Putin: Ne do të fitojmë, ashtu sikurse kishim fituar në vitin 1945

Moskë, 8 maj 2022 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një mesazh drejtuar qytetarëve rusë në prag të festimit të 9 Majit, Ditës së Fitores mbi fashizmin, e ka barazuar luftën e sotme në Ukrainë me Luftën e Dytë Botërore.

Dhe është zotuar se Rusia do të dalë fituese edhe tani, sikurse kishte dalë në vitin 1945.

“Sot, ushtarët tanë, sikurse paraardhësit e tyre, po luftojnë krah për krah për të çliruar atdheun e tyre nga pisllëku nazist, të bindur se, sikurse në vitin 1945, fitorja do të jetë e jona”, ka thënë Putin të dielën.

“Fatkeqësisht, nazizmi po ngrihet përsëri sot. Është detyra jonë e shenjtë të parandalojmë hakmarrjen e trashëgimtarëve ideologjikë të atyre që i mundëm në Luftën e Madhe Patriotike”, ka theksuar ai.

Dhe ka paralajmëruar vazhdimin e luftës për “parandalimin e ringjalljes së nazizmit”.

“Detyra jonë e përbashkët sot është të parandalojmë ringjalljen e nazizmit, i cili u ka shkaktuar kaq shumë vuajtje popujve të vendeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Presidenti rus u është drejtuar me mesazh edhe qytetarëve të Ukrainës, cilëve u ka premtuar “të ardhme paqësore dhe të drejtë”.

Në hënën, Rusia do të shënojë fitoren ndaj Gjermanisë naziste me një paradë të madhe ushtarake. Është paralajmëruasr që në paradë të ekspozohet arsenali liuftarak i Rusisë.

(r.m.)