ditë më parë njohu dy rajone separatiste rusishtfolëse në Ukrainën Lindore si shtete të pavarura.

Javën e kaluar, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenti rus e  kritikoi NATO-n, duke thënë se kishte nisur një luftë në Evropë duke bombarduar Serbinë në vitin 1999.

Kancelari Scholz u kundërpërgjigj, duke thënë se ndërhyrja e NATO-s kishte ndodhur për të parandaluar gjenocidin, një referencë për përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe.

Më pas, Presidenti rus tha se Rusia e konsideronte trajtimin e rusëve etnikë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore si “gjenocid”, një pohim të cilin më pas kancelari Scholz e cilësoi “të gabuar”.

Nuk është hera e parë që presidenti rus përmend Kosovën në kuadër të arsyetimit për veprimet e tij. Në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, vëzhguesit vunë re se ai përmendi Kosovën gjashtë herë gjatë fjalimit të tij.

Politikanë dhe analistë kanë theksuar në shumë raste se krahasimi i Krimesë me Kosovën është i sforcuar, dhe se pavarësia e Kosovës pasoi spastrimin etnik nga forcat serbe dhe një proces të gjatë ndërkombëtar. Asnjë nga këto nuk kishte ndodhur para marrjes nën kontroll të Krimesë nga Rusia.

Ndonëse e përmend shpesh Kosovën, Rusia, një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon ta njohë pavarësinë e saj që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

(Zëri i Amerikës)